Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja e njohur si ‘Aruba’, personazhet e së cilës, rezultojnë të përfshirë në pastrim parash e trafik droge.
Sipas një dokumenti të publikuar nga weblajm.com, rezulton se në përgjime është kapur edhe kryebashkiaku socialist i Himarës, Vangjel Tavo, i cili gjatë vitit 2024 komunikon me një prej këtyre shtetasve me fjalët: ‘Unë jam Vangjel Tavo, numrin ma dha Muli.’
Lidhur me këtë bisedë, SPAK shprehet se nuk ka konstatuar elementë të veprës penale, por thekson se: ‘Evidentohet me interes fakti se shtetasi Vangjel Tavo, kryetari i Bashkisë Himarë, thotë se numrin ia ka dhënë Muli.’. Në përfundim të bisedës, L. B. i thotë Vangjel Tavos se do të kërkojë ta takojë.
Ndërkohë, po sipas dosjes, rezulton se në biseda për një aferë prej 6.000 m² në zonën e Dukatit, trafikantët i kanë vënë syrin edhe Gjirit të Gramës. Në një prej bisedave, ata flasin për rreth 3 milionë m² prona në këtë gji dhe nisin të projektojnë tjetërsimin e tyre.
E ashtuquajtura ‘Dosja Aruba’ lidhet me një hetim ndërkombëtar për një rrjet të dyshuar të trafikimit të kokainës dhe pastrimit të parave, i cili, përmban të dhëna që hedhin dyshime edhe mbi lidhje të mundshme me zyrtarë të lartë shqiptarë.
Sipas raportimeve, materiali hetimor përfshin informacione për investimin e parave të dyshuara kriminale në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme në Shqipëri, ndërsa dosja është nën hetim nga SPAK.
Nga përgjimet e publikuara në media, rezulton se në këtë dosje janë të përfshirë edhe ambasadorë e seli diplomatike, ndërsa deri më tani, SPAK, nuk ka njoftuar publikisht akuza ndaj zyrtarëve politikë.
© SYRI.net