Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ PS feston 85 vjetorin, Shqipëria proteston

'Dështimi i Ramës', Këlliçi: Qytetarët protestojnë kundër korrupsionit, betonizimit dhe shpopullimit të vendit

'Dështimi i Ramës', Këlliçi: Qytetarët protestojnë kundër korrupsionit, betonizimit dhe shpopullimit të vendit

20:08, 04/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një reagim në rrjetet e tij sociale, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, u shpreh se qytetarët shqiptarë po protestojnë prej muajsh kundër korrupsionit të kthyer në sistem, betonizimit të qyteteve dhe bregdetit, shpopullimit të vendit, si dhe për përkeqësimin e kushteve të jetesës, përfshirë pensionet dhe pagat e ulëta.

Ai theksoi se, protestat përfaqësojnë një reagim të gjerë shoqëror ku përfshihen mjekë, mësues, studentë, fermerë, punëtorë dhe qytetarë të thjeshtë, të cilët kundërshtojnë modelin qeverisës dhe pasojat e tij në ekonomi dhe shoqëri.

'Opozita ka qenë dhe mbetet në krah të protestave qytetare prej vitesh, duke i konsideruar ato një mjet demokratik për të rikthyer hapësirën publike dhe lirinë e shprehjes'- u shpreh ai

Postimi:

Ne i besojmë protestave, e fuqisë së tyre për t’i rikthyer hapësirën publike qytetarëve, sepse thyejnë iluzionin mbi të cilin mbështetet çdo autokraci, pretendimin se pushteti flet në emër të të gjithëve.
Prandaj regjimi dridhet kur sheh se qytetarët kuptojnë se e ardhmja e tyre vlen më shumë se dallimet mes njëri-tjetrit.
Ndaj pa frikë e pa përçarje, Shqipëria nuk do të ketë më nevojë të ndjehet Europë veç në hartë, por edhe në përditshmëri.
I detyrohemi atdheut tonë të dashur, vendit ku shqipet nuk fluturojnë veç qiejve, por ecin të lirë edhe në bulevard.
Fjala ime e sotme në Kuvendin e Shqipërisë:
Të nderuar qytetarë që na ndiqni,
Prej muajsh shqiptarët protestojnë.
Protestojnë kundër korrupsionit që është shndërruar në sistem.
Protestojnë kundër betonizimit të qyteteve, bregdetit, pasurive natyrore dhe hapësirave publike.
Protestojnë kundër shpopullimit që po zbraz qytetet, fshatrat dhe tryezat e familjeve shqiptare.
Protestojnë për pensione që nuk të lejojnë të jetosh me dinjitet dhe për paga që nuk mjaftojnë për të ndërtuar një jetë apo familje.
Protestojnë kundër kriminalizimit të ekonomisë, që prej vitesh nuk prodhon më mirëqenie për qytetarët.
Protestojnë dhe kundër agjendave për të masakruar me terapi hormonale të miturit.
Protestojnë mjekë, mësues, student, nxënës, minatorë, juristë, sipërmarrës, fermerë, punëtorë, pronarë, madje edhe emigrantë, e gjithë shoqëria shqiptare.
E kur protestojnë kaq shumë kategori njëherësh, problemi është modeli, fiozofia rrënuese e shpopulluese e kësaj qeverisjeje.
Ndërkohë propaganda ka gati armiqtë e vjetër dhe të rinj, e sigurisht për të helmuar opinionin publik, ka lëshuar ngado silurët se Partia Demokratike qenka kundër protestave dhe protestuesve.
Jo mor jo!
Partia Demokratike proteston prej 13 vitesh bashkë me qytetarët shqiptarë. E nisëm me protestën krahë qytetarëve për armët kimike në 2013 dhe vijojmë me protestat kundër këtij regjimi edhe sot pasdite.
Dhe përgjigja nga organizata kriminale e Edi Ramës ka qenë përherë dhuna e pakursyer, arroganca, shpifja dhe urrejtja e shprehur në shumë forma. Ky pushtet e ka moto të vetën, nëse nuk bind, përpiqet të frikësojë, shantazhojë, turbullojë e vendosë shqiptarët kundra njëri-tjetrit.
Por kësaj here ka ngecur keqaz.
Disa ditë më parë dëgjuam kryeministrin të vajtonte për fatin e turizmit shqiptar. Na tregonte se si Mali i Zi ka pensione dhe paga më të larta falë turizmit. Dmth pas trembëdhjetë vitesh në pushtet, Edi Rama flet si një opozitar që sapo ka zbuluar problemet e vendit.
Se sukseset janë të tijat, por armiqtë mbajnë kostot e vendimeve të zyrës së tij, korrupsionit, pastrimit të parave, ppp-ve e koncesioneve mega korruptive.
Po miq, rajoni ka turizëm më të mirë e fitimprurës se ne, pasi qeveritë e tyre kanë punuar për një sektor të qendrueshëm.
Qeveritë e këtye vendeve kanë zhvilluar këtë sektor me politika dhe investime serioze e të mirëstudiuara.
Po, Mali i Zi ka ndërtuar një sektor turistik më të qëndrueshëm. Por jo sepse ka më shumë diell apo më shumë det. Por sepse ka ndërtuar politika afatgjata dhe në dobi të vendit të tyre.
Ndërsa në Shqipëri, Edi Rama ka përdorur turizmin si argument për të justifikuar një tjetër industri, atë të betonit dhe pastrimit të parave, për të dhënë leje ndërtimi pa kriter për grupet kriminale më të rrezikshme të Shqipërisë dhe rajonit.
Edi Rama e ka përdorur turizmin si lavatriçe parash.
Turizmi tek ne nuk prodhoi ekonomi, por kulla.
Kulla në Vlorë, Kulla në Himarë, Kulla në Orikum.
Kulla kudo ku toka publike ose private mund të shndërrohet në rentë politike.
Në fjalimin vajtues të këtyre ditëve Edi Rama na tha dhe që ky turizëm do zhvillojë edhe sektorë të tjerë si bujqësia, por mashtruesi kronik harron të thotë se e shkatërroi bujqësinë, jo vetëm për politikën e kanabizimit të vendit por edhe për parqet fotovoltaike që u dha klientëve të tij.
Faktet tregojnë të kundërtën!
Rënia e sektorit të bujqësisë nisi në 6 mujorin e vitit 2020 dhe nuk ka ndaluar më prej atij çasti.
Në vitin 2021 rënia e prodhimit vjetor është me (-)1.6%
Në vitin 2022 thellohet dhe më tej rënia me (-) 4.8%
Në vitin 2023 dhe 2024 rënia vazhdon me (-) 1.3% dhe (-) 2%
A ka alarm më të madh se ky?!
Në një ekonomi normale, kur turizmi rritet, rritet edhe bujqësia që e furnizon. Rritet prodhimi vendas. Rriten eksportet. Rritet konsumi.
Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë paradoksi që turistët shtohen dhe fermerët zhduken. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që bregdeti betonohet me ritme rekord, ndërsa toka bujqësore braktiset me ritme rekord.
Jo vetëm por kjo rënie e prodhimit po ndikon në rritjen e inflacionit duke ulur konsumin, i cili sot që flasim është në nivelet më të ulta që pas pandemisë.
Ja pra kjo është strategjia e Edi Ramës.
Të trajtojë turizmin si real estate dhe të varrosë bujqësinë duke falur tokat e fermerve për biznesin e anëtarëve të organizatës kriminale që drejton, që herë shfaqen si 5D e herë si 5B.
Dhe tani dua t’u drejtohem bashkëqytetarëve të mi.
Prej trembëdhjetë vitesh propaganda është përpjekur të na bindë se të gjithë jemi njëlloj hajdutë si Rama. Se çdo kritikë është interes. Se çdo protestë është komplot. Se çdo denoncim është Pazar.
Madje edhe sot, në ditën kur i duhet t’u përgjigjet shqiptarëve që nuk i ndahen poshtë zyre, rreket të mbjellë ndasi me propagandën neveritëse se opozita është kundër protestës.
Jo mor jo!
Në protestë e ke patur e do ta kesh opozitën. Por me protestat e këtyre ditëve ke parë çdo cep Shqipërie që refuzon ta shohësh me sytë e shqiptarëve.
Aty në shesh këto ditë ke parë e dëgjuar ata që protestojnë për Zvërnecin, por edhe qytetarë që protestojnë për korrupsionin, mjekë që protestojnë për shkaterrimin e sistemit shëndetësor, prindër me fëmijë në krah nën rrebesh shiu që protestojnë për sistemin arsimor, i kishe aty ata që u ke rrëmbyer pronat, që u ke mohuar aksesin në drejtësi, kishe të rinj që nuk duan të protestojnë më heshturazi duke tërhequr valixhet e rënda nëpër aeroporte, çifte të reja që nuk blejnë dot shtëpi në xhunglën e betonit, njerëz të ndershëm që protestojnë për dinjitetin e nëpërkëmbur, ky koncept krejt i huaj për ty dhe lakejtë e tu.
A e kuptoni se sa shumë arsye na bashkojnë në misionin e zhbërjes së të keqes që ka kapluar vendin?!
Ne i besojmë protestave, e fuqisë së tyre për t’i rikthyer hapësirën publike qytetarëve, sepse thyejnë iluzionin mbi të cilin mbështetet çdo autokraci, pretendimin se pushteti flet në emër të të gjithëve.
Prandaj regjimi dridhet kur sheh se qytetarët kuptojnë se e ardhmja e tyre vlen më shumë se dallimet mes njëri-tjetrit.
Ndaj pa frikë e pa përçarje, Shqipëria nuk do të ketë më nevojë të ndjehet Europë veç në hartë, por edhe në përditshmëri.
I detyrohemi atdheut tonë të dashur, vendit ku shqipet nuk fluturojnë veç qiejve, por ecin të lirë edhe në bulevard.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco