'Kafazi prej xhami praktikë e paligjshme'/ Meta: Qëndrimi i Komitetit të Helsinkit rrëzon justifikimet e Gjykatës

'Kafazi prej xhami praktikë e paligjshme'/ Meta: Qëndrimi i Komitetit të Helsinkit rrëzon justifikimet e Gjykatës

13:22, 06/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka përshëndetur qëndrimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili sipas tij konfirmon se mbajtja automatike e të paraburgosurve në kafaze xhami gjatë proceseve gjyqësore është e pambështetur në ligj dhe në kundërshtim me standardet e një procesi të rregullt gjyqësor.

Në një reagim në rrjetet sociale, Meta u shpreh se ky vlerësim rrëzon argumentet e përdorura deri më tani nga gjykata dhe mbron parime themelore si dinjitetin njerëzor, prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për mbrojtje efektive.

Ai vlerësoi profesionalizmin dhe paanshmërinë e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke theksuar se ky qëndrim duhet t’i japë fund një praktike që e konsideron abuzive dhe antiligjore. Meta bëri të ditur se në seancën e fundit gjyqësore ka kërkuar heqjen e kësaj mase jo vetëm për rastin e tij, por për çdo qytetar të pandehur në Shqipëri që nuk akuzohet për krime të rënda si terrorizëm apo vrasje në masë.

Postimi i plotë:

Përshëndes rekomandimin e qartë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili, pas monitorimit të pavarur dhe analizës së standardeve kushtetuese dhe të jurisprudencës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, konfirmoi se mbajtja automatike e të paraburgosurve në kafazet prej xhami gjatë proceseve gjyqësore është një veprim dhe vendim i pabazuar në ligj dhe në kundërshtim me parimet e një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.

Ky vlerësim objektiv rrëzon plotësisht të gjitha justifikimet “speciale” dhe arbitrare të përdorura deri më sot nga Gjykata dhe dëshmon shumë qartë se dinjiteti njerëzor, prezumimi i pafajësisë, barazia e palëve në gjykim dhe e drejta për një mbrojtje efektive nuk mund dhe nuk duhet të cënohen kurrësesi në emër të praktikave përjashtimore që u referohen një terroristi maroken në Francë me mbi 130 vrasje dhe dy oficerëve të policisë në Ukrainë të akuzuar për 48 të vrarë. 

Vlerësoj Komitetin Shqiptar të Helsinkit për objektivitetin, paanshmërinë, profesionalizmin dhe integritetin e treguar në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke besuar se ky qëndrim do të shërbejë për t'i dhënë fund një praktike abuzive antiligjore, që nuk duhet të zbatohet kurrë në një shtet të së drejtës, anëtar të Këshillit të Europës që synon hyrjen në BE, që ka ratifikuar Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe duhet të zbatojë vendimet dhe praktikat e GJEDNJ.

Lidhur me këtë çështje, në seancën e djeshme gjyqësore, kërkova që ky qëndrim diskriminues të marrë fund njëherë e përgjithmonë, jo vetëm për mua, apo për rastet Veliaj dhe Beqaj, por për çdo qytetar të pandehur në Republikën e Shqipërisë, që nuk ka kryer krime kundër njerëzimit, akte terroriste, vrasje në masë apo vepra të ngjashme të rënda penale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco