Moderatori i emisionit “A Show”, Adi Krasta, zbriti në shesh gjatë protestës për të qenë më pranë qytetarëve dhe për të biseduar me ta mbi zhvillimet dhe mesazhet që po përcilleshin nga tubimi.
Mes personave të intervistuar ishte edhe Etleva Merko, e cila u prezantua si mësuese dhe përfaqësuese e fushës së arsimit. Gjatë bisedës, Krasta theksoi se mesazhi kryesor i protestës ishte vazhdimi i saj deri në arritjen e objektivit të shpallur.
“Mesazhi që duam të japim sot është se kjo protestë do të vazhdojë deri në fund,” u shpreh moderatori, ndërsa protestuesja shtoi se protesta do të vijojë “deri sa të japë dorëheqjen kryeministri”.
E pyetur nga Krasta nëse protestuesit i njihnin kundërshtarët e tyre, Merko deklaroi se gjatë protestës kishte parë persona civilë, të cilët, sipas saj, kishin shkaktuar tensione.
“Në fund, pasi na shtynë dhe rrëzuan edhe zonjat që ishin aty, hodhën shashka. Civilë hodhën shashka, jo qytetarët. Ne kishim vetëm vezë dhe ato po përdornim në shenjë proteste,” tha ajo.
Në një moment të bisedës, protestuesja tregoi se, ndonëse mbante një vezë në dorë, nuk arriti ta hidhte.
“Më ngeli veza në dorë. Nga e gjithë qytetaria që kam, si një mësuese që vij nga fusha e arsimit, unë nuk gjuajta dot me vezë dhe vezën e mbajta në dorë deri në fund të protestës. Ky është qytetari në këtë shesh dhe në çdo shesh të Shqipërisë sot,” u shpreh ajo.
Protestuesja theksoi se qytetarët janë përpjekur të shmangin çdo provokim dhe se do të vazhdojnë ta bëjnë këtë me qytetari dhe vendosmëri.
Në përfundim të intervistës, protestuesja u shpreh se, sipas saj, qytetarët nuk kanë më frikë të marrin pjesë në protesta.
Krasta: Duhet t'i japim... dua të bëj një pyetje në raport me fokusimin. Pastaj do flasim pak për dedikimin, se ka shumë rëndësi të dimë. Mesazhi që duam të japim sot është: kjo protestë do të vazhdojë deri në fund. Ky është mesazhi, prandaj kam ardhur unë këtu sot.
Protestesja: Deri sa të japë dorëheqjen kryeministri.
Krasta: Deri sa të japë dorëheqjen kryeministri. Sigurisht, dorëheqja e kryeministrit. Po mirë, a i njihni kundërshtarët tuaj?
Protestesja: E njohim shumë mirë, se sa jetojmë... jetojmë në Shqipëri. Unë sot pashë dhe dua të ndaj një detaj. Te protesta kishte civilë. Civilë të cilët në fund fare pasi na shtynë, rrëzuan edhe zonjat që ishin aty, hodhën shashka. Civilë të cilët hodhën shashka. Nuk i hodhëm ne qytetarët. Ne kishim vezët dhe thjesht vezët po hidhnim...
Unë do të bëja një batutë për ta shtensionuar pak diskutimin.
Më ngeli veza në dorë. Nga e gjithë qytetaria që kam, si një mësuese që vij nga fusha e arsimit, unë nuk gjuajta dot me vezë dhe vezën e mbajta në dorë dhe në fund të protestës. Pra ky është qytetari në këtë shesh dhe në çdo shesh të Shqipërisë sot.
Krasta: Kjo që ti sapo the mua më preokupon shumë. Futja e njerëzve të specializuar nga jashtë, të cilët e dinë shumë mirë se si të shkaktojnë kaos, se si të shkaktojnë një precedent i cili mund të zhvillohet pastaj në gjëra të tjera.
Protestesja: Jemi munduar gjithmonë ti shmangim dhe deri në momentin e fundit ne do t'i shmangim. Do t'i shmangim me qytetari, me vendosmëri, sepse kështu jemi ne shqiptarët. Dhe ata që e duan këtë vend, ata që e duan shëndetësinë, ata që e duan arsimin, ata që e duan Shqipërinë, veprojnë çdo ditë në të njëjtën mënyrë në këtë shesh. Sepse ky shesh është sheshi më i bukur i Shqipërisë sot.
Unë them se shqiptarët këtë herë kanë vrarë frikën. Të gjithë mezi presin të mbarojnë ato punët e tyre dhe të vijnë përsëri në shesh. Një nga ato jam dhe unë e para. Pra, nuk kemi më atë frikën që 'oh kam vendin e punës, çfarë do ndodhi, do më heqin'. Jo, shqiptarët kanë vrarë frikën dhe ky është një mesazh shumë i fortë për pushtetin dhe ai prandaj ka filluar dhe ka reaguar dhe ka vënë në turmën e vet, çetën e madhe të hajdutëve, për të sulmuar qytetarët dhe këtë shesh të demokracisë. Por ne nuk do t'ia lejojmë, çdo ditë do të jemi edhe më shumë në këtë shesh dhe do të vijmë paqësisht.
© SYRI.net