I ftuar në emisionin “Task Force”, gazetari Julian Hoxhaj ngriti akuza ndaj SPAK, duke deklaruar se gjatë ditëve të fundit në rrjetet sociale janë shfaqur në shitje prona dhe apartamente të sekuestruara nga grupet kriminale.
Sipas Hoxhajt, këto pasuri po tregtohen nga të njëjtat kompani që, sipas tij, duhet të administroheshin nga administratorë shtetërorë.
Ai u shpreh se gjatë muajve të fundit është vënë re, sipas tij, një “rehabilitim” i personave të përfshirë në dosje korrupsioni dhe krimi, duke përmendur si shembull të përfshirët në çështjen “5D”, si edhe persona të lidhur me dosjen “Metamorfoza”, të cilët, sipas tij, janë liruar ose ndodhen në masa më të lehta sigurie.
Hoxhaj u shpreh se në vend të goditjes së pastrimit të parave, SPAK po “ligjëron” këtë aktivitet, duke e cilësuar këtë si një zhvillim shqetësues për të ardhmen.
Hoxhaj:
Ka të dhëna shumë të rëndësishme se, po i kërkoja ndjesë Basirit, por gjatë ditëve të fundit na kanë dalë çuditërisht nëpër rrjetet sociale, prona, apartamente të grupeve kriminale, të cilat janë sekuestruar nga SPAK dhe kanë dalë në shitje.
Po nga të njëjtat kompani që supozohet, do të duhet të kishin administratorë shtetërorë.
Tek historia e SPAK-ut, historia e SPAK-ut më duket sikur është kthyer në një lavatriçe të pastrimit pikërisht të gjithë situatës. Po ta vini re gjatë muajve të fundit deri në ditët e sotme, kemi një riciklim të plotë apo një rehabilitim të plotë të të gjithë personazheve të lidhur qoftë me dosjet e korrupsionit, ata të arrestuar, të gjykuar, të dënuar dhe që tashmë kanë dalë dhe po rehabilitohen.
Një pjesë e madhe e personazheve të 5D-së dolën, janë në situatë të lirë pra në kushtet ose të arrestit shtëpiak ose detyrim paraqitje. Kemi shumë personazhe të grupeve kriminale që nga dosja e famshme e Metamorfozës, punonjës policie të cilët dolën, sot përfliten gjithashtu që vijojnë aktivitetin për llogari të politikanëve. Pra, duket sikur SPAK detyrën kryesore dhe kyçe e ka pasur që t'i rehabilitojë. Pra, atë që ne e quajmë pastrim të parave dhe që kërkojmë të hetohet dhe të ndalohet, SPAK po e bën në një formë krejt tjetër, po ua ligjëron këtë lloj biznesi. Kjo është ajo që mua më tremb për të ardhmen.
© SYRI.net