Rroftë protesta, poshtë konspiracioni?

21:17, 04/06/2026 Nga Çim Peka
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kam ndjekur me vëmendje protestën, me të gjitha mesazhet dhe emocionet civile të saj.

Ta katandisësh një debat parimor në një togfjalësh ‘pro apo kundër investimeve të huaja’ është të tradhtosh të vërtetën në mënyrë të qëllimshme.

Kuptimi im për këtë protestë është se ajo nuk ka të bëjë me investitorët, as të huaj e as shqiptarë.

Protesta është një zemëratë e drejtë, e akumuluar nga zullumet e përditshme, të paturpshme e perverse të një njeriu.

Protesta sot, në kuptimin tim, është kundër një modeli pervers të kthyer në sistem pervers, të përfaqësuar nga Kryeministri i një vendi që sot ka marrë damkën e narkoshtetit.

Kreu i organizatës del dhe i krahason protestuesit me nazistët e Natës së Kristaltë, pastaj i fyen duke i quajtur çakenj etj.

Në fakt, është e kundërta: viktimat e Natës së Kristaltë sot janë shqiptarët, janë protestuesit, është demokracia, është drejtësia.

Dhunuesi je ti, Edi Rama. Me sistemin pervers që ke ngritur, ushtron dhunë psikologjike, verbale, fizike dhe institucionale mbi të drejtat dhe mbi shoqërinë.

Sjellja e tij arrogante si narko-kryeministër është në pritshmëri të plotë me sistemin pervers, kriminal dhe të kapur.

Vulgariteti, arroganca dhe perversiteti janë shprehje të frikës, të ëndrrave të natës me tërheqje zvarrë. Nuk e di nga ka më shumë frikë: nga populli, nga grupet kriminale që i ka përdorur, pasuruar, gënjyer e nxjerrë në pritë, apo nga kanuni?

Ndërkohë, më duhet të them se mendoj që është opozita e parë që nuk i bashkohet një proteste popullore.

Standardi i drejtë demokratik se investimet e huaja janë të rëndësishme nuk duhet ta kompleksojë opozitën që të mbështesë, përkrahë dhe t’i bashkohet civilisht një proteste që, në thelb, nuk është kundër investimeve, nuk është vetëm ambientale, por mbi të gjitha është kundër narkoshtetit dhe narko-kryeministrit.

Fenomeni ‘Balluku’ dhe fenomeni ‘Gys Agasi’ janë pasqyra të vetë perversitetit kriminal dhe të kapjes së shtetit. Treshja Rama–Balluku–Gysi janë filozofët dhe operatorët kryesorë të kalbëzimit dhe kriminalizimit të institucioneve; që nga drejtësia, ku edhe sot gojërojnë me Gysin, te policia që navigojnë me Gysin, e deri te AKSHI dhe Kadastra. Ky gojëzim dhe kriminalizim janë bërë rregulla institucionale.

Ky del me demek i fyer se e paskan sharë te QSHR-ja, ndërkohë që audioja e tij, ku shante qytetarin, tregonte se si kjo kërmësirë kundërvepron edhe digjitalisht.

Së fundmi, u them investitorëve se ky lloj modeli i fut në kurth dhe i bën me zor viktima me paratë dhe djersën e tyre.

Ky model perversiteti që Edi Rama ka ngritur ka dy qëllime: të jetë transaksional, duke shitur Shqipërinë për të zgjatur pushtetin, dhe të shtyjë në kohë tërheqjen zvarrë.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco