'Ambasador në Shqipëri'/ Eric Wendt merr pëlqimin e Komitetit të Senatit

'Ambasador në Shqipëri'/ Eric Wendt merr pëlqimin e Komitetit të Senatit

22:14, 04/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit Amerikan ka miratuar këtë të enjte kandidaturën e Gjeneralit në pension Eric Wendt për postin e Ambasadorit të ardhshëm të SHBA-së në Shqipëri.

Me 19 vota pro dhe 3 kundër, komiteti i ka dhënë dritën jeshile propozimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Emri i tij pritet të kalojë në seancën plenare të Senatit që do të thotë fjalën e fundit.

Emërimi i Wendt u mbështet nga shumica e anëtarëve të komisionit, përfshirë senatorë nga të dyja partitë kryesore, në një votim që e çon kandidaturën një hap më afër konfirmimit final në Senat.

Kush është Eric Wendt?

Eric P. Wendt i përket një brezi oficerësh amerikanë që u formuan në fundin e Luftës së Ftohtë dhe u testuan në terrenet më komplekse të sigurisë globale në dekadat që pasuan.

I dalë nga programi ROTC në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, në vitin 1986, ai hyri në Ushtri si një oficer këmbësorie, por shumë shpejt e orientoi karrierën drejt botës më elitare dhe të padukshme të operacioneve speciale.

Raporti nënvizon përvojën e tij të gjatë ushtarake dhe aftësitë drejtuese si bazë për emërimin në Tiranë, duke e konsideruar kandidaturën e tij të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA-së dhe Shqipërisë.

Gjeneral Lejtnant në pension Eric Wendt punon si Profesor i Praktikës, duke dhënë mësim mbi Komandimin dhe Lidershipin në Shkollën Pasuniversitare të Marinës (Naval Postgraduate School – NPS).

Kur ishte ende në shërbim aktiv me uniformë si gjeneral, ai ishte i angazhuar në Evropë dhe shërbeu si Komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

Ai komandonte të gjitha Forcat e Operacioneve Speciale të caktuara për NATO-n (përfshirë njësitë shqiptare të operacioneve speciale) dhe ka punuar në Shqipëri me drejtues të mbrojtjes dhe ushtarakë.

Më parë, ai ka shërbyer për një vit në Afganistan si Zëvendëskomandant Rajonal, ku përfshihej edhe mbikëqyrja e ushtarakëve nga Shqipëria.

Gjatë më shumë se 34 viteve shërbim aktiv, ai ka mbajtur disa pozicione të larta komanduese dhe ka drejtuar organizata me deri në mijëra personel ushtarak, civil dhe ndërinstitucional.

Ai ka punuar për Departamentin Amerikan të Shtetit për dy vjet si pjesë e rëndësishme e Ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem, ku drejtoi një koalicion me tetë vende si Koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, dhe raportonte drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit.

Përvoja e tij e gjerë në lidership, aftësia e provuar për të menaxhuar organizata komplekse shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe ekspertiza e tij rajonale në të gjithë Evropën e bëjnë Gjeneral Lejtnant (në pension) Wendt shumë të kualifikuar për të shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë.

Gjeneral Lejtnant (në pension) Wendt ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe një diplomë Master në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kaliforni. Ai flet gjuhën arabe e koreane. Ai është nderuar me çmime dhe dekorata të shumta, përfshirë Medaljen e Shërbimit të Shquar të Mbrojtjes, Medaljen e Shërbimit të Shquar, Medaljen e Yllit të Bronzit, si dhe Çmimin e Nderit të Lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco