Përfaqësuesi ligjor i PD-së Marash Logu akuzon kryeministrin Edi Rama se është përgjegjësi kryesor për korrupsionin që ka përfshirë zyrtarët më të lartë të qeverisë socialiste.
I ftuar në studion e Task Force' në Syri Tv, duke komentuar zhvillimet e fundit në hetimet e SPAK vë në dukje faktin se ndërsa bashkëpunëtorët e ngushtë të kryeministrit Rama ose janë të dënuar, ose në kërkim, ose të arrestuar, ose të pandehur nga SPAK”, duke përmendur emrat e Saimir Tahirit, Erion Veliajt, Ilir Beqajt dhe Arben Ahmetajt
“Është absurde të besosh se të gjithë vartësit e tij janë të lidhur me krimin dhe korrupsionin, ndërsa kreu i tyre nuk ka shkelur ligjin,” theksoi ai.
Sipas Logut, veprimet e vonuara të SPAK ndaj zyrtarëve të korruptuar kanë sjellë dëme të rënda për buxhetin e shtetit. Ai solli si shembull rastin e Ilir Beqajt, i cili, pavarësisht se ishte nën hetim për çështjen e sterilizimit, “u emërua në një post për menaxhimin e fondeve europiane dhe vijoi korrupsionin në këtë fushë”.
“Mosveprimi ose vonesa në reagim nga SPAK ka pasoja të mëdha për taksapaguesit shqiptarë. Paratë publike vazhdojnë të vidhen, ndërsa drejtësia ndërhyn vetëm kur kupa mbushet plot dhe nuk mban më,” shtoi Logu.
Ai e cilësoi këtë situatë si dëshmi të qartë se drejtësia po ndalon te vartësit, por jo te kryeministri.
Pjese nga fjala e Marash Logut
"Bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ramës ose janë të dënuar, ose në kërkim, ose të arrestuar ose të pandehur nga SPAK. Njerëzit që i promovonte në 2013, Saimir Tahiri, Erion Veliaj, IIir Beqaj, Arben Ahmetaj, pra ata që formonin ‘gardën e afërt’ të Ramës, të gjithë janë o të arrestuar ose në burg, ose të pandehur, e asgjë nuk i ndodh Edi Ramës. Të besosh se të gjithë vartësit ose janë të lidhur me krim të organizuar ose kanë kryer korrupsion dhe kreu i tyre nuk ka shkelur ligjin është absurde.
Veprimi i SPAK-ut ndaj zyrtarëve të korruptuar, zyrtarëve të lartë të korruptuar, është sigurisht i vonuar dhe me pasoja shumë të rënda për buxhetin e shtetit. Këto afera që ne kemi denoncuar për shembull në gjashtë muajt e fundit, këto kanë ndodhur në fund të vitit 2024, fillim të vitit 2025. Pra këta lihen në funksion, ndërkohë që vijojnë korrupsionin.
Ju kujtoj për shembull rasti i Ilir Beqajt. Ilir Beqaj ishte i pandehur, ishte nën gjykim për historinë e sterilizimit dhe u emërua në një pozicion për menaxhimin e fondeve europiane. Ndërkohë vijonte korrupsionin në menaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian. Pra mosveprimi i SPAK-ut, një lloj pasiviteti ose veprimi me vonesë, ka pasoja shumë të rënda për buxhetin e shtetit. Ata reagojnë si me thënë kur mbushet kupa dhe nuk mban më, pra vjen një moment që është pika e vlimit dhe shohin që s'kanë se si ta anashkalojnë" tha ai në studion e gazetares Sonila Meço.
© SYRI.net