Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 34-të e protestës qytetare, kërkohet dorëheqja e Edi Ramës

‘Albanian Files’, Teliti: Paratë e investimeve vijnë nga krimi, ligjet vlejnë vetëm për qytetarët, jo për oligarkët

18:48, 03/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në emisionin "Syri Digjital", anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorian Teliti, u shpreh se publikimet e "Albanian Files" kanë konfirmuar akuzat e ngritura prej vitesh nga opozita se një pjesë e konsiderueshme e investimeve në sektorin e ndërtimit financohen nga para me origjinë kriminale.

Teliti u shpreh se, qeveria e kryeministrit Edi Rama jo vetëm që ka dështuar të frenojë këtë fenomen, por përmes zbatimit selektiv të ligjit dhe mungesës së kontrollit ka krijuar një terren ku, sipas tij, favorizohen oligarkët dhe kapitalet e dyshimta, ndërsa qytetarët e zakonshëm përballen me ndëshkime edhe për shkeljet më të vogla.

Ai deklaroi se ligji nuk funksionon njësoj për të gjithë, duke pretenduar se fermerët dhe bizneset e vogla penalizohen menjëherë nga institucionet shtetërore, ndërsa ndërtimet shumëkatëshe pa leje, shkeljet në zona të mbrojtura dhe investimet me burime të paqarta financimi kalojnë pa u prekur.

Sipas tij, pasojat e kësaj situate janë bërë të dukshme në ekonominë shqiptare, ku rënia e euros, rritja e pakontrolluar e çmimeve të apartamenteve dhe deformimi i konkurrencës në treg janë tregues të qartë të hyrjes së parave të pista në sektorin e ndërtimit, një fenomen për të cilin ai akuzoi qeverinë se jo vetëm nuk ka vepruar, por e ka lejuar të thellohet.

Pjesë nga deklarata:

Për të mbështetur zhvillimet dhe projektet, janë bazike dy elemente. Së pari, financimet duhet të vijnë nga burime të pastra, të jenë para të ndershme, jo para të pista, para krimi apo para droge. Së dyti, ligjet e shtetit duhet të respektohen njëlloj për të gjithë.

Por, a ka rregulla ky vend? Pse ligjet funksionojnë vetëm për qytetarin e thjeshtë, i cili, në momentin që del nga dera e shtëpisë dhe bën qoftë edhe një shkelje, ndëshkohet menjëherë nga strukturat e shtetit? Pse ligjet janë vetëm për atë fshatarin e thjeshtë, i cili merr ato dy arka me domate, speca e kastravecë, prodhime të baçes së tij, dhe i shet aty, ndërsa i shkojnë 50 veta nga policia bashkiake për t'ia sekuestruar mallin dhe për ta larguar? Ndërkohë ndërtohen 5, 6 apo 7 kate pa leje. Ndërkohë merren zonat e mbrojtura dhe bëhen shkelje. Mjafton të shohësh ato pikat blu, për të cilat foli edhe ministrja e Arsimit, se kemi edhe ministre Arsimi sot, e cila është përgjegjëse për arsimimin e brezave të ardhshëm, por edhe të brezave aktualë. Ajo flet për pikat blu dhe për mënyrën se si janë bërë te Gjiri i Manastirit në Sarandë e kështu me radhë. Pra, kemi një shkelje të hapur të ligjit.

Këto janë të papranueshme. Ne duam që çdo gjë të jetë konform rregullave, konform ligjeve, duke konsultuar publikun, duke konsultuar grupet e interesit, duke respektuar të drejtën e pronës, por, mbi të gjitha, me financime të pastra, jo financime të fshehta apo financime nga paratë kriminale. Nuk ka asnjë vend në botë që është zhvilluar duke u financuar nga para kriminale.

Kjo është një problematikë shumë shqetësuese, me thënë të drejtën, sepse fakti që kemi një zhvlerësim kaq të fortë të euros nuk është aspak i shëndetshëm për ekonominë shqiptare. Përkundrazi, vlen e kundërta. Ky fuqizim i fortë i lekut, në fakt, po e dëmton ekonominë shqiptare.

Pse e them këtë? Do të ishte normale, madje do të isha shumë i lumtur, nëse fuqizimi i lekut dhe zhvlerësimi i euros do të vinin si pasojë e zhvillimit ekonomik. Do të ishte gjëja më e mirë. Por ky zhvlerësim i euros dhe fuqizimi i lekut nuk kanë ardhur si pasojë e zhvillimit ekonomik, sepse ne zhvillim ekonomik nuk kemi. Këtë e tregojnë edhe raportet e INSTAT-it, ku industria prodhuese dhe bujqësia vazhdojnë të jenë në recesion. Kjo rritje e pakët ekonomike varet nga shpenzimet e qeverisë dhe nga taksat; sektorët e tjerë nuk gjenerojnë rritje ekonomike.

Ky zhvlerësim ka vetëm një shpjegim, si në teori, ashtu edhe në praktikë. Në teorinë ekonomike, të cilën e mbështesin studiues prej shekujsh, por edhe në praktikën e vendeve që funksionojnë në ekonominë e tregut, shpjegimi janë burimet e jashtëligjshme të financimit, që vijnë nga krimi, droga, korrupsioni, kleptokracia e kështu me radhë.

Po cili është problemi i këtyre burimeve? E para, janë të jashtëligjshme. E dyta, vrasin konkurrencën e lirë dhe të ndershme. Ta marrim një shembull konkret. Nëse ne të dy jemi në treg dhe mundohemi, me punë të ndershme dhe me para të ndershme, duke punuar 20 orë në ditë për të bërë biznes, vjen dikush që ka miliona në xhep, të fituara në mënyra nga më të ndryshmet, dhe na nxjerr jashtë loje në arenën e biznesit. Ai fiton ndaj nesh dhe ne detyrohemi të mbyllim qepenat, sepse falimentojmë.

Por më e keqja është se kjo sjell rritje çmimesh dhe reflektohet drejtpërdrejt në sektorin e ndërtimit. Sot, në Tiranë, është e pamundur që një çift i ri apo një familje me paga mesatare të blejë një apartament 80 metra katrorë për të futur kokën. Është e pamundur. Duhen 70 vite kredi. Po sa do të jetojë njeriu?

Ndërkohë, kur kemi qenë në qeverisje, në vitet 2010-2012, sipas raporteve të vetë institucioneve ndërkombëtare, duheshin rreth 20 vite për të blerë një apartament. Ishte një afat i gjatë, por gjithsesi i pranueshëm. Por të punosh 70 vite vetëm për të shlyer apartamentin është diçka që nuk qëndron.

Po nga erdhi ky trefishim apo katërfishim i çmimeve të banesave në Tiranë brenda 6-7 viteve? Ose do të ishte trefishuar apo katërfishuar ekonomia shqiptare, mirëqenia dhe pagat e shqiptarëve, ose, përndryshe, kjo shpjegohet vetëm me financimin e sektorit të ndërtimit nga paraja e pistë.

Një tjetër argument konkret është ky: dhjetë vite më parë, kur shkoje te një ndërtues dhe i thoje se do ta paguaje me para në dorë 100% vlerën e apartamentit, ai të bënte një ulje prej 20-30%. Sot nuk ka asnjë ndërtues në Tiranë që ta bëjë këtë, pavarësisht nëse paratë janë plotësisht të ligjshme. Ky fenomen nuk ekziston më.

Pse nuk ekziston? Sepse financimi me para të pista ka hyrë në sektorin e ndërtimit dhe e ka dominuar atë pothuajse plotësisht. Kjo krijon një kosto që rëndon jo vetëm mbi ne si konsumatorë dhe blerës potencialë, por edhe mbi ata që punojnë me ndershmëri në sektorin e ndërtimit.

Pra, fatkeqësisht, nuk kemi një ekonomi të shëndetshme. Nëse shikon edhe diskursin e qeverisë shqiptare, dëgjon vetëm: turizëm, turizëm, turizëm. Mirë, por e para, ai zhvillim turistik po bëhet duke shkelur ligjet dhe rregullat e këtij shteti. E dyta, a mund të na thotë ministri përgjegjës për turizmin, bashkë me kryeministrin, cili është ai vend që e ka ndërtuar ekonominë e vet vetëm mbi turizmin dhe është bërë një vend i zhvilluar e i suksesshëm?

Mjafton të shohim vendet e Amerikës Qendrore, që kanë turizëm shumë më të zhvilluar dhe dete po aq të bukura sa jugu shqiptar. A janë ato vende të zhvilluara vetëm sepse kanë turizëm? Jo. Brenda resorteve gjithçka duket mrekulli, por sapo del jashtë tyre, siç ndodh edhe në Shqipëri, gjen një realitet krejt tjetër. Është e vërtetë që zonat bregdetare të jugut janë shumë të bukura, por sapo largohesh nga resortet ku shkon elita financiare, përballesh me mjerimin. Nuk ke ujë në rubinet, nuk ke shërbime, nuk ke transport dhe nuk ke infrastrukturë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco