Diplomati Agim Nesho deklaroi se kryeministri Edi Rama ndodhet në “agoninë e fundit politike”, duke argumentuar se protestat qytetare tregojnë se ai ka humbur kontratën me shqiptarët.
I ftuar në edicionin e lajmeve të orës 16:00 në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca, Nesho tha se në demokracitë perëndimore dalja e popullit në rrugë kërkon një legjitimim të ri të pushtetit.
Ai akuzoi Ramën se nuk ka mbajtur premtimet ndaj qytetarëve, duke e lidhur qeverisjen e tij me emigrimin masiv, dështimet në arsim dhe politikat që, sipas tij, kanë dëmtuar interesat e vendit.
Nesho u shpreh gjithashtu se fjalimi i fundit i kryeministrit ishte një mesazh i drejtuar më shumë komunitetit ndërkombëtar sesa shqiptarëve, ndërsa shtoi se Partia Socialiste është kthyer në një forcë ku askush nuk guxon të kundërshtojë liderin e saj. Sipas tij, problemi kryesor i Shqipërisë mbetet përqendrimi i pushtetit në duart e një lideri që, sipas Neshos, është shndërruar në autokrat.
Nesho:
Në fakt, këto janë përpëlitjet e fundit në agoninë e tij të zotit Rama. Dihet që pushteti i tij dhe kontrata me shqiptarët ka përfunduar plotësisht. Justifikimi i tij që kontratën unë e kam me 800 mijë, nuk shkon, nuk është e arsyeshme, sidomos në demokracitë perëndimore që kur populli del në rrugë, atëherë çdo kontratë kërkon një legjitimim të ri. Dhe këtu duhet të japim edhe shembuj, për ta bërë më të prekshme. Edhe me rastin e partnerit më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç ka qenë Marcosi i Filipineve në vitet 60, që u gjet një zgjidhje dhe një partner i qëndrueshëm në luftën kundër anti-komunizmit dhe për të bërë një qëndresë të fortë në Azinë e Largët ndaj gjithë forcave komuniste duke përfshirë edhe Kinën. U justifikuan zgjedhjet e '64-ës, '69-ës, u dhanë fonde të jashtëzakonshme për infrastrukturë për të krijuar një mobilitet të shoqërisë në Filipine. Por që me daljen e popullit në rrugë pas atentatit ndaj një nga liderave të opozitës, Marcosi dhe përkrahja amerikane mbaroi. Dhe kjo është një aksiomë e pashkruar, kur dihet që fundi i tij përfundoi me një aeroplan që e çuan në ishujt Havai dhe pas tre-katër viteve vetë Amerika deklaroi që 35 miliardë të fshehura në bankat e Zvicrës do t'i ktheheshin popullit filipinas. Ky është fundi i çdo diktatori, ky do të jetë edhe fundi i zotit Rama, për arsye sepse vazhdon të luajë me interesat dhe të ardhmen e popullit shqiptar. Është besëprerë, zoti Paruca, për arsye se nuk ka mbajtur asnjë kontratë me shqiptarët.
Ka gënjyer duke thënë që unë bashkëqeveris, në stilin e Maduros, duke thënë që është njeriu që zgjidh problemet me popullin, krijoi të ashtuquajturin komunitet në kryeministri që merrej me sondazhe, me anketa mbarë popullore dhe çfarë bëri? Justifikoi të gjitha agjendat antikombëtare të popullit shqiptar si Ballkani i Hapur, për të bërë të mundur martesën e interesave dhe rritjen e dominimit serb në gjithë Ballkanin. Apo kërkoi duke thënë që 65% e shqiptarëve kërkojnë amnistinë fiskale për të justifikuar në një farë mënyre atë proces që kishte ndodhur tashmë në qeverinë shqiptare: bashkëpunimin me krimin e organizuar, futjen e mafies dhe interesave të saj në ekonominë shqiptare informale dhe pastrimin e parave. Pra, gjithmonë Rama ka bërë të kundërtën e çfarë i ka premtuar ose i ka dhënë besë popullit të tij. I ka thënë shqiptarëve do t'ju jap mirëqenie, po ka detyruar 1 milion shqiptarë ku përfshihen jo vetëm njerëzit pa asnjë shans ose që e shikonin perëndimin si një mundësi, po dhe klasën e mesme të ikte në mënyrë të dëshpëruar dhe pashpresë nga Shqipëria, sepse me dëshirën dhe perversitetin e një lideri intrigant u zgërdheshte duke thënë që le të ikin shqiptarët sepse unë i zëvendësoj me afrikanë e bangladeshas, e ata derisa të mësojnë shqip...
Për arsye sepse ky kishte planin e tij, një plan të errët kundër Shqipërisë, të kthehet Shqipëria në një monokulturë vetëm në industrinë e turizmit, kur ky do të ishte master puppeti i cili do të luante bashkë me autokratët e tjerë për të ndarë përfitimet dhe për të zotëruar interesat që do të vinin nga ky projekt. Nuk ju dha asnjë mundësi, nuk solli teknologji të re për të rinjtë, krijoi një nivel arsimor dëshpërimisht që nuk ishte parë as në sistemet e kaluara diktatoriale, përkundrazi e ktheu analfabetizmin e Shqipërisë në 75%. Pra një forcë regresive që vetëm premtonte, vetëm kërkonte të kalonte krizat e tij duke u premtuar shqiptarëve, duke i gënjyer. Pra në përfundim të pyetjes tuaj mendoj që zoti Paruca që edhe çështja e besës ka dy elementë kryesorë. Për mendimin tim Rama kërkon kohë, dhe e dyta mesazhi i për besën dhe fjalimi që mbajti para grupit parlamentar dhe ministrave të tij ishte një fjalim që i drejtohej më tepër komunitetit ndërkombëtar, qendrave të vendimmarrjes, të cilët duhet thënë për hir të faktit nuk kanë ndonjë interes të jashtëzakonshëm se çfarë ndodh në Shqipëri, por e shikojnë këtë proces, sidomos goditjen nga ana e policisë të protestuesve paqësorë si diçka tepër shqetësuese që po minon stabilitetin e një vendi dhe kërkohet një ndërhyrje në këtë rast. Pra po të shikosh fjalimin e Ramës, ka ikur nga fjalimi tradicional kur ndihej i sigurt, kur përmendte Kiço Blushin bashkë me Shekspirin për të bërë humor në parlament, por tashmë e kishin përgatitur me kuota nga Tokëvili, i cili duhet thënë që është bibla për demokracinë sidomos për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pra mesazhi i tij është për ata, për t'u thënë që më lejoni, më toleroni. Këtu kemi të bëjmë ashtu siç e kishte përgatitur të gjithë ambientin ndërkombëtar në takimet që bënte me OJQ-në, me talebanët e Evropës, një popull primitiv. Prandaj unë po ju drejtohem me kodet morale të të shkuarës, kur dihet që populli shqiptar është një nga popujt më inteligjentë, më të zgjuar dhe atë që po shikojmë sot në demonstrimet paqësore në sheshet kryesore të Shqipërisë dhe të Tiranës, po shikojmë një ndërgjegjësim të një populli i cili kërkon të marrë fatet në dorë nga një regjim surrogato i cili ka përfituar dhe vjedhur shqiptarët.
Për një gjë të jemi të bindur zoti Paruca se në Partinë Socialiste, prepotencën dhe arrogancën e një lideri që nuk është parë, sidomos me njerëzit me ekuilibra të theksuara, mendoj që bazohet në vetëkënaqësinë e tij, sigurisht që nuk e pëlqen njeri. E ndoshta e urrejnë, ndoshta nuk e duan, por mos prisni asgjë nga ajo parti e cila ka mbetur dhe është përzgjedhur kohët e fundit nga zoti Rama.
Liderë të tillë si Spiropali, ose ndonjë tjetër që janë në parti, ose dhe Bushati, të cilët nuk arrijnë të artikulojnë direkt kundër liderit të tyre, që është thelbi i problematikës që ka kapur Partinë Socialiste, sepse në një farë mënyre kemi një individ që ka kapur jo vetëm shtetin shqiptar, që ka kryer një regjim kryeministror, por edhe Partinë Socialiste e ka kthyer në jo ekzistente. Deri tani ata njerëz kanë pranuar kompromisin që të buburojnë për ato që Rama ju ka lejuar ose në një farë mënyre i ka kompromentuar. Prandaj një pjesë e tyre, në heshtje, kërkojnë edhe që të dalin sa më shpejt nga skena për arsye sepse nuk e pranojnë një figurë të tillë.
Por sigurisht kjo ka kosto, sepse Rama është personi, siç e evidentoi edhe sot, që unë i di edhe personat të cilët nuk më kanë votuar. Kjo është një çmenduri. Vetëm një shtet policor mund të thotë që individët që demonstrojnë në mënyrë kushtetuese në rrugët e vendit, domethënë të njihen nga kryeministri se çfarë përfaqësojnë dhe kujt ia kanë dhënë votën. Kjo tregon që regjimi i tij kriminal i patronazhistëve funksionon gjithmonë edhe më egër.
Prandaj, për ta mbyllur kapitullin, unë mendoj që zëri më i sinqertë dhe më i fortë, por nuk e di se sa fuqi ka mbetur tashmë në një Parti Socialiste të krejtësisht të transformuar, është vetëm zëri i zotit Malaj, i cili është larguar për një kohë të gjatë nga kjo parti. E ka kundërshtuar Ramën që në fillimet e tij, përmban atë që janë senatorët e vjetër të Partisë Socialiste, por kjo nuk mjafton për arsye sepse nuk po shikojmë ndonjë përkrahje e cila mund të evidentohet.
Për të tjerët mendoj që ose janë variante të amplifikuara për t'u përdorur në një kohë të dytë nga zoti Rama, në qoftë se e shikon që nuk ka asnjë mundësi dhe do të sakrifikojë pushtetin e tij me alternativa për t'i kontrolluar ekzistencën, më kuptoni, të tij në të ardhmen, për të patur një valvul sigurie në një pushtet që do të jetë një pushtet tranzitor, ose pastaj luajnë për interesat e tyre të vogla. Pa paragjykime, le të besojmë që këto zëra do të sjellin ndryshim, por është vetëm një gjë që është kryesore që i dallon, që janë të sinqertë përpara zhvillimeve demokratike të vendit, që nuk guxon asnjë njeri të preki liderin e tyre. Dhe problemi në Shqipëri është problemi i liderit, i një lideri që ka marrë pushtetin në mënyrë demokratike dhe është kthyer në një autokrat, në një diktator që po i largon Shqipërinë nga rruga e saj perëndimore.
© SYRI.net