Nga Luçiano Boçi/
Sot flitet me pasion për mbrojtjen e natyrës në Zvërnec.
Dhe me të drejtë.
Sepse natyra nuk është pronë e qeverisë, nuk është pre gjuetie dhe as tapet që Rama e shtron sipas interesit të radhës.
Por pyetja që duhet bërë është kjo:
Kur ngrihemi si shoqëri për të mbrojtur natyrën, a kemi të njëjtin guxim për të mbrojtur njeriun?
Sepse natyra dhe njeriu janë një!
Sepse një shoqëri që mbron pemën, lagunën, zogjtë, bregdetin, por hesht kur trupi i njeriut, sidomos i të miturit 13.5 vjeç kthehet në objekt protokollesh burokratike, ka humbur ekuilibrin moral.
Terapia hormonale për personat transgjinorë nuk mund të trajtohet si një procedurë e thjeshtë mjekësore, e futur në heshtje në një dokument administrativ që ndjek bindshëm ligjin e mbrapshtë për barazinë gjinore.
Ajo prek çështje shumë më të thella.
Ka të bëjë me trupin, identitetin, familjen, fëmijën, përgjegjësinë e shtetit dhe kufirin midis trajtimit mjekësor dhe ndërhyrjes ideologjike.
Për Zvërnecin kërkohet transparencë.
E duhur!
Ama për trupin e njeriut duhet të kërkohet akoma më shumë transparencë.
Për Zvërnecin kërkohet debat publik.
E saktë!
Ama për fëmijët, familjen dhe shëndetin kërkohet debat edhe më i madh.
Për Zvërnecin thuhet se nuk mund të vendoset pas shpinës së qytetarëve.
E drejtë!
Po për njeriun, a mund të vendoset pas shpinës së prindërve, të shoqërisë dhe të ligjit?
Këtu nuk bëhet fjalë për urrejtje ndaj askujt. Çdo njeri meriton respekt, mbrojtje dhe dinjitet. Por pikërisht sepse njeriu ka dinjitet, ai nuk mund të trajtohet si material eksperimental i një mode ideologjike që sot quhet “progres” dhe nesër mund të rezultojë plagë e pashërueshme siç e ka treguar dhe përvoja e shumë vendeve.
Nëse sot natyra ka nevojë për mbrojtje nga betonizimi, sot njeriu ka nevojë për mbrojtje nga relativizimi.
Nëse Zvërneci kërkohet të mos jetë pronë private e qeverisë, logjikisht dhe trupi i njeriut të kërkohet të mos kthehet në territor eksperimental të burokracisë dhe ideologjisë.
Prandaj pyetja për protestën e rradhës mbetet kjo:
Të mbrojmë natyrën, patjetër.
Por njeriun, kur do ta mbrojmë?
© SYRI.net