Lajmi i fundit

LIVE/ Revolta kundër kryeministrit Edi Rama në ditën e 57, qytetarët sërish në tubim

'Mjaft e zvarritët popullin'/ Aktivistja: Shqipëria nuk mund të shitet, hiqni duart nga Konispoli dhe Delvina

20:18, 26/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në protestën e 57-të qytetare para Kryeministrisë, aktivistja Etleva Merko kritikoi qeverinë për mungesën e shërbimeve publike dhe vendimet për reformën territoriale.

Merko solli në vëmendje edhe zjarrin në Pyllin e Sodës në Zvërnec, duke akuzuar kryeministrin se reagoi në rrjetet sociale për flamingot, por jo për situatën me zjarret.

Sipas saj, qytetarët paguajnë taksa, por nuk marrin shërbime cilësore në shëndetësi, arsim dhe transport. Ajo kundërshtoi edhe ndryshimet territoriale, duke deklaruar se heqja e bashkive të Konispolit dhe Delvinës cenon historinë dhe identitetin e këtyre zonave.

“Qeveria nuk po ndjek interesat e popullit, por interesat personale”, tha Merko, duke kërkuar që qytetarët të dëgjohen dhe duke bërë thirrje: “Hiqni duart nga Konispoli, Delvina dhe e gjithë Shqipëria”.

Aktivistja:

E di që ky është bërë tashmë sheshi i halleve. Unë dua të përmend që para dy orësh, ndërkohë që po digjej pylli i Sodës në Zvërnec, kryeministri doli përsëri në rrjetet e tij sociale. Po këtë herë nuk foli për pyllin e Sodës që po digjej, por po fliste përsëri për korbat, flamingot, që ishin këtu... brenda rrethimit të kryeministrisë. Jo, këtu ne nuk jemi korbat, jo. Korbat jeni ju, që jeni mbyllur brenda kryeministrisë. Ne jemi shqiptarët që kemi dalë për taksat tona, sepse ne paguajmë taksa dhe nuk marrim shërbime. Ne nuk kemi shërbime në shëndetësi, nuk marrim cilësi në arsim, nuk marrim shërbime në transportin publik.

Dhe më e keqja akoma, nisur me ndarjen e re territoriale... cila ajo ndarja e 2014-ës, Reforma e Re Territoriale ndikon drejtpërdrejt në përkeqësimin e shërbimeve për qytetarët dhe në centralizimin e pushtetit lokal. Zhdukja e bashkive të Konispolit dhe Delvinës është një atentat ndaj historisë së vendit. Përse Konispoli? Si mund të fshihet apo të harrohet historia e Çamërisë? Përse Delvina? Si mund të harrohet qyteti i kryeministrit Sulejman Bej Delvina, një prej figurave më të rëndësishme të shtetformimit shqiptar? A po mbron shteti shqiptar interesat e qytetarëve të tij? Apo është dorëzuar përballë agjendave të caktuara? A është kjo një Shqipëri sovrane?

Jo, nuk është. Qeveria nuk po ndjek interesat e popullit, por po ndjek interesat personale. Pushteti absolut e ka bërë arrogante, të shkëputur nga qytetarët dhe të paaftë për të dëgjuar zërin e tyre. Ajo nuk sheh dhe nuk dëgjon protestuesit që çdo ditë mbushin sheshin për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Boll e shitët Shqipërinë! Mjaft i zvarritët shqiptarët! Hiqni duart nga Konispoli, Delvina dhe e gjithë Shqipëria!

Historia, identiteti dhe kujtesa e Çamërisë nuk mund të fshihen për interesa politike. Po ashtu, nuk mund të zbehet roli historik i Delvinës në shtetformimin e kontributin shqiptar. Populli ka të drejtë të kërkojë llogari nga qeveria dhe të mbrojë me mjete paqësore dhe demokratike interesin kombëtar. Shqipëria u përket shqiptarëve! Faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco