Rama po kap pushtetin vendor, Bardeli: Janë shkelur rekomandimet e BE, alarm për demokracinë shqiptare…

08:50, 24/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një klimë të tensionuar politike dhe mes protestash qytetare, seanca e fundit plenare e Kuvendit të Shqipërisë ka nxjerrë në pah një lëvizje të paprecedentë të maxhorancës. Përmes një urgjence të dyshimtë, kryeministri Edi Rama ka futur në axhendë reformën territoriale, një hap që sipas opozitës synon kapjen e plotë të pushtetit dhe manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme.

Deputetja e opozitës, Greta Bardeli gjatë një interviste në “Kafe Shqeto” në Syri tv, ka lëshuar akuza të forta gjatë një reagimi publik, duke theksuar se ky nxitim bëhet në mungesë të plotë të transparencës dhe konsensusit politik, duke shkelur hapur rekomandimet e Bashkimit Europian. Ky veprim vlerësohet si një përsëritje e skenarit të vitit 2014, ku zëri ndryshe u përjashtua plotësisht nga procesi vendimmarrës.

Skandali thellohet edhe më tej pas bllokimit të fjalës së përfaqësuesve të opozitës në parlament. Zoti Boçi, në rolin e bashkëdrejtuesit të kësaj reforme, nuk u lejua të fliste për procedurat. Kjo shmangie e ekspertëve, qytetarëve dhe palëve të tjera politike ngre pikëpyetje të mëdha mbi qëllimin e vërtetë të kësaj nisme. Zërat opozitarë paralajmërojnë se kjo nuk është një reformë për mirëqenien e qytetarëve, por një alarm i vërtetë për të ardhmen e demokracisë shqiptare, pasi synon mbajtjen e pakufizuar të pushtetit nga një individ i vetëm.

Flavio Qarri: Zonja Bardeli, çfarë ndodhi në seancën plenare të ditës së djeshme? Si do e përshkruani?

Greta Bardeli: Të lutem të bëj një koment në lidhje edhe me protestën e djeshme. Patjetër, personalisht kam qenë në protestë ditën e parë bashkë me disa nga kolegët e mi të parlamentit. Dënoj me forcë çdo akt dhune që përdoret ndaj çdo protestuesi paqësor, jo vetëm të kësaj proteste. Por ju kujtoj këtu që ne kemi 13 vite që protestojmë, atje në Shkodër. Pra, dhe shqiptarët tashmë janë zgjuar, po reagojnë, rinia shqiptare tashmë po reagon sepse i ka ardhur fundi kësaj keqqeverisjeje. Prandaj ne jemi plotësisht të gjithë bashkë aty për t'i dalë zot vendit, për t'i dalë zot shqiptarisë, për t'i dalë zot tokës që me të drejtë e kemi të trashëguar brez pas brezi. Ju e patë vetë që në seancën plenare filloi pra diskutimi, i cili ishte një nga pikat kryesore të debatit politik, ishte reforma territoriale. E cila në mënyrë alarmante dhe të paprecedentë, hyri menjëherë në axhendën e kuvendit të Shqipërisë. Normalisht procedurat të cilat duhej të ndiqeshin ishin krejt ndryshe. Por kur një kryeministër kërkon që të ndryshojë hartën territoriale në mungesë të transparencës, në mungesë të konsensusit politik, gjë që e kërkon edhe Bashkimi Europian dhe mundohet ta ndryshojë këtë hartë territoriale në mënyrë të njëanshme, atëherë ne këtu nuk flasim më për hartë territoriale. Problemi nuk është harta territoriale apo procesi territorial. Këtu problemi është demokracia e vendit. Kjo nuk është një reformë. Kjo është një përqendrim i pushtetit në duart, sipas vullnetit të një personi i cili është Edi Rama. I cili po kërkon që të përsërisë vitin 2014, ku përjashtoi opozitën shqiptare nga procesi i dhënies së mendimit, dhe përmes vullnetit të tij të njëanshëm, pa transparencë, ai, pa konsensusin e palëve, pa vullnet politik, zgjodhi një reformë e cila tashmë ka rezultuar...

Flavi Qarri: Pse kjo urgjencë e kryeministrit, zonja Bardeli? Për çfarë është kjo urgjencë?

Greta Bardeli: Po kjo është çështja kryesore. Pse gjithë ky alarm? Pse gjithë ky ngut? Kur Partia Demokratike dhe opozita shqiptare i ka parashtruar edhe kërkesat e saj, dje zoti Boçi, si bashkëdrejtues i kësaj reforme nuk u la të fliste për procedura. Dhe aty lindi pastaj edhe shqetësimi jonë si opozitë. Është një nga rekomandimet kryesore të Bashkimit Europian, që kjo reformë të kryhet me vullnetin e palëve, me konsensus real, me gjithëpërfshirje. Po qëllimi është i njëjtë. Dhe i vetëm, që Edi Rama të vazhdojë, të qeverisë në paqe dhe t'i kapë të gjitha pushtetet. Qëllimi këtu nuk është që t'i shërbejë qytetarëve shqiptarë përmes kësaj reforme territoriale. Qëllimi po të ishte një qëllim i vërtetë i Edi Ramës, atëherë do të lejoheshin që bashkitë të dëgjoheshin, ekspertët të flisnin, qytetarët shqiptarë të dëgjoheshin, ashtu sikurse është rënë dakord, pra është arritur dakordësia qysh në bashkëthemelimin e këtij procesi. Por nuk ndodhi një gjë e tillë. Dhe ne e pamë dje, që gjithë ky nxitim, gjithë ky alarm, ishte për një qëllim të vetëm. Që, ky të uzurpojë pushtetin, dhe përmes manipulimit të zgjedhjeve, të arrijë të marrë edhe pushtetin vendor. Kjo është një alarm për demokracinë shqiptare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco