59 mijë shqiptarë të tjerë morën pasaporta europiane, shumica u bënë grekë

59 mijë shqiptarë të tjerë morën pasaporta europiane, shumica u bënë grekë

12:56, 08/05/2019
A+ Aa A-

Ndërsa Shqipëria pret hapjen e negociatave për integrimin e saj në BE, qindra mijëra shqiptarë të emigruar kanë futur në xhep tashmë pasaportën e një vendi komunitar, duke fituar të drejta të plota “anëtarësie”. E kështu që nuk është çudi që edhe pa qenë Shqipëria pjesë e BE-së, në parlamentin e ri evropian që do të dalë pas zgjedhjeve të fundmajit të ketë shqiptarë. Në fakt janë katër kandidatët shqiptarë, që qytetarë edhe të vendeve evropiane ku jetojnë e punojnë prej vitesh, kandidojnë për të qenë europarlamentarë.

Shqiptarët e Italisë njohin Geri Ballon, 34-vjeçaren që kandidon në zonën e Jugut të Italisë me listën e PD-së. Por veç saj kandidojnë edhe Eda Gemi në Greqi, Amet Gjanaj në Belgjikë e Adnan Dibrani në Suedi. Për të mos përmendur dhjetëra të tjerë që kandidojnë për zgjedhjet lokale. 

Për t’iu kthyer shifrave, vetëm gjatë vitit 2017 – akoma nuk ka akoma për 2018-tën – numërohen 58.853 shqiptarë që kanë fituar shtetësinë e një prej 28 vjendeve të BE-së. Kjo del në dritë nga raporti i fundit i Eurostat-it, zyrës statistikore të BE-së, mbi shtetësitë e njohura nga 28 vendet e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2017. 

Sipas Eurostat-it, pjesa dërrmuese (97%) janë bërë grekë (29.769 vetë) dhe italianë (27.112). Ndjekin në renditje shqiptarët që kanë marrë shtetësi belge (571), gjermane (374) dhe të Mbretërisë së Bashkuar (315). Duhet thënë që, edhe pse shifra e 2017-tës mbetet e dyta më e lartë e regjistruar ndonjëherë, vërehet një tkurrje e numrit të shqiptarëve që kanë fituar shtetësinë në krahasim me vitin 2016 kur u arrit edhe shifra më e lartë e deritanishme (67.483) e shqiptarëve m pasaportë evropiane. Tkurrja i detyrohet rënies së shtetësive të njohura në Itali, ku gjatë vitit 2017 shqiptarët që morën shtetësinë italiane ishin rreth 10 mijë më pak se një vit më parë (duke mbetur sidoqoftë, edhe në 2017-tën, komuniteti i parë i të huajve për numrin më të lartë të njohjes së shtetësisë italiane).

 

Të dhënat tregojnë se janë 825.447 imigrantët që gjatë vitit në shqyrtim kanë futur në xhep një pasaportë komunitare. Nga këta 152.679, kanë pasur edhe më parë një pasaportë të BE-së, ndërsa 672.768 ishin fillimisht jokomunitarë. Vendet që u kanë njohur më shumë shtetësi të huajve, ashtu si dy vitet e fundit kanë në krye Italinë me 146.605 italianë të rinj, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar (123.106 nënshtetas të rinj), Gjermania (115.421), Franca (114.274), Suedia (68.898) dhe Spanja (66.498). 

Të huajt që kanë marrë një shtetësi evropiane gjatë 2017-tës kanë në krye marokenët (67.852 shtetësi të njohura), të dytët renditen shqiptarët me 58.853 dhe të tretët indianët (31.622). 

Po t’u hedhësh një sy të dhënave të 5 vjetëve të fundit, 2013-2017, shqiptarët që kanë fituar një shtetësi të një vendi të Bashkimit Evropian janë 257.494. Ashtu si vetëm për vitin e fundit, vërehet se pjesa dërrmuese e shqiptarëve (248.156 vetë apo 96%) janë bërë italianë (133.985) ose grekë (114.171), vendet ku ndodhen edhe komunitet më të mëdha të shqiptarëve të emigruar nga 1990 e këtej. Ndjekin shqiptarët me pasaportë belge (2.274) dhe të Mbretërisë së Bashkuar (2.273).

E nëse emigrimi i shqiptarëve do të vazhdojë, popullsia e Shqipërisë do të vazhdojë të mpaket (për të cilat nuk ka ndonjë prirje që të shkojnë në të kundërt) e nëse fitimi i shtetësisë së një prej vendeve evropiane nga anë e shqiptarëve do të vazhdojë me këto ritme, jo vetëm që Shqipëria do të ketë më shumë qytetarë jashtë se brenda vendit, por mund të jenë më të shumtë edhe shqiptarët “e evropianizuar” sesa ata që presin të hyjnë në Evropë./Keti Biçoku/Shqiptariiitalise.com

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco