Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, Blendi Himçi, deklaroi në një intervistë për SYRI TV se korrupsioni, krimi i organizuar dhe arroganca e qeverisë janë, sipas tij, tre faktorët kryesorë që kanë shtyrë qytetarët të dalin në protestë.
Himçi u shpreh se qytetarët përballen çdo ditë me këto fenomene, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se, sa herë përballet me pakënaqësi publike, kërkon të gjejë fajtorë të tjerë, duke shmangur përgjegjësinë politike.
Sipas deputetit demokrat, protestat kanë lindur si reagim ndaj situatës në Zvërnec, por tashmë kanë marrë një karakter të gjerë politik, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit.
Himçi deklaroi se ndryshimet ligjore të vitit 2024 për zonat e mbrojtura janë bërë për interesa klienteliste, me qëllim favorizimin e investimeve strategjike në turizëm. Ai akuzoi qeverinë për krijimin e një sistemi klientelist dhe pretendoi se ligjet janë hartuar për të favorizuar interesa të caktuara.
Deputeti i PD-së i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë dhe të marrë të pandehur kryeministrin Edi Rama për atë që e cilësoi si “afera korruptive e Zvërnecit”. Sipas tij, Prokuroria e Posaçme po vepron me standarde të dyfishta, duke qenë, sipas tij, e rezervuar ndaj qeverisë.
Në vijim të intervistës, Himçi akuzoi qeverinë se ka institucionalizuar korrupsionin dhe se, sipas tij, paratë e krimit të organizuar përdoren për të ndikuar në proceset zgjedhore dhe në sektorin e ndërtimit. Ai u shpreh se Shqipëria është kthyer në një qendër të pastrimit të parave dhe kërkoi hetime më të thelluara nga organet ligjzbatuese.
Sipas Himçit, opozita do të vijojë të mbështesë protestat, ndërsa kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Himçi:
Do të thoja që sigurisht në këtë aspekt, qoftë të korrupsionit, qoftë arrogancës, qoftë edhe të krimit të organizuar, janë tre elementë që sot qytetarët hasin çdo ditë dhe kjo është edhe shkaku i të dalurit në protestë. Në arenën ndërkombëtare në mënyrë të padiskutueshme ajo aureolë që kishte ngritur Edi Rama të kredibilitetit edhe të një njeriu që drejtonte dhe vendoste në lidhje jo vetëm me politikat ballkanike por ndoshta dhe për europianët, sot neve konstatojmë një Edi Ramë që është në rënie të lirë dhe ku konstaton që një ditë janë agjentë rusë, një ditë janë agjentë iranianë, ku një ditë tjetër mendojnë që algoritmet e agjenturave të fqinjëve po bëjnë këtë fryrje do të thoja të protestës, ndërkohë që qytetarët janë një realitet dhe janë përditë në protestë. Sa herë Edi Rama është në vështirësi gjithmonë ka një fajtor, por vetëm ai nuk është fajtor. E them këtë në aspektin, ju e mbani mend protestën e studentëve, fajtorë dolën pedagogët.
E mbani mend rastin kur ndodhi tërmeti, kush ishin fajtorët? Ishin inxhinierët, firmat ndërtuese të cilët kishin ndërtuar pa kriter, po fajtor ai nuk ishte aspak. Ndodhi pandemia, fajtorë dolën mjekët, infermierët, doli e tirja pastruesja dhe nuk doli... Dhe në këtë rastin që ne flasim, qoftë edhe me disa emra protestuesish të cilët janë organizatorë të kësaj proteste që vijnë nga shoqëria civile, pa diskutim edhe këto janë anatemuar qoftë nga Edi Rama, qoftë të udhëzuar edhe vetë deputetët të cilët anatemojnë çdo personazh dhe çdo figurë, duke quajtur dhe mbeturina sociale, me terma rrugaçërore të një politikani apo të një kreu shteti i cili kurrsesi nuk mund të përdorësh terma ofendues ndaj protestuesve. Ku një ditë hipokrizia e tij thotë mbështes protestën e atyre njerëzve të cilët neve duhet edhe të reflektojmë, por nga ana tjetër anatemon protestuesit, dhunon protestuesit, i arreston protestuesit dhe jemi në një paradoks total dhe në një kaos total ku Edi Rama shpall gjithmonë një fajtor dhe sot kërkoi një fajtor. Edhe nga diskutimi që pati kërkoi një fajtor dhe nxorri fajtor që ishte administrata, që kishte sjellë këtë lloj pakënaqësie popullore.
Jo nuk janë, nuk është kjo. Këto janë elementë aksesorë të një administrate totalisht të patronazhuar dhe aspak efiçente, por nga ana tjetër nuk janë këto shkaqet kryesore për të cilat sot shqiptarët dalin në protestë. Është vetëm mënyra për të mbrojtur korrupsionin e tij, interesat e tij... Sepse ka krijuar një shtet totalisht klientelist. Jemi para një shteti totalisht klientelist ku oligarkë të caktuar, njerëz të krimit të lidhur edhe nga përgjimet e Arubës e kanë vendosur Shqipërinë në tavolinë dhe po ndajnë copat. Dhe Zvërneci ka qenë linjë e logjikës së Arubës.
E sjell kjo nga organet ligjzbatuese të huaja të cilat i kanë vënë në dispozicion tashmë SPAK-ut dhe SPAK ka regjistruar një hetim ku përmendet për herë të parë dhe Aruba dhe ku ka pasur dhe politikanë të cilët kanë diskutuar në lidhje me Zvërnecin dhe për pjesëtimin e saj. Jo më shumë se dy ditë më parë ne patëm një takim me trojkën e eurodeputetëve të cilët kishin ardhur të interesuar për protestën dhe unë kam qenë pjesë e Komisionit për Çështjet Evropiane, në të cilën na u kërkua pasi kanë vizituar edhe vetë Zvërnecin, dhe kanë konstatuar me keqardhje 7.5 kilometra rrugë që vazhdojnë dhe ndërtohen dhe nuk ka asnjë ndalim. Janë 7.5 kilometra rrugë të brenda në parkun e Zvërnecit.
Sigurisht vazhdohet dhe po vendoset para faktit të kryer. Ndërkohë që me insistim eurodeputetët kanë kërkuar abrogimin e këtij ligji për të mos vepruar më, nga ana tjetër heshtja e qeverisë dhe e vetë Edi Ramës në lidhje me këtë ligj, ku nuk shprehet fare nëse duhet hequr apo duhet mbajtur ky ligj. Mos harrojmë që ky ligj në vitin 2024 u ndryshua nga ai i 2017-ës për interesa klienteliste duke i kthyer zonat e mbrojtura në 5 zonat nën mbrojtje dhe ku mund të investoheshin për qëllime strategjike turizmi. Pra, u krijua ligji klientelist për faktin e vetëm që disa të themi oligarkë apo persona të cilët kanë ardhur për të pastruar paratë në Shqipëri, të krijonin sigurisht elementë apo kompani guackë siç e keni parë dhe siç e kemi diskutuar dhe kanë krijuar një panoramë të plotë tashmë që ligjet në Shqipëri bëhen klienteliste. Ndërkohë që SPAK-u, dhe këtë e theksoj, duhet ta kishte marrë Edi Ramën tashmë të pandehur për krijimin e një ligji klientelist.
Po ky është standardi që ka vendosur SPAK-u. Pra jemi me dy standarde nga ana e SPAK-ut. SPAK-u është shumë i brishtë, është shumë i ndrojtur nga qeveria dhe sot që ne flasim dhe është ngritur gjithë kjo lloj problematike goxha e madhe, ajo që konstatoj me keqardhje është që thoni pse e sulmoni SPAK-un kur i drejtoheni SPAK-ut. Sigurisht ne i drejtohemi institucionalisht SPAK-ut, sepse është organi të cilit ne për procedurë duhet t'i drejtohemi. Por unë e inkurajoj SPAK-un që ta marrë të pandehur Edi Ramën pikërisht për këtë aferë të mirëfilltë korruptive siç është parku i Zvërnecit. Ku pa leje ndërtimi, janë ndërtuar 7.5 kilometra rrugë, janë në proces, është hapur zhavor, janë gërmuar, janë prerë pemë... 7.5 kilometra rrugë. Është ndërtuar një urë, na thanë eurodeputetët.
© SYRI.net