Tre nënkryetarët e rinj të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, Nikola Kedhi dhe Erisa Bajaziti, ishin të ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Çim Peka Live” në SYRI TV, pas zgjedhjes së tyre në postet drejtuese të PD-së.
E pyetur për arsyet e angazhimit politik, Erisa Bajaziti u shpreh se vendimi i saj lidhet me historinë familjare dhe përgjegjësinë qytetare.
“Angazhimi ka një historik familjar, vjen si një amanet i prindërve dhe gjyshërve. Kur sheh që vendi vuan nga keqqeverisja dhe padrejtësitë, nuk mund të rrish indiferente”, deklaroi Bajaziti.
Ajo përmendi edhe çështjen e Teatrit Kombëtar si një moment simbolik dhe tha se angazhimi i saj lidhet me mbrojtjen e demokracisë dhe zërave ndryshe në shoqëri.
Bajaziti foli edhe për raportin mes Partisë Demokratike dhe protestuesve, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe komunikimit të drejtpërdrejtë.
“Dialogu është ura lidhëse mes Partisë Demokratike dhe protestuesve. Ekziston një sinergji mes të rinjve, qytetarëve dhe opozitës, dhe kjo urë komunikimi duhet të forcohet”, tha Bajaziti.
Sipas saj, mbështetja e PD ndaj protestave është një sinjal i rëndësishëm, ndërsa theksoi se qeveria është ajo që ka fuqinë vendimmarrëse për ndryshimet në vend.
Bajaziti nënvizoi gjithashtu nevojën për më shumë transparencë dhe komunikim me qytetarët, duke deklaruar se opozita duhet të ndërtojë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me mbështetësit dhe publikun.
Bajaziti:
Jo sepse dua detyrimisht të jem një flamur apo një anë partiake e angazhimit, sepse angazhimi ka një historik familjar i cili vjen si një amanet. Amaneti i prindërve, amaneti i gjyshërve, i cili reflektohet tek të gjithë shqiptarët që kanë jetuar histori të ngjashme që të bën ty të kuptosh se sa jetë të vështirë kanë pasur shqiptarët gjatë regjimit komunist. Dhe kur ti e sheh që vendi vazhdon me të njëjtat karakteristika qeverisëse dhe një qytetar i thjeshtë është viktimë e një sistemi që nuk, e një regjimi që nuk funksionon.
E gazetarëve të cilët nuk janë të lirë të shprehin mendimet e tyre ose vetëcensurohen, qytetarëve të cilët kanë frikë sepse largohen nga puna, janë një sërë arsyesh që të detyrojnë të rikthehesh dhe të kontribuosh. Kjo është ana historike për ta shtrirë atë në kohë, e cila nuk vjen thjesht vetëm pas rënies së komunizmit, por për të gjithë ata që kanë bërë sakrifica gjatë kohës së komunizmit, shkuan nëpër burgje, u persekutuan, sepse kërkonin liri dhe demokraci për këtë vend.
Por le të rikthehemi pak ose le të shtrihemi në kohë më vonë. Në fakt, duke e parë vendin i cili vuan në një keqqeverisje, si një njeri i përgjegjshëm, një qytetar i përgjegjshëm, ti nuk mund të rrish në kolltuk dhe thjesht të vështrosh indiferent kur e sheh që shumë gjëra nuk shkojnë në vendin tënd. Dhe kur e sheh veten që ke forcën për të dhënë qoftë edhe kontributin më minimal për vendin tënd, atëherë nuk mund të qëndrosh indiferente.
Dhe unë besoj që këtë kam bërë. Është një kontribut i vogël apo i madh, këtë do ta tregojë koha, por nuk kam pranuar të qëndroj indiferente. Dhe kjo është arsyeja përse jam angazhuar. Dhe ndoshta për ta dhënë me një shembull konkret, Teatri Kombëtar ishte goditja që Kryeministri shqiptar kërkonte t'i jepte çdo qytetari, qoftë edhe nga ana simbolike. Jo vetëm ndërtesa, por goditja që u jepte qytetarëve për t'i nënshtruar ata dhe për t'ju treguar një mesazh të fortë që unë vendos, nuk ju pyes dhe kam jetuar me ëndrrën 20 vjeçare për ta shkatërruar këtë godinë. Dhe nuk është thjesht ajo godinë, ti kërkon të vrasësh mendimin kritik, njerëzit që nuk bashkohen me qeverisjen tënde dhe njerëz që e shohin Shqipërinë me një tjetër vizion. Dhe për ta përmbledhur, këto janë arsyet që më kanë bërë mua të angazhohem.
Gjithashtu, dhe në aspektin politik, me Partinë Demokratike, duke parë një persekutim të vazhdueshëm të forcës më të madhe opozitare, atëherë do të thotë që ne ia lëmë rrugën e lirë një regjimi të vrasë çdo parti politike, çdo individ që mendon ndryshe. Pra, e kam parë kontributin tim dhe si një mbështetje, një bashkim zërash me qytetarët e tjerë shqiptarë kur shohin që në këtë vend ndodhin padrejtësi.
© SYRI.net