Moderatori i emisionit “A Show”, Adi Krasta, zbriti në shesh për të qenë më pranë protestuesve dhe për të biseduar me ta lidhur me zhvillimet gjatë protestës.
Mes të intervistuarve ishte edhe Arvina Lleshi, studente në Fakultetin e Drejtësisë të Universiteti i Tiranës.
Gjatë bisedës, Krasta vlerësoi atmosferën që kishte karakterizuar protestat deri në atë moment, duke theksuar praninë e të rinjve, familjeve dhe karakterin paqësor të tubimit. Ai ngriti pyetjen se përse situata në protestën që u mbajt paraditen e sotme para Parlamentit u përshkallëzua papritur, duke përmendur edhe deklaratat e kryeministrit ndaj protestuesve dhe mënyrën e reagimit të policisë.
Në përgjigjen e saj, Arvina Lleshi u shpreh se protestuesit nuk kishin shkuar për t’u përballur me policinë apo për të ushtruar dhunë, por se, sipas saj, përshkallëzimi i situatës nisi nga efektivët e policisë.
“Nuk e prisnim sepse nuk shkuam atje për t’u dhunuar dhe për t’u konfliktuar me policët. Situata u përshkallëzua në këtë mënyrë për shkak të policëve, sepse ata ishin të parët që dhunuan dhe goditën qytetarët, siç është parë edhe në videot e publikuara në rrjetet sociale”, deklaroi ajo.
Lleshi shtoi se nuk e di arsyen e saktë të reagimit të policisë, por shprehu mendimin se efektivët ose donin të demonstronin forcën e tyre, ose ishin të udhëzuar nga pushteti për të ushtruar presion ndaj qytetarëve.
Sipas saj, protestuesit kanë ruajtur një qëndrim paqësor gjatë gjithë protestave. Ajo tha se madje disa aktivistë u kanë ofruar ujë edhe efektivëve të policisë që u prekën nga spraji i përdorur nga kolegët e tyre.
“Nga ana jonë ka qenë komplet paqësore. Se si u përshkallëzua nga ana e policisë, mbetet në përgjegjësinë e tyre”, përfundoi Lleshi.
Krasta: Dua të pyes Arvinën. Arvina, ka patur nga ajo që kemi kuptuar të gjithë, ka patur një, quhet 'magnanimity' nga njerëzit, ishin të mëdhenj, ishin përtej situatës që mund të komplikohet. Vajza të bukura, djem të mirë, të rinj, fëmijë të vegjël, qen e mace, si me thënë flamingo, kreativitet, bukuri e frazës, natyrisht kauza totalisht e drejtë. Të dukej sikur nuk do kishte komplikime. Pra në këtë marrëdhënien, e para me kryeministrin i cili nuk e ka fshehur tanimë 'disdain'-in e tij, ka thënë 'fuck you', ka thënë që nuk dini, ka thënë që jeni të përdorur, ka thënë që jeni pjesa e zezë e asaj që ai e quan pjesë të bardhë, po ndërkohë policia duket sikur nuk e ka tani veten në kontroll. Ke ti një shpjegim? Pse ka ndodhur kaq papritur sa ka ndodhur?
Arvina: Në fakt situata që u përshkruat është e vërtetë, mua më vjen shumë keq që situata u përshkallëzua në këtë lloj mënyre. Ne nuk e prisnim sepse nuk shkuam atje për t'u dhunuar dhe për t'u konfliktuar me policët. Situata u përshkallëzua në këtë lloj mënyre për shkak të policëve, sepse ata ishin të parët që dhunuan qytetarët dhe i goditën qytetarët, siç është parë dhe në videot që janë shpërndarë në rrjetet sociale. Nuk e di pse u përshkallëzua, mendoj që policët thjesht donin të tregonin atë forcën e tyre, ose mendoj që janë të udhëzuar nga pushteti për të treguar forcën mbi qytetarët, për t'ju treguar qytetarëve që ne ju kemi poshtë dhe ne bëjmë çfarë të duam me ju. Unë mendoj se qytetarët treguan qytetari si gjithmonë, siç e kemi treguar këto 31 ditë proteste, madje kishte disa aktivistë dhe protestues që ofruan dhe ujë policëve të cilët u dëmtuan për shkak të sprejt që hodhën kolegët e tyre. Pra nga ana jonë ka qenë komplet paqësore. Se si u përshkallëzua nga ana e policisë, mbetet në përgjegjësinë e tyre.
© SYRI.net