Në fjalën e saj në ditën e 31-të të protestës kombëtare ku kërkohet dorëheqja e Edi Ramës, aktivistja Sidorela Vatnikaj u shpreh se protestuesit kanë përsëritur për 30 ditë me radhë se qëndrimi i tyre është paqësor, por janë përballur me veprime të dhunshme nga policia.
Ajo deklaroi se disa prej protestuesve janë shoqëruar me forcë, duke i cilësuar këto veprime si të pajustifikuara, ndërsa akuzoi drejtues të institucioneve dhe qeverinë për lidhje me krimin dhe për përdorim të strukturave shtetërore ndaj qytetarëve.
Vatnikaj u shpreh se dhuna e ushtruar, tregon frikën e autoriteteve, ndërsa theksoi se protestuesit do të vazhdojnë të qëndrojnë në shesh pavarësisht presioneve. Ajo deklaroi se synimi i tyre është një ndryshim politik dhe institucional, ku, sipas saj, policia dhe qeveria të mos jenë të ndikuara nga krimi dhe qytetarët të mos përballen me dhunë gjatë protestave.
‘Për 30 ditë me radhë i kemi thënë Policisë së Shtetit se jemi këtu paqësisht. 6 shokët tanë u tërhoqën zvarrë vetëm sepse protestuan, ju themi ne nuk jemi kriminelë, kriminelë janë shefat tuaj që bashkëpunojnë me krimin. Kriminel është kryeministri i vendit që bashkëpunon me krmin. Kriminele është qeveria e Edi Ramës që është e gjitha në SPAK. Dhuna që kanë ushtruar sot tregon vetëm frikën e tyre, sa më shumë frikë ata aq më shumë guxim ne. Sa më shumë të na rrihni e tërhiqni zvarrë do të vijmë më shumë këtu. Jemi këtu për një Shqipëri të re ku policia dhe qeveria nuk drejtohen nga krimi. Ku policia nuk na tërheq zvarrë. Jemi për revolucion paqësor, mos na provokoni”, tha ajo.
© SYRI.net