Protesta e qytetarëve në Durrës ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme, ku qindra protestues kanë marshuar në qendër të qytetit për të shprehur pakënaqësitë e tyre, ndërsa më pas tubimi ka vazhduar me mbajtjen e fjalimeve nga pjesëmarrësit.
Gjatë marshimit dhe tubimit, qytetarët kanë brohoritur në kor thirrje si: “Nuk duam të jemi emigrantë ne dhe turistë e të huaj në vendin tonë”, si dhe “Dorëheqje”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj politikave dhe veprimeve të institucioneve shtetërore.
Tubimi në Durrës vjen në vazhdën e protestave të ditëve të fundit, të organizuara kundër dhunës së ushtruar nga policia dhe asaj që protestuesit e konsiderojnë mungesë transparence nga ana e qeverisë lidhur me zhvillimet në Zvërnec.
Protesta të ngjashme janë zhvilluar jo vetëm në Vlorë, por edhe në qytete të tjera të vendit, ku qytetarët kanë kërkuar sqarime, përgjegjësi institucionale dhe më shumë transparencë.
© SYRI.net