Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta para bashkisë së Tiranës, qytetarët kërkojnë largimin e Veliajt

Numër i lartë abortesh në 5 vjet në Shqipëri, si po e ndikojnë dhe ‘kërcënojnë’ ekonominë. Tabelat

Numër i lartë abortesh në 5 vjet në Shqipëri, si po e ndikojnë dhe ‘kërcënojnë’ ekonominë. Tabelat

08:49, 05/01/2019
A+ Aa A-

Ndonëse ka gjithnjë debat rreth aspektit moral apo ligjor të një aborti, një tjetër ndikim që duhet konsideruar është ai ekonomik. Aborti u bë i ligjshëm në Shqipëri në dhjetor të 1995 dhe sipas të dhënave të ISHP, vetëm në 5 vitet e fundit, në të gjithë vendin, ka pasur më shumë se 29 mijë të tilla. Ekspertët pohojnë se zvogëlimi i numrit të fëmijëve përmes abortit ndikon në ekonomi në tkurrjen e konsumit të mallrave për to, si dhe në tkurrjen e popullatës dhe si pasojë, të fuqisë punëtore dhe numrit të taksapaguesve për një shtet. Por, ka edhe një anë tjetër medalje. Aborti, shpeshherë, shihet si zgjidhje ekonomike për familjet në vështirësi ekonomike, sidomos në rastin e grave të papuna dhe të pasiguruara.

Një nga efektet më të mëdha të legalizimit të abortit është rënia e nivelit të fertilitetit, si dhe e popullatës. Ky trend botëror po vihet re edhe në vendin tonë. Aborti u bë i ligjshëm në Shqipëri në dhjetor të vitit 1995, ndërsa sipas të dhënave të raportit të survejimit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), vetëm në 5 vitet e fundit ka pasur mbi 29 mijë aborte në të gjithë vendin, raporton Monitor.

Sipas ekspertëve, legalizimi i abortit ndryshon modelin familjar: më pak fëmijë rriten në familjet me një prind, më pak fëmijë rriten në qendra sociale dhe më pak në varfëri. Ndërsa abortet mendohet se rrisin nivelin e mirëqenies për fëmijët e lindur, nga ana tjetër, ata gjithashtu heqin barrën nga tatimpaguesi.

Pohimi se, duke eliminuar një popullsi përmes abortit, sjell më pak shpenzime për ushqim, veshje dhe rritje për to, injoron faktin se në këtë mënyrë shkatërron një popullsi që do të ishte në të ardhmen forcë pune. Në një humbje prej 29 mijë personash në 5 vitet e fundit, që do të kishin qenë anëtarë të shoqërisë, pas 13 vitesh ata do të ishin në moshën për të marrë pjesë aktive në forcën e punës.

Ka gjithmonë një arsye pse një vajzë apo grua kërkon të abortojë një fëmijë. Ashtu sikurse është edhe shpërndarja e aborteve, që kryesisht vjen nga rrethet. Sipas mjekes obstetre Denisa Hajdëri, ka shumë që abortojnë edhe fëmijën e parë, dhe kjo ndodh te vajzat e reja që nuk kanë një jetesë të qëndrueshme, nuk kanë një lidhje serioze. Ashtu sikurse ka gra që abortojnë të dytin, të tretin. Janë shumë të tilla nga zonat rurale, por edhe nga Tirana, pohon ajo.

Por, nuk përjashtohen as faktorë të tjerë socialë.

“Pasiguria ekonomike, mungesa e informacionit, mospërdorimi i kontraceptivëve nga frika e efekteve anësore, mungesa e planifikimit familjar në shumë familje, janë të gjitha arsye për t’u konsideruar”, shton mjekja.

Lidhja e abortit me ekonominë

Specialistët pohojnë se aborti ka pasur disa ndikime në ekonomi. Sipas prof. Gëzim Tushi, sociolog, shoqëria shqiptare ka pësuar disa ndryshime ndër vite dhe aborti padyshim ka qenë një levë e ndryshimit demografik dhe njëkohësisht, e tjetërsimit të familjeve.

Sipas tij:

1. Lindjet stimulojnë ekonominë. Prindërit blejnë sendet e nevojshme për to, duke qarkulluar para. Në këtë logjikë, më pak fëmijë nënkupton që bëhen dhe shiten pak produkte.

2. Një fëmijë i lindur sot është një punonjës shqiptar në të ardhmen, që do të thotë kontribut në ekonominë e përgjithshme. Foshnjat rriten jo vetëm për të punuar, por edhe për të paguar taksa. Pak njerëz nënkupton më pak kontribute tatimore. Një shembull, Shtypi i Lirë i Kanadasë e përshkruan abortin e legalizuar si një “holokaust financiar” në SHBA. Legalizimi i abortit, ndikimi financiar i atyre amerikanëve që nuk punojnë ose kontribuojnë në shoqëri mund të kenë kushtuar më shumë se 27 trilionë dollarë në të ardhurat e humbura tatimore.

3. Një studim i aborteve të ndaluara në Rumani që filluan në vitet 1960 kishte rezultate kontroverse. Fëmijët e lindur menjëherë pas ndalimit të planifikimit familjar kishin shkollim më të mirë dhe më shumë sukses në vendin e punës, sipas studimit të Universitetit Columbia. Por ndalimi i aborteve njëkohësisht ndikoi ndjeshëm në rritjen e familjeve më të varfra ku fëmijët kishin rezultate më të këqija arsimore dhe të tregut të punës.

4. Përkrahësit e jetës zakonisht theksojnë se fëmijët që nuk lindën, mund të kishin pasur role të rëndësishme në mjekësi, shkencë, biznes, art etj. Ndonëse, sigurisht ka edhe mendime të anasjella.

5. Niveli i uljes së lindjeve, rënia e fertilitetit u ngarkon të rinjve të së ardhmes një barrë më të madhe për të mbështetur moshën e vjetër. Një politikë lindjeje e Kinës e zbatuar në vitin 1979, me 1 fëmijë për familje, tani e ka vënë qeverinë e saj në vështirësi, me më pak punëtorë të rinj për të mbështetur një popullsi të plakur.

Abortet sipas qarqeve

Në 5 vitet e fundit, vihet re një ulje e ndjeshme e lindjeve, shoqëruar me ulje të numrit të aborteve, sipas INSTAT. Megjithatë, vitin e shkuar shifrat tregojnë se raporti i abortit me lindjet është 1 me 5.8 të tilla. Raporti i abortit është tregues që ka pësuar rënie me 15% krahasuar me 2013, por duhet të theksojmë se bëhet fjalë për aborte të regjistruara (ka edhe që nuk raportohen).

Rajonet me proporcionin më të lartë të abortit për vitin 2017 janë Vlora (274), Berati (231) dhe më pas Tirana (226). Rajonet me raportin më të ulët të abortit janë përkatësisht Kukësi dhe Elbasani, me 54 dhe 55 aborte, për 1000 lindje të gjalla. Numri i aborteve, sipas INSTAT, jo domosdoshmërisht shkon paralel me numrin e lindjeve të gjalla. Ka qarqe si Gjirokastra dhe Vlora, ku numri i lindjeve është relativisht i ulët, ndërsa raporti i abortit i lartë.

Bazuar në të dhënat e Sistemit të Survejancës së Abortit, ISHP monitoron trendin e abortit në vite, numrin total të aborteve (në nivel kombëtar dhe sipas rajoneve), nivelin e abortit (numri i aborteve për 1000 femra të moshës 15-49 vjeç apo grupeve të tjera moshë-specifike) dhe proporcionin e abortit (numri i aborteve për 1000 lindje të gjalla).

Gjatë vitit 2017 janë regjistruar në total 5279 aborte, 117 raste më pak se në vitin 2016 (5396 aborte). Numri i skedave të ardhura në ISHP nga të gjithë qendrat raportuese është 4417, duke përfaqësuar 83.7% raportime totale, ndërkohë që gjatë vitit 2016, përqindja e raportimit me skedë ka qenë 78.2%. Ndër qytetet me numrin më të lartë të aborteve pas Tiranës (2117) përmendim Fierin me 425 aborte, Durrësin me 402 dhe Beratin me 305 aborte. Vlen të përmendet që kemi një rritje të raportimit me skedë nga dy maternitetet e Tiranës (76.3% në vitin 2017), krahasuar me vitin 2016, ku përqindja e raportimit me skedë ka qenë 58.0%.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco