Skandal me librat shkollorë, janë mbushur me fjali pa kuptim dhe pasaktësira shkencore

Skandal me librat shkollorë, janë mbushur me fjali pa kuptim dhe pasaktësira shkencore

20:59, 21/11/2018
A+ Aa A-

Reforma e pretenduar me tekstet shkollore nuk e ka zgjidhur problemin e pasaktësive të rënda që gjenden në këto tekste. Shembull jo i mirë është Gjeografia për shkollat 9-vjeçare është e mbushur me pasaktësi të renda shkencore dhe me shifra që nuk kanë asnjë lidhje me studimet dhe statistikat zyrtare.

Libri i gjeografisë i klasës së nëntë, nuk duhet të shkojë tek nxënësit. Duke nisur nga ndarja e kapitujve, varfëria gjuhësore, fjalitë pa kuptim deri te pasaktësirat shkencore të shumta, përmbajtja e këtij teksti shkollor i miratuar nga Ministria e Arsimit është problematik, fakton profesori i Gjeografisë, Gjovalin Gruda me 40 vjet karrierë, pasi deformon njohuritë për brezin e ri. Një nga gabimet e patolerueshme është dhe mosha e trojeve shqiptare.

“Trualli i Shqipërisë bën pjesë ne trojet më të reja të Europës, në rregull… kur vjen këtu tani e hedh poshtë ‘rreth 600 milionë vjet më parë’. Kjo nuk ekziston në mënyrë kategorike, sepse të gjithë kontinentet dhe gropat oqeanike fillojnë nga Pangea, nga megakontinenti që është para 250 milionë vitesh”, u shpreh për Top Channel Gjovalin Gruda, profesor i Gjeografisë.

Si dhe ky tekst mësimor i prodhuar në 2018, nuk ka të përditësuara informacionet, por bazohet në studimet e vitit 2011, në një kohë kur ato kryhen vit pas viti.

“Shumica e popullsisë banon në qytet me 53.7%, përkundrejt 45.3% në fshat. Diagnostimi e jep 58% në qytet dhe 42% në fshat. Pra, një ndryshim goxha”. “Po këtu ke për liqenet, janë rreth 230 liqene, në fakt janë 247 liqene te pasuritë ujore klimatike të Shqipërisë. Liqenet artificiale me sipërfaqe tërësore 40 km2, kur vetëm Fierza është 72.6 km2”, tregon Gjovalin Gruda.

Mangësitë nuk përfundojnë me kaq.

“Arrin bëhet gabimi deri aty saqë ngatërrohet ku bashkohet Osumi me Devollin, thuhet në hyrje të Beratit, për lumenjtë thuhet në dalje ,jo në hyrje, po vendi i bashkimit është në fshatin Arrëz dhe është rreth 14 km në veri perëndim të këtij qyteti”, shton profesori i Gjeografisë.

Në përmbajtjen e këtij libri spikatin sidomos problemet fiziko-gjeografike, që janë baza e edukimit të nxënësve, ndaj ky tekst duhet rishkruar medoemos. Pasi edhe mësuesi shpjegon brenda kornizës së tekstit mësimor.

“Edhe mësuesi të jetë i mirë, me këto mangësira s’ka ca bën, sepse nuk del dot nga teksti. Është tekst i miratuar nga Ministria e Arsimit. Le që edhe mësuesi nuk i ka kapur këto probleme, se po t’i kishte kapur ka 2 muaj që ka nisur shkolla. Pse nuk kanë bërë kërkesë? Pse nuk kanë pasur një farë reagimi?”, tha Gjovalin Gruda, profesor i Gjeografisë.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Dhimiter Doka24/11/2018 09:16

Gjeografia IX dhe kritika dashakeqe e një “profesori” dështak Ditët e fundit ka qarkulluar në medien e shkruar një i ashtuquajtur “artikull kritik” rreth teksitit Gjeografia IX, shkruar nga Gjovalin Gruda. Duke u nisur nga titujt bombastik të këtij shkrimi, ne si autorë të tekstit patëm natyrshëm kureshtjen dhe pse jo edhe merakun pët të ditur se ku kishim gabuar kaq shumë, ndonëse kemi një jetë të tërë që merremi me Gjeografinë e Shqipërisë si në universitet, ashtu edhe si autorë tekstesh parauniversitare. Edhe pse artikullshkruesin e njohim prej kohësh vetëm si keqbërës e dështak që gjithë jetën e tij s’ka bërë asgjë me vlerë, po nisur nga cmira e keqe është marrë vetëm me përfoljen e kolegëve të tij me vlerë, përsëri jemi nga ata që i besojmë megjithatë shprehjes se kush punon edhe gabon. Mirpo, sapo filluam të lexojmë artikullin “kritik”, e kuptuam menjëhërë që e gjithë kjo s’kishte të bënte aspak me gabime dhe skandale shkencore, por thjesht me keqdashësinë dhe gjendjen e trishtueshme të profesorit dështak, tashmë në pension, i cili nuk arriti kurrë që të shkruajë qoftë edhe një tekst as për klasat më të ulta të shkollës. Në këto kushte do ishte kohë e humbur për ne dhe gjithë ata që e njohin që të merreshim me një njeri të tillë dhe të ashtuquajturat shkrime të tij. Megjithatë, në respekt të lexuesve të medies së shkruar dhe të mësuesve e nxënësve që nuk e njohin artikullshkruesin, por që përdorin tekstet tona e që prej shumë e shumë vitesh na kanë përgëzuar në të katër anët e vendit, po rendisim më poshtë disa sqarime për të shmangur çdo keqkuptim, pa hyrë dhe pa ju lodhur në cikërima kukuvajkash që merret artikullshkruesi. 1. Lidhur me përmbajtjen dhe strukturën e tekstit, artikullshkruesi nuk ka nga ta dijë se nuk ka shkruar ndonjëherë tekst, por për të gjithë autorët dhe mësuesit është e qartë se teksti hartohet mbi bazën e programit që harton dhe miraton Ministria e Arsimit, të cilit secili autor duhet t’i përmbahet dhe ta respektojë patjetër. Këtë kemi bërë edhe ne me tekstin në fjalë dhe po kështu janë të konceptuar edhe dy tekste të tjera të njëjta të autorëve të tjerë, që janë njëkohësisht në përdorim në shkollë. Do ishte mirë që artikullshkruesi t’i kishte shikuar edhe ato, apo nuk i intereson??? Madje në këtë pikë do t’i sygjeronim artikullshkruasit që si “luftarak” që është t’i japi mend edhe Ministrisë së Arsimit. 2. Artikullshkruasi nuk e njeh aspak kurrikulën shkollore dhe s’ka si ta dijë se si vijnë duke u zgjeruar informacionet nga klasat arsimit 9-vjeçar në atë të mesëm, prandaj edhe bën kot rrëmujë edhe gafa elemntare kur shkruan për raportet midis kapitujve e pjesëve të tyre, apo kur krahason tekste të niveleve të ndryshme. 3. Termat e përdorura në tekst janë konformë përmbajtjesë së mësimeve dhe sipas përdorimit të sotëm në gjeografinë perëndimore, e cila ka kohë që i ka lënë termat e vjetra dhe përdor konceptet e reja, që synojnë të evidentojnë vlerat dhe pasuritë natyrore, të cilat janë më të prekshme dhe më të nevojshme për t’i kuptuar nxënësit. Ndërsa termat pasuri minerare dhe ndërtim gjeologjik nuk japin ndonjë gjë të re në krahasim me termat e përdorura në tekst. Përkundrazi evolucioni i truallit e kufizon këtë evolucion vetëm në këtë truall, duke përjashtuar faktin se njëherazi kanë evoluar dhe ndryshuar klima, hidrografia, bota e gjallë etj. Ndaj është përdorur termi “natyra”, që i përfshin të gjitha këto. Po kështu termat gjeografikë “larmi, peizazh, rajon” janë të njohura nga nxënësit, nga programet e gjeografisë të zhvilluara në klasat paraardhëse. Ato përdoren nga gjeografia moderne shkollore dhe nuk janë të vështira për nxënësit. 4. Në lidhje me konceptin “rajon”, ai është i njohur nga nxënësit jo vetëm nga mësimet e para të këtij teksti, por edhe nga gjeografitë e zhvilluara në klasat paraardhëse. I kujtojmë artikullshkruesit se Gjeografia e Shqipërisë dhe e trevave shqiptare zhvillohet si gjeografi rajonale, njësoj si e zhvillojnë gjeografinë e vendit të tyre të gjitha shtetet e zhvilluara në botë. Në këtë kuadër është më se e kuptueshme përdorimi i termit “rajon”. Kjo, jo thjesht për të familjarizuar nxënësin me këtë termë gjeografik, por edhe për të kuptuar të përbashkëtat dhe ndryshimet midis rajoneve gjeografikë. Me sa duket, këtë risi të gjeografisë së sotme, artikullshkruesi nuk e kupton, sepse është ende me konceptin e gjeografisë së Shqipërisë të para viteve ’90, ku zhvilloheshin të ndara gjeografia fizike nga ajo humane. Moskuptimi i kësaj specifike të veçantë të rajoneve të integruar, e çon Grudën të bëjë një “vërëjtje” absurde mbi ndarjen e vendit tonë në katër rajone gjeografike, të cilët kanë mbi 25 vjet që jepen në të gjitha programet dhe tekstet e gjeografisë të botura në keto vite në vendin tonë. Gjatë gjithë kësaj kohe, nuk ka pasur asnjë kontestim për këto rajone. Kur paprimtas, duke mos u mbështetur në asnjë studim, Gruda kujtohet se këto rajone “janë shtrembërim i rajonizimit fizikogjeografik, i krahinave fizikogjeografike”. Që këtej del qartë edhe qëllimi i mbrapshtë i tij. 5. Vërejtja lidhur me me moshën e truallit të trojeve shqiptare, është një shtrembërim dashkaqes i asaj që thuhet shprehimisht në tekst: gjatë evolucionit gjeologjik, pra këtu është fjala vetëm për këtë evolucion dhe jo për moshën e truallit tonë. Dihet se evolucioni gjeologjik i një territori fillon me kohën e dopozitimit të formacioneve më të vjetra, që gjenden në këtë territor. Në vendin tonë formacionet më të vjetra i takojnë paleozoit, i cili, sipas shumë autorëve, fillon rreth 600 milion vjet më parë, kur, në kushte detare, u depozituan terrigjenët që gjenden kryesisht në zonën tektonike të Korabit. Komentet e tjera të artikullshkruasit për këtë problem, ku vetë ai bie në gabime shkencore, janë vetëm fantazi, që tregojnë qëllimin e mbrapshtë të tij. 6. Lidhur me termin “fushëgropë”, që ai e quan të gabuar, duhet theksuar se ky term ka mbi 35 vjet që përdoret në gjeografinë tonë shkollore e shkencore dhe për të nuk ka asnjë diskutim shkencor për ta zëvëndësuar. Ai shpreh qartë dhe saktë morfologjinë e relievit, “një fushë krejt e rrafshtë e rrethuar me male”. Kjo e dallon fushëgropën e Korçës, nga fusha e Myzeqesë apo nga gropat e tjera (Kolonjës, Tropojës etj), fundi i të cilave është i copëtuar nga rrjeti hidrografik, që i përshkon. 7. Është e çudiçme dhe tërrësisht e gabuar vërejtja që kërkon të trajtohen brigjet detare si hidrografi. Dihet se plazhet apo falezat në këto brigje janë forma relievi dhe trajtohen në tipin e relievit bregdetar. E habitshme, si mund të gabojë “profesori” i gjeomorfologjisë për këto koncepte elementare. Për nivelin e nxënësve janë më se mjaftueshme informacionet e dhëna për pasuritë ujore, të vlefshme për të dy detet. Për më tepër nxënësi e siguron vetë informacionin. 8. Shifra prej 40 km2, i takon vetëm liqeneve artificialë të krijuara për ujitje, ndërsa sipërfaqia e liqeneve për hidroenergji është shumë më e madhe. Ndërsa sipërfaqia e lagunës së Nartës është dhënë sipas monografisë Gjeografia fizike e Shqipërisë, botimi i Akademisë së Shkencave (1990). 9. Vërejtja “skandal” mbi vendbashkimin e të Osumit me Devollit “në dalje të Beratit” është e shtrembëruar me qëllim pasi në tekst thuhet ..“në afërsi të Beratit”. Ky pohim synon ta lehtësojë mësimin nga emrat e vendeve të panjohura. 10. Lidhur me statistikat në mësimet rreth popullsisë dhe ekonomisë së Shqipërisë autorët i janë përmbajtur strikt vetëm burimeve zyrtare. N.q.s artikullshkruesi nuk e di, rregjistrimi i fundit i popullsisë është bërë në vitin 2011 dhe të dhënat e tij vlejnë zyrtarisht për treguesit e përgjthshëm demografikë deri në rregjistrimin e ardhshëm, kur do të rishikohen edhe në tekst. Gëzohem që artikullshkruesi paska mësur kohët e fundit italisht dhe shfrytëzoga De Agostini. 11. Artikullshkruesi bën plot formulime të përgjithshme, të pa adresuara dhe të thëna pa asnjë përgjegjesi intelektuale dhe shkencore etj. Janë të shumta përcaktimet kategorike dhe të papërgjegjëshme, si: “të befasojnë mangësitë e pasaktësitë shkencore të shumta”, gabime skandaloze etj, tekst kaq problematik dhe çorientues në procesin e edukimit të dhjetëra mijëra nxënësve në shkencën e gjeografisë”, ku në fakt asnjëra prej tyre nuk qëndron. Madje dashkeqsia e tij arrin kulmin sa merr përsipër që ti jap mend Ministrisë së Arsimit që të heqë tekstin nga qarkullimi... Në mbyllje të këtij shkrimi do të theksonim se është vërtetë fatkeqësi që ekzistojnë akoma të ashtuquqjtur “profesorë” të tillë, pa anjë kontribut, por që i kanë marrë titujt akademikë me gënjeshtra dhe sot, kur koha i ka nxjerrë jashtë mode, ndotin mjedisin shkollor dhe mediatik. Janë pikërisht këta që i bëjnë studentët dhe në përgjithësi rininë pesimist për të qëndruar në këtë vend.

Shto koment

Denonco