Deputetja e larguar nga Partia Socialiste, Marjana Koçeku, e cila për një kohë ishte pjesë e mazhorancës dhe mbështetëse e politikave të Edi Ramës, ka dalë hapur kundër një prej nismave më të promovuara nga qeveria, Paketës së Maleve.
Koçeku, e cila u shkëput nga PS pas protestave masive, ka reaguar ndaj kësaj platforme, duke iu drejtuar banorëve të Shalës, Shoshit dhe Pultit me thirrjen që të mos pranojnë, sipas saj, premtimet për zhvillim që rrezikojnë pronat e tyre.
Sipas deputetes, përfshirja e këtyre zonave në Paketën e Maleve nuk përfaqëson zhvillim, por fillimin e një procesi tjetërsimi të tokave. Ajo argumenton se malësorët rrezikojnë të humbasin kontrollin mbi pronat e trashëguara, ndërsa akuzon qeverinë se po përdor ligjin dhe premtimin për investime si mënyrë për t’ua marrë tokat.
Koçeku thekson se banorët ende nuk kanë tituj pronësie, rrugë, energji apo infrastrukturën bazë dhe u kërkon të kërkojnë fillimisht njohjen e pronës dhe të drejtën për të vendosur vetë mbi tokat e tyre.
Neomalsorja, e cila deri pak muaj më parë ishte në krah të Edi Ramës, ndërsa tashmë po ngre zërin kundër një prej platformave më të trumpetuara nga kryeministri dhe qeveria.
Postimi i plotë:
Të dashtun banorë të Shalës, Shoshit e Pultit,
Përfshimja e zonave tueja në Paketën e Maleve, siç asht ba e ditun këto ditë, nuk asht shpëtimi i atyne trojeve, por fillimi i nji tjetërsimi që pasojat ka me i pasë aq negative sa ju s’keni me mujtë ma me i kontrollue ato toka.
Nëse doni me qenë shërbyes e lypsarë n’tokat tueja, atëherë pranojeni hak Paketën e Maleve, por di me ju thanë se malet tona nuk futen në paketë, dhe se treva jonë ka ditë me e ruejtë identitetin e vet për shekuj me radhë. As nuk asht pushtu e as nuk asht shitë. Dhe ju duhet me e pasë parasysh, secili prej jush, se pushtimet gjithmonë kanë ardhë me maska të reja, që ju të mos i njihni.
Unë e di se, çfarëdo çmimi që ata munden me ju ofru, ju nuk i lëshoni tokat e t’parëve, qoftë edhe veç për faktin pse janë t’parëve… se malsori ka qenë dhe asht zot n’tokë t’vet.
Por tash e vetmja mënyrë me jua marrë, asht tu spekulu përmes ligjit me pretekstin se ju do mundeni ma n’fund me i zhvillue ato toka, a ndërkohë nuk keni as tituj pronësie, as rrugë, as energji e as kushtet e nji infrastrukture që jua siguron nji gram jetë të mirë. S’keni ditë kurrë me i kërkue ato kushte!
Kështu që para se me pranue çfarëdolloj premtimi për “zhvillim”, kërkojeni njiherë atë çka ju asht mohue deri tash: pronën tuej, dhe të drejtën me vendosë vetë se çka bahet me pronën tuej. Zhvillimi që ju nxjerr prej tokës e ju kthen në vasalë e shërbëtorë të dikujt tjetër, nuk ka si me u quejtë zhvillim, përndryshe ju do ishit “zhvillue” me kohë.
© SYRI.net