I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, gazetari Elkier Bushkolaj foli mbi debatin e ndezur për reformën e re territoriale dhe ndryshimet e mundshme në hartën administrative të vendit, ku u shpreh se rreziku për shkrirjen e disa bashkive me identitet të fortë historik dhe kulturor ka hapur një përplasje të fortë politike.
Bushkolaj deklaroi se zona si Mirdita, Skrapari, Tepelena, Hasi apo Delvina nuk janë thjesht njësi administrative, por treva me histori, traditë dhe identitet të veçantë, ndaj çdo ndërhyrje në këtë drejtim duhet të shoqërohet me një debat të gjerë publik dhe transparencë të plotë.
Duke komentuar procesin e reformës territoriale, gazetari ngriti pikëpyetje mbi mungesën e publikimit të drafteve konkrete dhe paralajmëroi se vendimmarrja për fatin e bashkive nuk mund të mbetet në duart e kalkulimeve politike apo elektorale. Sipas tij, reforma e vitit 2015 ka sjellë pasoja të forta në shumë zona të vendit, duke përshpejtuar zbrazjen e disa trevave, ndërsa një tjetër riorganizim pa konsultim me komunitetet mund të thellojë këtë problem.
Pjesë nga biseda në:
Dëgjo, pikat delikate të kësaj çështjeje janë të shumta, por është absurditet që ti të flasësh për shkrirje bashkish. Mirdita, Skrapari, Tepelena nuk janë thjesht bashki. Janë treva. Janë treva që kanë një histori të caktuar, kanë një identitet të caktuar. Janë treva që sot, nëse i marrim të trija bashkë, kanë numrin më të madh të grupit parlamentar, pra deputetët që vijnë nga këto treva, qofshin në qarkun e Beratit, në Vlorë, në Durrës, në Tiranë, pa folur për qarkun e Lezhës, ku drejtohen, po themi, pjesa më e madhe e bashkive dhe ku vijnë një numër i konsiderueshëm deputetësh.
Por duhet të kemi parasysh që pritet një reagim shumë i ashpër për këtë. Unë nuk e di kush është propozuesi, por nëse një minoritar si zoti Mazniku do të vendosë që të zhdukë nga harta e Shqipërisë treva si Mirdita, Skrapari apo zona të tjera nga këto 14 bashki, që secila kanë specifikat e tyre, kam përshtypjen se duhet t’i bëjnë mirë llogaritë. Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për rrethim parlamenti, bllokim të Rrugës së Kombit apo bllokim të aksit Gjirokastër-Tepelenë, që paralizon gjithë juglindjen e vendit. Patjetër që do të ketë një reagim shumë të ashpër.
Por kjo reformë territoriale a ka thjesht kalkulime elektorale apo respekton edhe identitetin? Respekton historinë e këtyre zonave? Respekton kulturën dhe traditën e tyre? Këtu është një hipokrizi e madhe. Ne krijojmë bashki për minoritarët dhe bëjmë shumë mirë që i krijojmë, sepse në fund të ditës janë njerëz dhe ata. Por që ne të krijojmë bashki të reja për minoritarët dhe për llogari të Partisë Socialiste, ndërsa të shkrijmë bashki që në fund të ditës janë pjesë e asaj që është palca e identitetit tonë kombëtar, kjo është e papranueshme.
Ndjej një keqardhje shumë të madhe për mungesën e transparencës nga ky komision. Gjithashtu, edhe opozita nuk duhet të ishte kaq e ngadaltë në raport me këtë debat. Ne ende nuk kemi parë platformën e Partisë Demokratike. Është folur për një platformë me 90 deri në 116 njësi vendore, por ndërkohë nuk kemi parë as platformën e Partisë Socialiste. Mendoj se duhet të ketë transparencë, sepse nuk mund të lihet një reformë territoriale në mëshirë të kalkulimeve elektorale të Arbjan Maznikut. Kjo është absurde.
Normalisht që thelbi i reformës territoriale duhet të jetë e drejta që kanë bashkitë dhe komunitetet për të qeverisur më mirë vendet e tyre. Pra, debati duhet të jetë te kompetencat që kanë këto njësi vendore. Por është një debat që ka edhe një ndjeshmëri të madhe për sa i përket identitetit.
Ky është thelbi i debatit. Në fund të ditës, çfarë ka ndodhur? Nga reforma e fundit e vitit 2015 kemi një zbrazje totale të këtyre trevave. Të trija këto treva që po përmendim, qoftë Tepelena, për të cilën bëhet fjalë që të shkrihet me bashkinë e Memaliajt, kanë një histori dhe identitet të tyre.
Këtu ka edhe një hipokrizi tjetër. Nga gjashtë bashki që ka opozita, tre prej tyre pretendohet të shkrihen nga komisioni për reformën territoriale i drejtuar nga Arbjan Mazniku dhe Partia Socialiste. Por nuk është ky thelbi. Çdo bashki që ka identitetin e saj duhet të ruhet.
Nuk e kam fjalën vetëm për Mirditën. E kam edhe për Hasin, për Delvinën, për Skraparin dhe për çdo krahinë të këtij vendi. Ne jemi një vend me një trashëgimi të pasur që lidhet me historinë, kulturën dhe traditën. Patjetër që duhet të ketë një kufi në raport me këtë. Nuk mund të vendosin një apo dy persona se cilët do të jenë emrat dhe kufijtë e krahinave në Shqipëri për dekadën e ardhshme.
Po mirë, le t’u bëjmë një pyetje për efikasitetin: ku është dallimi, për shembull, mes Bashkisë Mirditë dhe një bashkie tjetër? Pse të mos shkrihet edhe ajo, nëse ndiqet kjo logjikë?
Po, është edhe çështje identiteti. Dhe këto po shkelen me këmbë tani. Ne e dimë që e majta historikisht nuk ka pasur lidhje me identitetin, traditën dhe trashëgiminë. Prandaj këtu duhet të jetë reagimi i qytetarëve, i ekspertëve të fushës dhe i gazetarëve.
Nuk mund të qëndrojmë gjithmonë indiferentë. Në vitin 2015 opozita e bojkotoi procesin dhe më pas patëm një reformë totalisht të njëanshme. Tani, pavarësisht pretendimit se ajo ka qenë e suksesshme, kërkohet sërish ndryshimi i saj. Nëse pyet Arbjan Maznikun, ai thotë se ka qenë një reformë e suksesshme.
Nuk e kam çështjen me Maznikun personalisht. Ai është nënkryetar i komisionit, por aty mund të ishte Erion Veliaj, Ilir Beqaj apo kushdo tjetër. Mund të ishte edhe Arben Ahmetaj. Mund të ishte edhe Luçiano Boçi kryetar ose bashkëkryetar i reformës territoriale. Ai është nënkryetar dhe duhet të shprehet për ato që po qarkullojnë.
Jo vetëm ai, por të gjithë deputetët e Partisë Demokratike duhet të mbajnë një qëndrim. Janë bërë disa takime mes palëve, por për hir të së vërtetës nuk morën hovin e duhur mediatik për shkak të mënyrës sesi u organizuan. Aty kemi parë më shumë shtrëngime duarsh, në një kohë kur situata në terren ishte e tensionuar, kur kishte protesta dhe kur komunitetet kishin zhvilluar takime për të shprehur qëndrimet e tyre.
Edhe në këto takime janë thënë gjëra, por ato nuk janë bërë publike sa duhet. Duhej të kishte më shumë transparencë. Sot ne po flasim në kushtet kur nuk kemi draftet. Nuk kemi draftet! Prandaj lindin këto debate, këto replika dhe këto reagime.
Në fund të ditës, qytetarët ndihen të shqetësuar për trevat e tyre. Nuk është një çështje banale, edhe pse janë mësuar që shumë gjëra të kalojnë në heshtje. Unë gjykoj se do të ketë një reagim shumë të ashpër në pjesën dërrmuese të zonave dhe do të ishte në nderin e deputetëve që të mos qëndrojnë indiferentë.
Trashëgimia jonë historike dhe kulturore është një pasuri që duhet ta ruajmë të gjithë. Serbët, që nuk i kanë këto trashëgimi, i shpikin si histori, legjenda dhe krahina. Ndërsa ne, që i kemi, duam t’i zhdukim. Ky është një paradoks i madh.
Mendoj se duhet të ketë një reagim shumë të ashpër edhe nga media, e cila duhet t’i japë më shumë hapësirë kësaj çështjeje. Kemi një varfëri mediatike ku shpesh dominojnë panelet me tema dytësore, ndërsa nuk trajtohen sa duhet problemet reale të shqiptarëve.
Mendoj se edhe protestat duhet të orientohen edhe te kjo çështje. Është një kauzë që duhet të marrë vëmendje, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të shprehen dhe që kjo të ndalet në kohë.
Mbi të gjitha, zoti Mazniku, zoti Boçi dhe të gjithë përfaqësuesit e komisionit duhet të bëjnë transparencë. E kanë detyrim ndaj shqiptarëve, sepse në fund të fundit paguhen me taksat e qytetarëve.
© SYRI.net