Lideri i opozitës Sali Berisha ka zhvillura gkjatë mesditës së sotme një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale.
“Përshëndes të gjithë qytetarët që janë ngritur në protestë kundër narkokraturës së Edi Ramës!”. “Dënoj me forcë krahasimin që Rama u bëri protestuesve me falangat e Hitlerit”, tha kreu demokrat në nisje të bashkëbisedimit.
Berisha: Së pari, një përshëndetje të përzemërt të gjithë qytetarëve shqiptarë në protestë kundër narkokraturës kleptokratike të Edi Ramës.
Dje, Evropa dhe botë dëgjoi më fuqishëm se kurrë zërin e shqiptarëve jo vetëm në Tiranë dhe në qytetet e tjera të vendit, por dhe në metropolet kryesore të Evropës dhe sot në SHBA shqiptarët protestojnë pranë përfaqësive të narkokratit Edi Rama.
Unë gjithashtu dua të dënoj me forcën më të madhe krahasimin që Edi Rama u bëri protestuesve me falangat e Hitlerit.
Ky është një akt jashtëzakonisht i rëndë.
Dje, në përçartjet e tij, ai u rrek të krahasojë të pavdekshmin, luftëtarin e lirisë, Mithat Frashëri me Adolf Hitlerin, barbarin e kohërave për fajin e vetëm se ata protestuesit përdorin një slogan të mirënjohur të Mithat Frashërit, kreut të Ballit Kombëtar, projekti i të cilit për Shqipërinë ishte projekti më madhështor i kohës.
Të krahasosh sloganin e Mithat Frashërit ‘Shqipëria, shqiptarëve’, me sloganin e Adolf Hitlerit se ky vend është vetëm i juaji, me të cilin ai organizoi Holokaustin, krimin e njerëzimit më të shëmtuar të kohërave, do të thotë të jesh i çmendur, do të thotë të kesh humbur çdo sens nga realiteti yt.
Edi Rama është tashmë i damkosur si kurrë më parë para shqiptarëve dhe botës.
Deklaron në mediat më të mëdha të botës me paturpësinë më të madhe se jemi në një luftë hibride duke aluduar kështu se Greqia apo ndonjë vend tjetër po bën gjithçka për të bllokuar investimet dhe turizmin, një idiotësi e pashoqe.
Greqia, e cila ka mbi 3 mijë kilometra brigje, dhe ka brigjet më të bukura dhe ujërat të përshtatshme, paska problem të madh se në Shqipëri u investokan 2 apo 3 miliardë euro.
Është pikërisht psikologjia e trashëguar e atit të tij shpirtëror, Enver Hoxhës, për armikun e brendshëm dhe të jashtëm, e atit të tij biologjik që firmoste varjen në litar të Havzi Nelës si kundërshtar politik, ajo që e shtyn Ramaduron t’u vendosë epitete nga më të ndryshme dhe mediat e tij.
© SYRI.net