Dita e 49-të e protestës u shoqërua me pankarta dhe slogane ironike të mbajtura nga protestuesit. Një prej tyre tërhoqi veçanërisht vëmendjen me mesazhin: “O Rame, nxirre një fond emergjence, se kam dy ndeshje të sigurta.”
Mesazhi ishte një referencë ironike ndaj debatit për përdorimin e fondit të emergjencave, si edhe periudhës së Kampionatit Botëror, duke kritikuar mënyrën se si, sipas protestuesit, përdoren paratë publike.
Edhe pankarta të tjera përcollën mesazhe kritike ndaj kryeministrit. Njëra prej tyre vinte theksin te ajo që protestuesit e cilësonin si grykësi të pushtetit, ndërsa një tjetër ironizonte kompetencat që, sipas tyre, kanë çuar në përqendrimin e vendimmarrjes për lejet e ndërtimit.
Gjatë protestës u përsëritën edhe thirrje të tjera kundër qeverisë, ndërsa motivi i akuzave për korrupsion ndaj kryeministrit mbeti një nga refrenet kryesore të tubimit.



© SYRI.net