Gazeta më e madhe e Sllovenisë, Delo, i ka kushtuar një analizë të zgjeruar asaj që e cilëson si degradim të demokracisë në Shqipëri dhe rolit që kryeministri Edi Rama ka pasur në këtë proces. Për të ilustruar këtë zhvillim, gazeta i referohet analistit Fatos Lubonjës, të cilin e përshkruan si “një ish-të burgosur politik të regjimit komunist, që di të njohë një autokrat kur e sheh”.
Artikulli ndalet veçanërisht te pesha e sektorit të ndërtimit në ekonominë shqiptare dhe dyshimet për lidhjen e tij me pastrimin e parave. Duke iu referuar të dhënave të Eurostat për vitin 2024, Delo thekson se ndërtimi përbënte 13.8% të vlerës bruto të shtuar të Shqipërisë, niveli më i lartë në Europë dhe më shumë se dyfishi i mesatares së Bashkimit Europian, prej 5.5%.
Në analizë zë vend të rëndësishëm edhe qëndrimi i institucioneve europiane, të cilat, sipas autorit, kanë paraqitur Shqipërinë si një histori suksesi, pavarësisht problemeve demokratike. Shkrimi mban titullin “Revolucioni i Flamingove po rrëzon imazhin e progresit të një vendi proeuropian” dhe përfshin gjerësisht qëndrimet e Lubonjës, i cili kritikon ashpër edhe rolin e komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Artikulli:
Ne i kërkuam Fatos Lubonjës, shkrimtar, redaktor, aktivist i të drejtave të njeriut dhe ish-i burgosur politik se cilët janë mesazhet kryesore që Europa duhet të marrë nga protestat masive. Ai shpjegoi se këto protesta janë një revoltë e njerëzve që sistemi grabitqar politik dhe ekonomik i ndërtuar në Shqipëri gjatë 35 viteve të fundit i ka çuar ata në ekstremin ku nuk mban më.
“Një sistem që, duke i përjashtuar ata nga vendimmarrja demokratike – veçanërisht gjatë dy dekadave të fundit – dhe duke i privuar nga prona e tyre publike dhe private, i ka çuar deri në pikën e mbetjes pa dinjitet dhe pa të ardhme. Ata e quajnë protestën 'revolucioni i flamingove' sepse, ashtu si flamingot, edhe ata ndihen të dëbuar nga habitati i tyre nga ky lloj zhvillimi që privatizon burimet publike, pejsazhet, bregun detar, parqet, kopshtet e lojërave për fëmijë e kështu me radhë,” shpjegon Lubonja.
“Mesazhi që 'flamingot' po i dërgojnë BE-së është se rruga e Shqipërisë drejt BE-së prej kohësh ecën në dy shina: njëra në letër dhe tjetra në realitet, dhe se hendeku mes tyre nuk është ngushtuar (siç pretendojnë apo promovojnë shumë syresh), por është zgjeruar. Slogane si 'Shqipëria e Re' dhe 'Shqipëria nuk është në shitje' janë dëshmi e kësaj.”
Pa mbështetjen e Perëndimit, Rama do të ishte rrëzuar tashmë
Qeveria e Kryeministrit Rama është dukur vazhdimisht e fortë dhe bindëse në përpjekjet e saj për të çuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Së bashku me Malin e Zi, ky vend konsiderohet nxënësi më i përkushtuar i Evropës dhe se ka bërë përparimin më të madh drejt anëtarësimit në BE nga të gjitha vendet kandidate ballkanike. Por çfarë fshihet pas kësaj pamjeje, që në një vështrim të parë duket rozë?
Lubonja përshkruan katër shtylla mbi të cilat qëndron pushteti i Ramës: e para fuqia dhe paratë e oligarkëve, e dyta, krimi i organizuar; e treta mediat kryesore, të cilat ose zotërohen prej oligarkëve ose mbështeten nga anëtarë të elitave qeverisëse (prandaj një nga sloganet e protestës është 'bojkotoni mediat'); ndërsa shtylla e katërt është mbështetja e institucioneve të BE-së dhe e disa udhëheqësve perëndimorë. Ndërsa tre shtyllat e para janë të kuptueshme, e katërta duket paradoksale në Shqipëri.
“Shqiptarët vazhdojnë të pyesin veten: pse, pavarësisht të gjitha këtyre protestave, Perëndimi nuk e sheh – ose refuzon ta shohë – se Shqipëria është bërë një narkoshtet? Pse heshtin ata, ose pse disa, si Emmanuel Macron apo Marta Kos, e mbështesin Ramën? Ka disa arsye. Të parën, dhe më kryesoren, do të përmendja mendësinë neo-koloniale me të cilën trajtohen vende si Shqipëria ku u jepet përparësi interesave gjeostrategjike dhe ekonomike, si dhe stabilitetit të rajonit”. "Kjo mendësi bën që udhëheqës autokratë si Rama të shihen si rruga më e lehtë dhe më e shpejtë për të realizuar këto interesa", thotë Lubonja.
Ai thekson, megjithatë, se nuk e përjashton “aftësinë” e këtyre autokratëve për të korruptuar edhe politikanë të shquar perëndimorë. 'Fakti që, mu në mes të Revolucionit Flamingo, Emmanuel Macron hëngri drekë me Ramën në Paris dhe doli më pas krah për krah me të, dhe se François Hollande, anëtar i Parlamentit dhe ish-president, pranoi një çmim nga duart e tij, i kujtoi shqiptarëve ministren e Jashtme franceze Michèle Alliot-Marie, e cila në vitin 2011 i ofroi Ben Aliut, në Tunizi knoë hoë (ekspertizë) për rivendosjen e rendit. “Siç rezultoi më vonë, një nga arsyet e kësaj ishte korrupsioni”, thekson i intervistuari ynë.
Pse nuk flitet më në BE për korrupsionin në Shqipëri?
Korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë qenë çështje kyçe në vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor në BE, por duket se këto tema kohët e fundit kanë zhdukur nga diskutimet e BE-së për Shqipërinë. Megjithatë, sipas ish-disidentit shqiptar, kërcënimi që paraqesin korrupsioni dhe krimi është shumëdimensional: politik, ekonomik, social dhe kulturor.
“Krimi dhe korrupsioni ushqehejnë njëri-tjetri, duke u bërë kështu një kërcënim serioz për demokracinë. Krimi nuk mund të lulëzojë dhe të investojë pa bashkëpunimin me policinë dhe politikanët e korruptuar që miratojnë investime të tilla; nga ana tjetër, këta politikanë nuk mund të qëndrojnë në pushtet pa paratë që burojnë prej tij. Ata i përdorin ato jo vetëm për t'u pasuruar vetë, por edhe për të ruajtur kontrollin mbi mediat, zgjedhjet, shoqërinë civile…"
“Nga pikpamja ekonomike, pastrimi i parave përmes ndërtimit të resorteve dhe qiellgërvishtësve gjithnjë e më të shumta – që shqiptarët i quajnë edhe 'banka betoni' – është antiteza e një ekonomie të qëndrueshme. Për momentin duket sikur po rrisin PBB-në, po mundësojnë qarkullimin e parave dhe po krijojnë vende pune, por në terma afatgjata po krijojnë një flluskë të madhe plasja e së cilës një ditë mund të shkaktojë një krizë me pasoja të paparashikueshme”, paralajmëron Fatos Lubonja.
Sipas tij, mjafton të hedhësh një sy mbi ndikimin e industrisë së ndërtimit në jetën sociale dhe kulturore si dhe në cilësinë e jetës për të kuptuar se 'bankat e betonit' janë e kundërta e një ekonomie të qëndrueshme. Në këtë drejtim, ai e gjen shumë domethënës edhe faktin që, sipas statistikave, gjatë dhjetë viteve të fundit – pra, pikërisht gjatë bumit të ekonomisë së ndërtimit – gati një milion njerëz (nga një popullsi prej tre milionësh) kanë lënë Shqipërinë, apo që numri i nxënësve të shkollës fillore është ulur me një të tretën, ndërsa numri i nxënësve të shkollës së mesme është përgjysmuar.
Kjo është edhe një arsye tjetër pse Lubonjën e shqetëson fakti që Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, sllovenja Marta Kos, ka qëndruar e shurdhët ndaj problemeve të shumta që ka ngritur masa e pjesëmarrësve në 'Revolucionin Flamingo' për gati dy muaj: "Marta Kos, me deklaratat e saj të rregullta për përparimin në Shqipëri, konsiderohet nga protestuesit si një mbështetëse e verbër e Ramës. Nuk mund të them saktësisht se në çfarë mase kjo verbëri buron nga politikat e BE-së, që synon ta fusë Shqipërinë në BE për arsyet që përmenda më sipër, duke mbyllur sytë ndaj çka po ndodh në të vërtetë, dhe sa lidhet me aftësinë e Ramës për të krijuar lidhje personale me burokratë perëndimorë me ndikim për të forcuar legjitimitetin e tij në Evropë," thotë Lubonja.
Ai më tej nënvizon kritikën e tij ndaj punës së Komisioneres: "Pa dyshim, si Komisionere për Zgjerimin, ajo duhet të kritikohet sepse nuk ka bërë asnjë përpjekje për të marrë parasysh jo vetëm pikëpamjet e Ramës dhe burokratëve përreth tij, por edhe pikëpamjet e shqiptarëve që po kërkojnë një ``Shqipëri të re".
Ekuilibri delikat midis ambicieve evropiane dhe marrëdhënieve me fqinjët
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën gjithmonë kanë qenë me rëndësi të madhe, mjaft të kesh parasysh se imagjinata kolektive në të dyja anët e kufirit ende dominohet nga ideja nacionaliste se të dy vendet një ditë do të bashkohen. Kjo ide, megjithatë, nuk përmendet në programet e partive politike dhe në deklaratat publike, pasi bie në kundërshtim me pozicionet dhe politikat e BE-së.
Megjithatë, nuk është e vështirë të shihet se kjo ide është shumë e gjallë në rrugët e qyteteve të Kosovës, të cilat janë të mbushura me flamuj shqiptarë, ose në librat e historisë dhe botime të tjera në Kosovë, ku nuk është e vështirë të gjesh hartat e një 'Shqipërie të Madhe'. Lubonja mendon se ëndrra e bashkimit artikulohet politikisht në një mënyrë më të pranueshme përmes sloganit 'Të bashkuar në Evropë'.
Në këtë kuptim, ai argumenton se është shumë i rëndësishëm për këtë rajon projekti i bashkimit në një Evropë që njerëzit ta ndjejnë si të tyren, dhe jo në një Evropë të karakterizuar nga mendësi neo-koloniale apo një Evropë e bankave. Përndryshe, nacionalizmat do të mbizotërojnë në Evropë dhe në Ballkan me pasoja të paparashikueshme.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë në të kaluarën janë formësuar nga marrëdhënia personale midis Ramës dhe presidentit serb, Aleksandar Vučić. Fatos Lubonja thekson se Rama dhe Vučić janë të ngjashëm në mendësinë e tyre autoritare dhe praktikat e qeverisjes.
"Një pjesë e këtyre praktikave përfshin përdorimin e një gjuhe të dyfishtë: një për BE-në dhe një për audiencën e brendshme. Në dukje, kur kërkojnë mbështetje nga BE-ja, ata paraqiten si kundërshtarë të nacionalistëve në vendet e tyre. Ndërkohë, në vendet e tyre, nuk hezitojnë të përdorin retorika dhe politika nacionaliste. Kështu, për shembull, ishte mbështetja e tyre për idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës (aneksimi i një pjese të veriut të Kosovës nga Serbia dhe i një pjese të vogël të Serbisë nga Kosova), gjë që do të çonte në krijimin e dy shteteve etnikisht homogjene", thotë i intervistuari ynë.
Kjo lojë e dyfishtë u ka sjellë atyre përfitime deri tani, pjesërisht edhe për shkak të ambivalencës së vendeve të BE-së ndaj projektit evropian nga njëra anë dhe interesave kombëtare nga ana tjetër. "Siç e përmenda më sipër, udhëheqësit e BE-së i shohin autokratë si Rama dhe Vučić si rrugën më të lehtë për të siguruar interesat gjeostrategjike dhe ekonomike të vendeve të tyre. Prandaj Edi Rama, i cili beson se edhe mediat evropiane i lanë studentët serbë në mëshirën e fatit për një vit e gjysmë, kur komenton protestat në Shqipëri thotë shpesh se Shqipëria u gjend në faqet e para të mediave perëndimore, jo për shkak të shqiptarëve, por për shkak të Kushnerit dhe Ivankës. Përndryshe, projekti do të kishte vazhduar pa tërhequr vëmendjen e mediave perëndimore. Fatkeqësisht, kjo është e vërtetë. Dhe meqë më pyetët për Marta Kos, do të shtoja se edhe burokratët e Brukselit mbajnë një përgjegjësi të madhe për guximin e këtij autokrati për t'u shprehur në këtë mënyrë kaq hapur", thotë me ashpërsi Fatos Lubonja./ Slovenia Delo/
© SYRI.net