“PD ka votuar kundër dhe ka çuar në gjykatë ligjin për zonat e mbrojtura”. Kështu u shpreh kreu i PD duke ju përgjigjur pyetjes së një qytetari.
Griselda Selimaj: Z. Berisha prej 6 ditësh qytetarët dhe aktivistët protestojnë me të drejtë kundër projektit të Zvërnecit dhe ligjit që shkatërron zonat e mbrojtura, duke e cilësuar këtë si një aferë të radhës korruptive të kësaj qeverie. Ne e dimë që PD ka mbajtur gjithmonë qëndrim parimor dhe në mbrojtje të interesit publik dhe pronës kombëtare. Nisur nga kjo situatë, ku ndjeshmëria qytetare është shumë e lartë, si mendon opozita ta bashkojë forcën e saj politike me këtë reagim të shoqërisë civile për të ndalur këtë projekt në Zvërnec. Dhe konkretisht, cili është zotimi i programit të PD-së për të anuluar këto ligje klienteliste dhe për të garantuar që pas ndryshimit të pushtetit, pasuritë tona natyrore si Narta dhe Zvërneci do t'u kthehen qytetarëve dhe nuk do të preken më kurrë.
Sali Berisha: Faleminderit shumë për pyetjen. Qëndrimi i Partisë Demokratike ndaj protestës ka qenë, ne mbështesim çdo protestë dhe në këtë protestë kanë marrë pjesë pa asnjë lloj kufizimi të gjithë ata që e kanë konsideruar kauzë të drejtë për të protestuar. Përsa i përket kërkesave, unë i pashë pesë kërkesat e përfaqësuesve.
Kjo është protestë qytetare dhe e tillë është e vërteta e saj. E shoqërisë civile, dakord, sepse kanë treguar një... dua ta them këtu. Kanë treguar një shkallë ndërgjegjësimi shumë të lartë.
E thoshte bukur një analist, është brezi digjital. Është brezi i informacionit të gjerë. Brezi i inteligjencës artificiale.
Pra, në këtë kuadër, ju rikujtoj se Partia Demokratike ka votuar kundër dhe ka çuar në gjykatë ligjin e zonave të mbrojtura të tij. Shëmtimin që i bëri këtij ligji. E ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e ka votuar kundër dhe e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese. Partia Demokratike dha shembullin. E spostuam disa kilometra autostradën, Levan-Vlorë, na kushtoi 20 milionë dhe pothuajse 18 muaj vonesë dhe një urë më shumë sapo u gjet, por u mbrojt, ne jemi për mbrojtjen e zonave.
Të gjitha çështjet e ngritura nga shoqëria civile dhe qytetarët në ato pika të shpallura, janë të drejta dhe kanë patur kundërshtimin e hapur në parlament, në gjykatë dhe jemi të gatshëm t'i votojmë që nesër. Pra, Edi Rama u thotë protestuesve ‘Après moi, le déluge’ (Pas meje, gremina).
‘Pas teje është e ardhmja e shqiptarëve e sigurt. Me ty është gremina’. I them sot këtu.
© SYRI.net