William Bourdon, një nga juristët më të njohur në Francë, pjesë e shoqatës së Avokatëve të Parisit, i specializuar në krimet e jakave të bardha, ligjin e komunikimit dhe të drejtat e njeriut, ishte i pranishëm sot në A Show në SYRI TV.
I ftuar nga Adi Krasta, Bourdon foli pasi më parë kishte dhënë një intervistë për median franceze në lidhje me Revolucionin e Flamingove në Shqipëri.
Fillimisht, avokati i njohur tregoi se si ishte njohur me rastin e Shqipërisë. Sipas tij, ky nuk është një rast i veçuar, por një model që është shfaqur edhe në zona të tjera të mbrojtur të planetit.
Si një avokat që ka mbrojtur disa herë viktimat e globalizmit, Bourdon shpjegoi për Adi Krastën dhe shikuesit e SYRI TV se “propaganda cinike po përpiqet të instrumentalizojë zhvillimin”.
“Kjo strategji nuk merr në konsideratë interesin e publikut apo interesin e përgjithshëm. Zhvillim do të thotë respektim i interesit të përgjithshëm dhe ky është një projekt për interesa private për të pasuruar miliarderët”, tha ai, duke nënvizuar se investitorët nuk shqetësohen për biodiversitetin.
Duke u ndaluar tek mënyra se si Edi Rama ka sulmuar protestuesit si një autokrat me gjuhë të ngarkuar me urrejtje, shpifje dhe fyerje, avokati vlerësoi fillimisht se ‘guximi i popullit shqiptar është një shembull për Evropën dhe komunitetin ndërkombëtar’.
“Kjo është një metodë e cila përdoret nga shumë regjime: abuzimi i pushtetit për t’u pasuruar, për të përçmuar njerëzit, për të përdorur falsifikimin si një paradigmë e pushtetit”.
“Së bashku me kolegët e mi në mbarë botën, unë mbështes popullin shqiptar, mbështes popullin në Shqipëri, në Siri, në Maldive, nuk e nënvlerësoj aspak vështirësitë, pengesat me të cilat përballet. Populli shqiptar na ka përcjellë një mesazh shumë të fortë se ka ende shpresë, se ka ende mundësi për t’i dhënë fund logjikës mafioze, strategjisë së oligarkisë mafioze në mbarë botën, e cila preferon të pasurohet në kurriz të të tjerëve”, theksoi avokati.
I pyetur se çfarë mund të bëjë më shumë SPAK dhe drejtësia, avokati i njohur francez tha se ‘është një barrë që e kanë mbi supe të gjithë juristët në botë’.
“Jemi të angazhuar të gjithë për ta mbështetur popullin shqiptar,” tha avokati.
“Në fund do të dalim me një histori, atë që e quajmë rënia e mburojës së fundit për t’i dhënë fund lakmisë. Ne tani do gjejmë mënyra për të mbështetur OJF-të shqiptare që kanë vepruar në mënyrë të guximshme.
Dhe dua të them se unë jam këtu në dispozicion të popullit shqiptar, të shoqatave, të OJF-ve, të sindikatave, së bashku me kolegë të tjerë të mbarë botës, me magjistratë, me gjyqtarë për t’u mbështetur ju me çfarëdo gjëje që ne mund ta realizojmë për t’i dhënë fund kësaj lakmie universale e cila përbën një rrezik vdekjeprurës për të gjithë njerëzimin”.
INTERVISTA E PLOTE
Adi Krasta: Unë e kam parë me kujdes intervistën të cilën ju e dhatë para pak ditësh ku folët për të ashtuquajturin revolucioni i flamingove. Si ka mundësi që Shqipëria, Sazani, Zvërneci dhe revolucioni i flamingove dhe shqiptarët në përgjithësi erdhën në vëmendjen tuaj?
William Bourdon: Më erdhi në vëmendje sepse më njoftoi një OJF dhe më këshilloi që të flisja me një grup personash, individësh, personazh kyç, të cilët kishin marrë një leje ndërtimi në Seychelles me idenë për të investuar në një zonë të mbrojtur të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Dhe atje kishin në plan që të ndërtonin një resort luksoz, pra ishin miliarderë. Mirëpo rreziku ishte shumë i lartë sepse do të shkatërrohej thesar i biodiversitetit. E njëjta grup kompanish që zhvillon punën në Seychelles është po e njëjta e cila do të zhvillojë punimet në Shqipëri. Me fjalë të tjera, flamingot dhe breshkat e Seychelles bëjnë pjesë në të njëjtin kërcënim që i kanoset prej këtij grupi. Janë dy vëllezër miliarderë të cilët janë të vendosur në Katar dhe këta janë investitorët. Ne e konsiderojmë këtë një model global, një strategji globale e cila i kërkon shoqërisë civile, shoqërive ndërkombëtare, shoqërisë civile shqiptare të mobilizohet, të tregohet sa më tepër sulmuese në mënyrë që t'i japë fund këtij projekti, privatizimit të Nartës, privatizimit të këtij ishulli të veçantë që të mos shkaktojë dëm në biodiversitet. Pra, këta persona janë të frymëzuar nga e njëjta lakmi dhe nga i njëjti kapacitet për të shkelur të drejtën kombëtare, të drejtën ndërkombëtare. Ndjekin të njëjtën strategji, me anë të korrupsionit për të përfituar prej autoriteteve politike. Janë të njëjtët armiq, si ata në Seychelles kundër breshkave, si ata këtu në Shqipëri kundër flamingove. Janë ata të cilët shkelin biodiversitetin dhe shtetin e së drejtës.
Adi Krasta: Zoti Burdon, fusha juaj e ekspertizës lidhet me viktimat e globalizimit si një proces dhe ju keni mbrojtur persona të cilët dëmtohen prej lakmisë të kompanive të ndryshme, dhe në kapitalizmin e sotëm prej lakmisë dhe prej përçmimit të ligjit, këto kompani mund të tregohen shumë kërcënuese. Ne kemi dëgjuar nga kryeministri shqiptar një fjalë që përdoret jashtëzakonisht shumë, në një formë gjithnjë e më të zgjeruar, që është fjala "zhvillim". Ai mendon se e kupton më mirë se ne. Popullsia shqiptare është e paditur, nuk arrin të kuptojë se ç'është zhvillimi. Zhvillimi kuptohet dhe njihet vetëm prej kryeministrit Rama dhe ndonjë oligarku apo ndonjë klienti të tij. A mund të na shpjegoni optikën tuaj, se si zhvillimi, në thonjëza siç e parashtron kryeministri, nuk ndihmon popullsinë, jetën, demokracinë, por së pari mund të jetë kërcënues?
William Bourdon: Ky është manipulim. Është një propagandë cinike që përpiqet të instrumentalizojë zhvillimin. Dhe patjetër që është një propagandë cinike, vicioze, e mbështetur në një strategji që nuk merr në konsideratë interesin e publikut apo interesin e përgjithshëm. Zhvillim do të thotë respektimi i interesit të përgjithshëm dhe të përbashkët dhe këtu nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin. Është një plan, një projekt për interesa plotësisht private, për të pasuruar miliarderët dhe për t'u dhënë mundësi të tjera miliarderëve të tjerë për të shijuar jetën pranë bregdetit tuaj, pranë flamingove, duke mos marrë në konsideratë shkatërrimin e biodiversitetit. Do të thotë se ata të cilët e përdorin këtë term, janë bashkëfajtorë në një operacion i cili po zhvillohet jo vetëm për Nartën apo për Seychelles, por po zhvillohet kundër të gjithë njerëzimit. E dimë se planeti është i rrezikuar, ne mbajmë përgjegjësi për fëmijët dhe foshnjat. Ata të cilët janë zgjedhur për të mbrojtur të mirën publike duhet të konsiderojnë se ky operacion i zhvilluar nga Kushner dhe këta mafiozë, sepse është një logjikë mafioze e vëllezërve Al Kajat, janë armiq të njerëzimit, interesit publik dhe të demokracisë.
Adi Krasta: Më lejoni t'ju bëj dhe një pyetje të rëndësishme. Për herë të parë para disa ditësh, kryeministri Rama u shpreh se në qoftë se njerëzit apo gazetarët e Financial Times e quajnë atë drejtues të një narko-shteti, apo Eskobari i Shqipërisë lidhur me krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe narkotrafikimin, ai tha se barra e provës nuk është e tij, por është e popullit. Ju jeni një prej juristëve më të mirë në Evropë. Kur të gjithë e dinin në Evropë se Hitleri po shkaktonte Holokaustin, apo Stalini pogromet, apo Enver Hoxha diktaturën, njerëzve nuk u duheshin fakte sepse e provonin në lëkurën e tyre. Si mund t'ia bëjmë të qartë se ne e dimë se çfarë është kjo?
William Bourdon: Është një pyetje me shumë rëndësi. Dua të shpreh mirënjohjen për vendosmërinë, për guximin e popullit shqiptar, i cili është shembull për Evropën dhe komunitetin ndërkombëtar. Është një metodë e cila përdoret nga shumë regjime: abuzimi i pushtetit për t'u pasuruar, për të përçmuar njerëzit, për të përdorur falsifikimin si një paradigmë të përhershme të pushtetit. Së bashku me kolegët e mi juristë të mbarë botës, unë mbështes popullin shqiptar. Populli shqiptar na ka përcjellë një mesazh shumë të fortë se ka ende shpresë për t'i dhënë fund logjikës mafioze, strategjisë së oligarkisë mafioze e cila preferon të pasurohet në kurriz të të tjerëve, të biodiversitetit dhe njerëzimit.
Adi Krasta: Meqenëse ju jeni një prej juristëve më të njohur në Evropë, dua t'ju bëj një pyetje e cila na prek. Ne kemi një autoritet që quhet SPAK, i cili merret me hetimin e korrupsionit në nivelet e larta. Për SPAK-un populli shqiptar ka pasur pritshmëri të mëdha, megjithatë së pari nuk po vepron në një mënyrë të hapur dhe së dyti po fshihet pas justifikimit se nuk mund të komentojë. Ne nuk e dimë se çfarë ndodh. SPAK-u mund të bëjë më shumë. Ju i njihni trupat gjyqësore, ato ecin ngadalë. Si mundet ne populli shqiptar të ushtrojmë trysni ndaj SPAK-ut?
William Bourdon: Është një barrë që e kemi mbi supe të gjithë juristët dhe aktivistët në botë, dhe jemi të angazhuar për të mbështetur popullin shqiptar. Ne tani po përpiqemi të gjejmë mënyra se si mund të mbështesim OJF-të shqiptare. Unë jam këtu në dispozicion të popullit shqiptar, shoqatave, OJF-ve, së bashku me kolegë të mbarë botës, magjistratë e gjyqtarë, për t'ju mbështetur për çfarëdo gjëje që mund ta realizojmë. Do ta realizojmë në mënyrë që t'i japim fund kësaj lakmie universale e cila përbën rrezik të tmerrshëm.
© SYRI.net