Florjan Binaj, i ftuar në “ÇIM PEKA LIVE”, u shpreh se protestat e të rinjve nuk janë thjesht një reagim spontan, por një reflektim i pakënaqësisë së thellë ndaj 13-14 viteve politikash të dështuara të kësaj qeverie.
Ai theksoi se shtresa më e shpërfillur, të rinjtë, janë lënë jashtë çdo vëmendjeje publike dhe përballen me modele suksesi të rreme, ndërsa propaganda qeveritare përpiqet t’i paraqesë çdo dështim si sukses.
Binaj nënvizoi se kjo mungesë përfaqësimi ka ndezur kreativitetin e brezit të ri në sheshe, i cili përmes meme-ve dhe posterave sfidon hapur strukturat patronazhiste dhe kaosin e krijuar nga qeverisja aktuale, duke rikthyer hapësirën publike tek qytetarët.
Pjesë nga deklarata:
Politika të cilat, prej 13-14 vjetësh, të kësaj qeverie nuk kanë funksionuar. Dhe kjo qeveri vazhdon t’i shesë si suksese çdo dështim, dhe të shesë si çdo dështim çdo sukses.
Dhe kjo propagandë, kjo propagandë që nuk ka rëndësi se si është në të vërtetë realiteti, por se si duket. Se si e shesim ne me diellin që lind nga veriu e me miliardat e miliarda të turistëve që vijnë këtu, po që në fakt nuk po shohim asnjë gjë të mirë. Kjo ishte pika që derdhi kupën e shumë padrejtësive që janë bërë, sidomos ndaj rinisë.
Arsyeja pse ka aq shumë të rinj dhe të reja në shesh në këtë protestë është sepse shtresa më e papërkrahur, më e shpërfillur në këto 13 vite. Është shtresa që nuk e gjen në asnjë emision, në asnjë televizion, në asnjë program. E gjen vetëm nëpër cepa të gjimnazeve, nëpër cepa të shkollave, duke ndjekur ato modele suksesi të dështuara që i shet kjo qeveri, të cilët po i shohim sot.
Këta influencat, këta VIP-at, këta e të tjerë e të tjerë me radhë, që kanë qenë thjesht një flluskë e madhe sapuni, sepse nuk po u ndihet goja. Prandaj ka aq shumë të rinj, dhe e bukura e kësaj proteste, për të cilën unë jam shumë krenar që jam pjesë e saj, është që këta patronazhistët nuk e sfidojnë dot, sepse nuk kanë atë aftësi krijuese që ka ky brez i ri me këto meme, me këto posterë. Sepse ata ndihen të papërfaqësuar.
Kjo është arsyeja kryesore. Janë 13-14 vite politika të gabuara, një kaos i madh i ndërtuar nga kjo qeveri dhe ky kryeministër, i cili thotë: “Pse mërziteni ju nga kaosi që kam krijuar unë? Pse protestoni ju për këtë kaos që kam krijuar?” Kjo është në thelb, me pak fjalë, kuptimi i protestës.
© SYRI.net