Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, ka dalë fitimtare në një betejë ligjore gati njëvjeçare kundër skemës së patronazhistëve në Bashkinë e Matit dhe administratën shtetërore. Procesi gjyqësor, i cili nisi fill pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, u përmbyll me pafajësinë e saj, pasi deputetja ishte paditur nga personat që ajo vetë i kishte denoncuar publikisht për krime zgjedhore.
Gjatë një interviste me moderatorin Flavio Qarri në “Kafe Shqeto” në Syri tv, deputetja zbuloi detaje tronditëse nga manipulimi i fushatës. Sipas saj, dy ditë para zgjedhjeve, u bënë publikë emrat e të gjithë patronazhistëve të cilët u kapën duke intimiduar qytetarët, duke shtruar rrugë me zhavorr për vota dhe duke shpërndarë ndihma jashtë kritereve ligjore. U theksua se shpërndarja e ndihmave ishte maskuar pas institucioneve fetare, ndonëse ligji e ndalon rreptësisht një gjë të tillë katër muaj para fushatës, përveç rasteve të emergjencave shtetërore.
Pavarësisht fitores në gjykatë, fitorja morale dhe politike mbetet e paplotë pa veprimin e thelluar të organeve të drejtësisë.
Fenomeni i patronazhimit u cilësua si një profesion tërësisht i jashtëligjshëm, ku njerëz të caktuar paguhen me taksat e qytetarëve pa ditur se në cilin sektor të administratës punojnë, duke pasur si detyrë të vetme mbledhjen e votave për partinë në pushtet.
Në lidhje me të ardhmen politike dhe përballjen me këtë makineri shtetërore në zgjedhjet e ardhshme, mesazhi ishte i prerë: Zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën në krye, nuk mund të ketë.
Flavio Qarri: Deputetja e PD-së Denisa Vata është me ne në këtë mëngjes. Çfarë ndodhi, si shkoi dhe çfarë nënkupton një fitore ndaj patronazhistit?
Denisa Vata: Në fakt Flavio kjo gjë ka nisur një vit më parë, domethënë direkt pas zgjedhjeve të 11 majit, ku unë me datën 9 maj, dy ditë para zgjedhjeve kisha bërë publik emrat e të gjithë patronazhistëve, jo vetëm të Bashkisë Mat, por edhe të administratës shtetërore. Kjo tashmë e faktuar edhe gjatë fushatës zgjedhore kur unë disa herë i kam nxjerrë live edhe në Facebook-un tim duke intimiduar qytetarët, duke shtruar rrugë me zhavorr, duke ju bërë shërbime që janë të paligjshme përsa i përket periudhës zgjedhore, sepse është dhe një ligj që 4 muaj para fushatës nuk mund të bësh aktivitete të tilla. Madje disa herë i kam nxjerrë duke shpërndarë edhe ndihma gjasme për familjet në nevojë ose siç maskohen pas institucioneve fetare, por në fakt janë ndihma që vijnë vetëm për fushatë zgjedhore, pa patur ndonjë emergjencë shtetërore, dhe sigurisht që unë i bëra publike, sepse unë kam vite që përballem me patronazhimin, qoftë në Bashkinë Mat, qoftë në Bashkinë Klos, por edhe me korrupsionin galopant të ish-kryebashkiakut Malaj dhe sot aktualisht deputet në Parlamentin e Shqipërisë i Partisë Socialiste, dhe zgjati pothuajse një vit ky gjyq dhe më në fund mora pafajësinë. Unë i kam paraqitur GJKKO-së, i kam paraqitur SPAK-ut prova të pakontestueshme që në gjykimin tim drejtësia duhet të nisë një hetim kryesisht, sepse qarku i Dibrës besoj se është një nga qarqet më problematik përsa i përket zgjedhjeve. Ne pak ditë më parë patëm në komision edhe kreun e SPAK, zotin Klodian Braho, kur unë i drejtova një pyetje shumë të thjeshtë: çfarë konsideroni provë për krimet zgjedhore? Ndërkohë që Klodian Braho është prokurori i dosjes 184. Domethënë është fiks ai prokuror që e shpërbëri dosjen nga grup i organizuar kriminal e çoi në grup të thjeshtë dhe nga Gjykata për Krime të Rënda, në mos gaboj, e ktheu në Dibër. Pra tani më fal, si t'i besoj unë kësaj drejtësie tani kur më vjen vetë kreu i SPAK dhe më thotë mua më gjej provat?
Tani deputeti i Partisë Demokratike nuk gjen provat, prandaj është SPAK-u, prandaj është drejtësia, prandaj janë këta shpëtimtarët e fëmijëve tanë. Dhe në fakt çuditërisht ky gjyq shkoi shumë mirë sepse nuk kishin se si të ndodhte ndryshe, sepse unë kisha paraqitur prova shumë serioze. Gjithashtu edhe një gjë tjetër që dua të them Flavio është se ju e paraqitët një mesazh ku ish-kryebashkiaku dhe deputeti i Partisë Socialiste zoti Malaj ju kërkonte patronazhistëve, punonjësve të bashkisë, që në një grup ËhatsApp-i që ishte bërë për zgjedhjet, ku mua ma kanë dërguar vetë patronazhistët, ju kërkonte me detyrim që të shkonin të ngrinin padi. Dhe ajo që është më e rënda është se këto padi iu thoshte shkoni dhe i bëni tek drejtori juridik i Bashkisë së Matit. Tani unë nuk e di a janë bërë në zyrat e bashkisë paditë apo janë bërë në zyrë private, kjo i mbetet drejtësisë ta zbulojë.
Flavio Qarri: Ndërkohë për ju personalisht, a e konsideroni këtë një fitore edhe politike, përveçse juridike dhe morale?
Denisa Vata: Jo, nuk e konsideroj fare fitore sepse kjo nuk është fitorja që unë pres. Unë pres që drejtësia të veprojë. Fitore do e quaja nëse të gjithë këta persona që janë përfshirë në krime zgjedhore të ishin hetuar nga drejtësia në kuadrin edhe të task forcës që SPAK-u ngriti për 12 qarqe.
Flavio Qqarri: Tani a mendoni se jemi një hap më pranë luftës së shqiptarëve ndaj fenomenit të patronazhimit apo jemi në të njëjtën distancë që ishim para këtij gjyqi? A krijon kjo një precedent?
Denisa Vata: Po sigurisht, shiko Flavio, patronazhimi nuk është profesion. Patronazhimi është një gjë komplet e jashtëligjshme. Pra janë disa njerëz që organizohen, janë disa njerëz që marrin rroga në shtet ose nëpër bashki, nuk e dinë fare ku punojnë. Një pjesë e mirë e tyre nuk e dinë fare se në cilin sektor punojnë apo në cilën drejtori punojnë dhe këta paguhen vetëm për këtë gjë. Pastaj kemi kryepatronazhistët që janë drejtorët, janë përgjegjësit sipas niveleve. Pra këtë gjë mund ta bëjë vetëm drejtësia, sepse po të kishim drejtësi Flavio, nuk do të kishim as atë protestën që po zhvillohet sot, nuk do të kishim parë as ato skenat e dhunshme para parlamentit dje edhe herët e kaluara. Pra çfarë duhet të bëjë drejtësia? Pra kjo është ajo që duhet të bëjë drejtësia, sepse këtu nuk është vetëm çështja e protestës që po zhvillohet, por këtu krimi dhe korrupsioni është galopant. Tani lexojmë që drejtori i bankës ose guvernatori i bankës kërkon që mos të hetohet, të mos arrestohet, të ketë imunitet. Po më fal, pse duhet të ketë imunitet guvernatori i bankës? Imunitet s'duhet të kenë as deputetët, e jo më guvernatori i bankës. Për çfarë i duhet? Mirë guvernatorit, por dhe dy zëvendësave të tij. Pra kemi pastaj vendime të jashtëzakonshme që Rama del dhe i thotë pa pikë problemi, i thotë i bën publike dhe prapë, sepse një prokuror mos gaboj në Kroaci, nisi hetime tha vetëm se pashë kryeministrin me një orë të shtrenjtë, mos gaboj një gjë e tillë. Dhe tani këtu i kemi faktet e provat i kemi galopante. Këtu mjafton të ndjekësh paranë, mjafton të ndjekësh pasurinë dhe unë nuk e di se çfarë pret SPAK-u. Kjo është.
Flavio Qarri: E kuptoj. Ndërkohë politikisht dhe praktikisht në organizim, duket se zgjedhjet e ardhshme do të jenë po aq të paqarta si datë, nëse mund të bëhen më herët apo jo, por Partia Demokratike dhe çdo formacion politik tjetër, a mund të përballet me një kundërshtar që ka skemën e patronazhimit të instaluar dhe a ekziston mundësia?
Denisa Vata: Flavio, zgjedhje me Edi Ramën nuk ka. Këtë e kemi thënë dhe kemi për ta thënë…
© SYRI.net