Aktivisti dhe një nga koordinatorët e protestës qytetare kundër qeverisë, Edison Lika, deklaroi në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV se protesta e zhvilluar më 23 korrik ishte organizuar më herët për t’u dhënë qytetarëve më shumë kohë për pjesëmarrje. Sipas tij, qëllimi kryesor ishte t’u jepej një mesazh deputetëve se nuk përfaqësojnë më qytetarët.
Lika u shpreh se deputetët aktualë janë “të zgjedhurit e oligarkisë ekonomike dhe të krimit të organizuar”, duke theksuar se protestuesit nuk ndihen të përfaqësuar në Kuvend.
Duke komentuar masat e sigurisë, ai kritikoi perimetrin e vendosur nga Policia e Shtetit, duke e cilësuar të pajustifikuar dhe duke u shprehur se ai penalizoi edhe bizneset në zonë. Sipas Likës, që në fillim ishte e qartë se policia ishte përgatitur për përplasje, pasi në terren ndodheshin forcat speciale dhe automjeti me ujë.
Aktivisti tregoi se protestuesit ishin të pajisur vetëm me vezë dhe se nuk ushtruan dhunë ndaj efektivëve, ndërsa akuzoi policinë për përdorim të ujit me presion dhe sprajit irritues ndaj qytetarëve, duke shtuar se nga ndërhyrja mbetën të lënduar dhjetëra protestues.
Lika foli edhe për arrestimin e tij, duke deklaruar se u ndalua rreth një kilometër larg Parlamentit, pranë selisë së Partisë Demokratike. Sipas tij, ai dhe persona të tjerë u arrestuan në momentin kur kryeministri Edi Rama po kalonte drejt Kuvendit. Lika akuzoi Policinë e Shtetit se po vepron në funksion të mbrojtjes së qeverisë dhe jo të qytetarëve, duke u shprehur se institucionet janë vënë në shërbim të një partie dhe të një individi.
Lika:
Realisht në fakt kjo kërkesë është plotësuar disa herë, unë nuk e di pse, po dje u organizua çik më mirë le të themi, se i dhamë vetes kohë që të kemi një farë mundësie për ta... për ta organizuar më mirë. Pra, protesta e datës 23 është thirrur thjesht më herët dhe u ka dhënë mundësi njerëzve. Për ne ka qenë shumë e rëndësishme, edhe siç e kemi bërë edhe herët e tjera, fillimisht për t'ju treguar atyre deputetëve që nuk na përfaqësojnë më.
Edhe ky... ky moment praktikisht, ose ky fund i seancave plenare të këtij sezoni, duhet të jetë i fundit për të gjithë deputetët. Praktikisht ata nuk janë më të zgjedhurit tanë, ata janë të zgjedhurit e oligarkisë ekonomike, të krimit të organizuar, edhe nuk mund të na përfaqësojnë më në Parlamentin shqiptar. Praktikisht ne nuk ndihemi të përfaqësuar nga Sara Male me shokë.
Dhuna e policise edhe ne shesh, patjetër që u ndje, ne mund ta shikonim që te momenti se ku kishin vënë perimetrin e sigurisë. Praktikisht perimetri i sigurisë ishte vënë shumë larg Parlamentit edhe duket sikur ata jo vetëm na kishin bllokuar ne, por sikur shtrojnë pyetjen: sa biznese mund të ketë bllokuar dje vetëm kordoni i sigurisë i Policisë së Shtetit? Prej fundit të pedonales, te gati te kryqëzimi i Pazarit të Ri, edhe te fundi i Xhamisë së Re... Xhamisë së Madhe.
Praktikisht, të gjithë ato biznese duket sikur ishin penalizuar dje, vetëm se shteti dhe Policia e Shtetit donte të mbronte disa deputetë që duhet të ishin të zgjedhurit e popullit dhe duhet të hynin si më të mirët në Parlament. Kështu që, që aty ne e kuptuam se do përballeshim me një farë dhune dhe agresiviteti, sepse ishte krejt absurde perimetri që kishin vënë. Nejse, gjithsesi ne shkuam të qetë, të pajisur vetëm me vezë, siç i kishim lajmëruar, dhe vazhduam me thirrjet dhe këngët tona. Në një moment, sigurisht aty janë këto shtyrjet me policinë, duket sikur aty direkt pas policisë, pra pas kordonit të parë që janë policët normalë, e dyta është kjo policia robokopa si me thënë që i themi ne, edhe e treta ishte direkt makina me ujë. Pra, ata kishin ardhur të gatshëm për të sulmuar.
Edhe në momentin e parë që pati një shtyrje me policinë, direkt plasi uji, plasi pepper spray në sytë e njerëzve dhe siç keni parë, dje ka pasur dhjetëra të dëmtuar, të lënduar nga dhuna e paprecedentë e Policisë së Shtetit. Kështu që, nuk është se ka pasur policë të lënduar, pra nuk është se kemi pasur ne konfrontim, maksimumi mund të jenë goditur me vezë aksidentalisht sepse vezët ishin planifikuar për deputetët, ama ne nuk kemi ushtruar fare dhunë, ndërsa dhuna e policëve ka qenë e paprecedentë. Pastaj, po të kalojmë në rastin e arrestimit tim, unë jam arrestuar tamam nga krahu i Lanës, përballë selisë së Partisë Demokratike. Imagjino çfarë lloj distance me Parlamentin e Shqipërisë në të cilin po zhvillohej protesta! Gati kështu 1 kilometër larg.
Jo vetëm unë, por edhe disa të tjerë arrestohen sepse, siç dukej, aty po kalonte Rama dhe po shkonte në seancë plenare. Kështu që, nëse ne për të mbrojtur Ramën dhe për t'i garantuar atij qetësinë e duhur që i duhet për të shkuar në seancë plenare, jemi të gatshëm të arrestojmë njerëz prej te Parlamenti deri te selia e Partisë Demokratike, kjo do të thotë që shteti ka rënë edhe praktikisht Policia e Shtetit është në shërbim të një partie dhe të një individi.
© SYRI.net