VIDEO/ ‘Shkelja është me firma’/ Nuri: Rama dhe Gonxhja në SPAK për aktin normativ 400 mln lekë

18:56, 13/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Këshilltari juridik i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Franc Nuri, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, deklaroi se opozita do të depozitojë kallëzim penal në SPAK ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Blendi Gonxhja, lidhur me aktin normativ për akordimin e 400 milionë lekëve për një aktivitet privat.

Sipas Nurit, Partia Demokratike ka kërkuar prej ditësh që Prokuroria e Posaçme të hetojë këtë çështje, duke e konsideruar një shkelje flagrante të ligjit dhe të Kushtetutës.

Ai sqaroi se kallëzimi penal do të drejtohet ndaj ministrit Blendi Gonxhja, i cili, sipas tij, ka propozuar aktin normativ për transferimin e fondit, si dhe ndaj Kryeministrit Edi Rama, që, në bazë të nenit 101 të Kushtetutës, mban përgjegjësi për miratimin e këtij akti.

Ai kujtoi se akti normativ pritet të shqyrtohet në seancën plenare të 23 korrikut.

‘Që kur plasi ky skandal dhe mori këto përmasa jashtëzakonisht të mëdha, unë personalisht kam bërë thirrje, por dhe shumë eksponentë të tjerë të Partisë Demokratike kanë bërë thirrje për kallëzim në SPAK.

Kemi bërë thirrje që SPAK ta hetojë këtë çështje, sepse shkeljet ishin dhe janë në vlerësimin tonë flagrante. Dhe janë të drejtpërdrejta, janë me firma, me akte. Nuk ka dyshime, mund ta kenë bërë apo s'mund ta kenë bërë, kanë hedhur firmat aty personat e caktuar.

Dhe bëhet fjalë për një kallëzim penal ndaj dy individëve dhe personave të tjerë që mund të kenë përgjegjësi ligjore nga hetimi.

Dy personat janë Blendi Gonxhja, Ministri i përgjegjshëm për turizmin dhe Kryeministri Edi Rama. Pse? Sepse i pari ka propozuar aktin që të kalojnë këto fonde nëpërmjet aktit normativ.

Pra, ka dhënë propozimin që të miratohet akti normativ dhe të kalojnë 400 milionë lekë me akt normativ. Dhe Edi Rama pastaj i cili, si Kryeministër, referuar nenit 101 të Kushtetutës, e kalon aktin normativ nën përgjegjësinë e tij. Kështu thotë Kushtetuta.

Pra Kryeministri nën përgjegjësinë e tij kalon aktin normativ, i cili çfarë është në vetvete? Është një ligj, ka forcën e ligjit, dhe i lejohet Këshillit të Ministrave të veprojë shpejt dhe më pas e ratifikon më vonë në Kuvendin e Shqipërisë.

Dhe sot u njoftua që në 23 korrik do të jetë dhe seanca në Kuvendin e Shqipërisë ku ky akt normativ do të miratohet. Pra, kallëzimi penal në thelb nuk ka lidhje me zhvillimin apo jo të koncertit, as me shijet muzikore të njerëzve, as me të drejtat e subjekteve private për të organizuar aktivitete artistike, turistike, kulturore në Shqipëri, absolutisht.

Çështja lidhet me përdorimin e parasë publike, me kufijtë kushtetues të aktit normativ, me përgjegjësinë penale të funksionarëve publikë, dhe me dyshimin e arsyeshëm se buxheti i shtetit në këtë rast është përdorur për të mbuluar riskun tregtar, kostot, detyrimet kontraktore apo dështimin ekonomik të një eventi tërësisht privat.

Apo kështu u prezantua ky event në fakt publikisht dhe e kemi me fakte. Edhe nga vetë autoritetet zyrtare. Jo vetëm nga këta dy persona të kallëzuar tashmë, Blendi Gonxhja dhe Edi Rama, por edhe nga Ministri i Financave, i cili në datën 7 maj, në Komisionin e Ekonomisë në Kuvendin e Shqipërisë, i pyetur nga deputetja Zhupa se çfarë angazhimesh financiare do të kishte shteti shqiptar në lidhje me këtë aktivitet, dy muaj përpara u përgjigj shprehimisht se angazhimi i shtetit do të ishte zero nga aspekti financiar.’, tha juristi Franc Nuri në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco