Rilindja t’i japë tekstet shkollore falas, kurse PD të kursejë `lotët e krokodilit`

Rilindja t’i japë tekstet shkollore falas, kurse PD të kursejë `lotët e krokodilit`

11:55, 29/08/2017
A+ Aa A-

Partia Zgjidhja, e drejtuar nga Koço Kokëdhima u bëri sot thirrje autoriteteve shtetërore, që të shpërndajnë falas si dhe pa radhë të lodhshme tekstet shkollorë për arsimin parauniversitar, që do të nisë më 11 Shtator. Në një reagim në Facebook, ZGJIDHJA këshilloi edhe PD-në që të mos lëshojë “lotë krokodili” për nxënësit shqiptarë, kur ajo sa ishte në qeveri vetëm sa i shtrenjtoi tekstet, duke i bërë biznes fitimprurës për klientët e qeverisë. 

Statusi i plotë në Facebook

“Dhjetëra mijëra prindër dhe nxënës të arsimit parauniversitar po përballen prej 25 gushtit me radhë të gjata për të blerë tekstet shkollore. Nga Tirana në periferitë e vendit, Ministria e Arsimit ka hapur shumë pak pika të autorizuara për shitjen e teksteve, duke i bërë një nisje të shëmtuar vitit të ri shkollor 2017-2018.

Zgjidhja i bën thirrje ministrisë së Arsimit që të reagojë në kohë dhe të bëjë të mundur, që shpërndarja e teksteve në shkolla, të jetë një festë për prindërit dhe nxënësit dhe jo një vuajtje e pamundësi për ta.

Zgjidhja e vlerëson të dhimbshëm faktin se Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku tekstet shkollore shiten, në vend që të jepen falas.

Këshillojmë drejtuesit më të lartë të PD-së, që të kursejnë “lotët e krokodilit” që po derdhin këto ditë për nxënësit dhe prindërit shqiptarë.

Për 13 vite në pushtet, PD-ja vetëm sa i shtrenjtoi tekstet për nxënësit e arsimit parauniversitar. Botimi dhe shpërndarja e teksteve u bë minierë ari për qeveritarët e saj dhe bizneset e lidhura me ta.

Futja e Altertekstit i bastardoi kurrikulat, u la hapësirë lloj-lloj teksteve shkollorë dhe jashtëshkollorë, aq sa gati çdo shkollë kishte tekstin e vet për çdo lëndë, me autorë dhe përmbajtje diletante, mbushur me pasaktësi dhe plot gabime. Kjo ishte një goditje e rëndë për kurrikulën shkollore. Heqja e Alertekstit ishte njëra prej punëve të pakta pozitive që bëri qeveria e Rilindjes më 2014-ën.

Zgjidhja mbështet propozimin që shpërndarja e teksteve shkollore për arsimin parauniversitar të bëhet falas për të gjithë nxënësit shqiptarë dhe tekstet shkollore të mos jenë burim pasurimi për shtëpitë botuese pas të cilave fshihen zyrtarët e lartë, që ndajnë mes tyre fondin 15 milionë dollarë.

Zgjidhja, gjithashtu, kërkon që të vijojë edhe më tej unifikimi i teksteve shkollore me Kosovën dhe të dyja shtetet bashkë të ndihmojnë me tekste dhe mjetet didaktike shkollat dhe gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës, në Greqi, Itali dhe kudo ku ka shqiptarë që ata të mos i humbin gjuhën, historinë dhe traditat tona”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco