VIDEO/ Prifti: Yuri Kim e konsideroi sukses arrestimin tim. Duhej të më bënin pis që të mos besohej e vërteta

21:03, 27/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kirurgu kardiak Edvin Prifti flet për përballjen e tij me akuzat për korrupsion, për mënyrën sesi është trajtuar publikisht çështja ndaj tij dhe për ndikimin që, sipas tij, kanë pasur sulmet ndaj figurës së tij profesionale.

Në bisedën me gazetarin Çim Peka në SYRI TV, Prifti ndalet te dallimi mes akuzës publike dhe së vërtetës gjyqësore, duke argumentuar se në histori shpesh personazhe të njohura janë goditur përmes cenimit të reputacionit. Ai sjell si shembull raste politike ndërkombëtare dhe shprehet se mënyra më e zakonshme për të dobësuar besueshmërinë e një personi është dëmtimi i figurës së tij publike.

Intervista prek gjithashtu arrestimin e tij në vitin 2021, reagimet publike ndaj çështjes dhe pyetjet e ngritura prej tij mbi mënyrën sesi u trajtua rasti i një mjeku me karrierë ndërkombëtare.

Pjesë nga intervista:

Çim Peka: ... Doktor Prifti, dikush mund të na thoshte, dakord, është shkencëtar, është kirurgu që bota e ka me gishta, është shqiptari me të cilin krenohemi, por SPAK-u s'e ka akuzuar për paaftësi profesionale. E ka akuzuar për korrupsion. Çfarë do të thoshte Edvin Prifti këtyre zërave?

Edvin Prifti: Tani sigurisht, në qoftë se mbajmë vetëm atë aparencën e gjërave dhe tendenca e njerëzve është të mos i hyjnë problemit në thellësi, e para, dhe e dyta, veçanërisht ne shqiptarët kemi një problem shumë të madh që jemi një popull pa memorie.

Çim Peka: Kjo është e vërtetë.

Edvin Prifti: Dhe është një shprehje e një filozofi të famshëm që popujt pa memorie mbase nuk e meritojnë lirinë e tyre. Gjithsesi, në rastin tim, çështja korrupsioni, hajduti, një problem seksual e të tjerë e të tjerë... shikoni, e vërteta luftohet vetëm në dy mënyra dhe kjo është historia e njerëzimit. Jo 50 vitet e fundit apo 70 vitet e fundit, por është historia e njerëzimit që në antikitet, që në Greqinë e lashtë, që në Romën e lashtë. Dhe e vërteta mund të vritet në dy mënyra: kur ajo nuk është thënë, atëherë duhet vrarë ai që e thotë, duhet eliminuar fizikisht ai që e thotë. Sigurisht, ka një kosto shumë të lartë kjo gjë. Ndërkohë që e vërteta e thënë duhet që të bëhet të mos besohet. Dhe që ajo të mos besohet, duhet bërë pis ai që e thotë atë të vërtetën. Dhe si bëhen pis të vërtetat? Kur dikush i thua ke vjedhur, korrupsion, një montaturë e një skene seksuale, një intrigë diku gjetiu. Dhe kjo është historia e njerëzimit, nuk është se... është gjëja më e thjeshtë dhe më rutinare e këtyre organizmave që merren me përzgjedhjen e këtyre problemeve. Pra, të vërtetën duhet ta bësh që ajo të mos besohet, dhe që ajo të mos besohet duhet ta bësh pis, dhe që ta bësh pis duhet t'i thuash që ky njeri është një njeri problematik për juve. Ju kujtoj vetëm një shembull. Kryeministri më i suksesshëm i Italisë, Bettino Craxi, i cili arriti dhe e zhvilloi Italinë edhe më shumë se Britania e Madhe, përfundoi një njeri me këtë... me këtë nofkë.

Çim Peka: Dhe vdiq me këtë nofkë.

Edvin Prifti: Dhe vdiq me këtë nofkë. Pavarësisht se sot eshtrat i janë rikthyer në Itali dhe i është bërë një mauzoleum në...

Çim Peka: Por ai zgjodhi të ikte, ju qëndruat.

Edvin Prifti: Por, e para ai qëndroi aq sa tha dhe në fund fare mbas gjithë atyre peripecive nuk u vërtetua fare që ai ishte njeri i korruptuar. Nuk ka asnjë lloj dokumenti apo nuk ka asnjë lloj të dhëne. E vetmja gjë që ai kishte bërë, dhe që ai e kishte pranuar që në fillim kur ishte në Itali, ishte që ai kishte pranuar financime të parregullta për partinë e tij, por jo për të individualisht. E pra, që ky njeri të bëhej i pakëndshëm, i pavotueshëm për italianët e thjeshtë, u bë pis dhe ashtu u veprua. Tani unë nuk marr...

Çim Peka: Çfarë të vërtete thatë ju që e tundoi kaq shumë SPAK-un? T'ju bashkonte sipas atyre çfarë kam lexuar, me 22 të tjerë, 14 të vdekur dhe 8 të arrestuar.

Edvin Prifti: Nuk besoj se SPAK-u u tundua për këtë. Është tunduar dikush tjetër.

Çim Peka: Kush për shembull? Kush e urdhëroi SPAK-un sipas jush?

Edvin Prifti: Unë nuk kam... unë po ta kisha këtë të dhënë do ta kisha bërë publike. Por, hamendësimet janë publike. Janë... i ka dëgjuar gjithë populli, prandaj thashë nuk kanë memorie. Nuk kanë memorie. Në 16 prill të vitit 2021, afërsisht dy muaj mbasi isha arrestuar unë, në një intervistë ekskluzive tek emisioni Opinion të Blendi Fevziut, ambasadorja amerikane, ish-ambasadorja amerikane e asaj kohe, Yuri Kim, tha që suksesi më i madh i SPAK-ut ishte arrestimi i doktorit. Tani, një njeri me një logjikë minimale do bënte vetëm një pyetje: si është e mundur që ambasadori i shtetit më të madh do e kishte në memorie, ndër mend, një doktor? S'duhet të ishte në memorien e saj ai njeri e gjetiu. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco