Në ditën e 31-të të protestës, qytetarët kanë dënuar dhunën e paprecedentë të ushtruar nga policia gjatë protestës para Parlamentit. Ata akuzuan drejtuesit më të lartë të policisë se ishin urdhëruar nga shefi i qeverisë për të dhunuar qytetarët dhe për të shtypur protestën. Ndërkohë, ata njoftuan zhvendosjen e protestës së tyre para SPAK-ut në orën 10:00 këtë të mërkurë, ku do të dorëzojnë librin "Albanian Files", i cili, sipas tyre, mjafton për të arrestuar kryeministrin Rama. Pas më shumë se dy orësh qëndrimi, qytetarët nisën marshimin e tyre në rrugët e kryeqytetit.
Për të 31-ën ditë me radhë, qytetarët kanë vazhduar rezistencën dhe protestën e tyre kundër qeverisë socialiste dhe kryeministrit Edi Rama. Nga sheshi para Kryeministrisë, ata denoncuan dhunën e paprecedentë të ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve paqësorë para Parlamentit këtë të martë.
Ata akuzuan drejtuesit më të lartë të policisë se kishin marrë urdhra nga kryeministri për të dhunuar qytetarët dhe për të shtypur protestën. Qytetarët u bënë thirrje efektivëve të policisë të mos zbatojnë urdhrat e shefave të korruptuar, por të bashkohen me ta, pasi protesta e tyre është edhe për ta.
Ashtu siç kishin deklaruar edhe më parë, protestuesit kanë njoftuar se mëngjesin e së mërkurës do ta zhvendosin protestën e tyre te Prokuroria e Posaçme. Ata thanë se do të dorëzonin në SPAK librin "Albanian Files", i cili, sipas tyre, do të mjaftonte për të arrestuar kryeministrin më të korruptuar që ka pasur ndonjëherë ndonjë qeveri.
Pas më shumë se dy orësh qëndrimi para godinës së qeverisë, protestuesit kanë nisur marshimin e tyre në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve t'u bashkohen për të rrëzuar regjimin diktatorial të Edi Ramës.
© SYRI.net