Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një lidhje direkte nga Brukseli me studion e ‘Task Force’ në SYRI TV ka folur për punimet e asamblesë së Përgjithshme të IDC-CDI-së, organizatës më të madhe politike të qendrës së djathtë në botë, ku ushtron detyrën e zv/presidentit.
Në prononcimin e tij, Berisha u shpreh se ka propozuar krijimin e një grupi pune për krimin e organizuar dhe kartelet e drogës në Shqipëri dhe botë.
Gjatë bisedës me gazetaren Sonila Meçon, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, propozimi i tij është mirëpritur dhe IDC-CDI do të krijojë grupin e punës që do mbledhë fakte mbi narko-shtetin dhe lidhjet direkte të qeverisë shqiptare me kartelet e drogës dhe krimit.
Prononcimi i kryetarit të PD, Sali Berisha:
Mirëdita dhe përshëndetje Sonila.
Edhe të gjithë atyre që na ndjekin në këtë lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin tuaj. Po, sapo përfundoi asambleja e përgjithshme e Ndërkombëtares Demokrate të Qendrës, organizatës më të madhe botërore të partive politike të qendrës dhe qendrës së djathtë.
Dhe punimet e saj besoj se ishin jashtëzakonisht të rëndësishme. Në këto punime u trajtuan çështje themelore të demokracisë, të të drejtave të njeriut, por edhe çështje të rëndësishme të organizimit, si dhe aspekte bashkëkohore të teknologjisë, të inteligjencës artificiale e të tjera.
Në takimet që pata dhe në fjalën që mbajta, unë jam përqendruar totalisht në atë që është gjendje dramatike, një diktaturë autoritare e qeverisë, duke bërë theksin se Shqipëria, e cila ishte nën një organizatë kriminale, nën atë padrinon e saj, një organizatë e cila vërtetë pranon pluralizmin, por e shtyp atë me të gjitha llojet e paligjshme.
Arreston udhëheqësit politikë të opozitës, dënon kundërshtarët politikë, organizon farsa elektorale, ka shndërruar zgjedhjet në një farsë të vërtetë elektorale.
Por në veçanti, kjo qeveri është një organizatë kriminale sepse është e lidhur kokë e këmbë me kartelet më të rrezikshme të drogës në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara.
Në fjalën time unë u ndala gjerësisht te narko-shteti shqiptar, nxora vetëm një aspekt të këtij narko-shteti, narko-euron. Shqipëria sot është vendi i mbivlerësimit të euros. Kjo monedhë ndër më të fortat e botës është zhvlerësuar në një shkallë të pabesueshme deri në 22 %.
Dhe kjo në sajë të fluksit gjigant ilegal të parave të drogës.
Pra, Shqipëria sot është eksportuesi kryesor i kanabisit në Europë.
Kartelet e saj të drogës janë eksportuesit më kryesorë të kokainës në Europë dhe destinacione të tjera. Ato kanë të hapura portet e Shqipërisë, në të cilat prej pesë vitesh s'kapet asnjë kilogram drogë.
Ato administrojnë linjat e narkotrafikut në Shqipëri, vendosin për ligjet e vendit dhe kryeministri është në fakt padrino i tyre. Në fjalën time, pata mundësi të theksoj edhe për protestën e gjeneratës së re dhe qytetarëve që u zhvillua në Tiranë, që është kryekëput një protestë anti-diktatoriale.
U ndala dhe tek ‘Dosja Shqiptare’. Në qoftë se e peshojmë me 523 projektet e tij, tregon se sillej si një sulltan i shekujve të shkuar, e konsideron Shqipërinë çiflig të saj dhe ua ka dhuruar atë karteleve më të rrezikshme të drogës, zonat më valurane të vendit për të zhvilluar ato me paratë e drogës.
Së fundmi, ka hequr një numër të madh prej tyre nga zonat e mbrojtura, vetëm në interes të këtyre karteleve.
Mund të them se kjo paraqitje e imja këtu në këtë asamble, u prit me një interes vërtet të veçantë. Kërkova të krijohet një grup pune pranë asamblesë, për krimin e organizuar dhe kartelet e drogës në Shqipëri dhe në botë.
Dhe ky sugjerim i imi u mirëprit nga presidenti i saj, zoti Pastrana. Kështu që, mendoj se ky udhëtim ishte i vlefshëm dhe i dobishëm për Shqipërinë, pasi sa më shumë të njohë bota realitetin e Shqipërisë, aq më shumë do të flasë për një narko-diktator dhe jo për ato rrobat e bardha të tij.
Sonila Meço: Zoti Berisha do të mund të ketë edhe një grup vëzhgues apo vlerësues lidhur me akuzat e shumta tashmë që artikulohen, janë artikuluar me kohë nga opozita por që kanë gjetur jehonë në protestë dhe në shtypin ndërkombëtar.
Sali Berisha: Po, do të krijohet një grup pune i cili do të mbledhë fakte mbi narko-shtetin dhe lidhjet direkte të qeverisë shqiptare me kartelet e drogës dhe krimit. Dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Basir Çollaku: Duke marrë në konsideratë nismën le të themi të senatorëve republikanë amerikanë që qeveria amerikane të angazhojë nismat ligjore për hetimin e qeverisë shqiptare në përfshirjen dhe lehtësimin e narkotrafikut, a mbase do të propozonte, do të kërkonte nga Bashkimi Europian t'i bashkëngjitet kësaj nisme? Pa interferuar në institucionet sigurisht.
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Ne, në vjeshtë, në raportin faktmbledhës të Partisë Popullore Europiane, u shpreh shqetësimi i madh për narko-euron dhe rolin e tyre.
Së fundi, propozova dhe u prit edhe aty me interes, organizimin e një konference për trafiqet dhe narko-shtetin në Shqipëri, e cila do të jetë një hap shumë i rëndësishëm në formimin e qëndrimit të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë si narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë.
© SYRI.net