Nga 'Piranjat'
Ndodhemi në Berat, qytetin Muze dhe pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ky qytet ka tërhequr gjithnjë vëmendjen e turistëve, ndaj dhe puna e institucioneve është fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe restaurimin e lagjeve historike.
Por siç ndodh zakonisht në Shqipëri, fjalët dhe fasada vlejnë më shumë se sa veprat. Dhe pse në rastin që do t’iu tregojmë fasada ka mbetur vetëm në letër.
Është data 11 tetor të vitit 2023 kur Bashkia Berat hap tenderin për ndërtimin e tregut të gjelbër të qytetit me emrin aq kuptimplotë “Green Market”.
Zona ku do të ndërtohej ky treg modern ishte përdorur për vite nga tregtarët e fruta-perimeve, të cilër vendosnin mjetet e tyre të transportit si stenda. Kjo ishte e gjitha, sepse në këtë treg të improvizuar mungonte gjithccka tjetër, që nga asfalti, trotuaret, sinjalistika, vendet e parkimit, ambientet e shërbimit.
Prandaj me argumentin se një qytet që vitet e fundit po pushtohet nga turistët Meriton një treg dinjitoz, nënkryetari i Bashkisë Berat Luçjano Bojaxhiu me porosi të kryetarit Ervin Demo, miratoi projektin arkitektonik të këtij tregu.
Një hapësirë e gjitha me asfalt me një një vend të dedikuar për tregtarët, rrethuar me pemë, trotuare, sinjalistikë, ndriçim dhe vende parkimi të vendosura në radhë simetrike në fund të tregut futurist. Dhe e gjitha kjo mrekulli, parashikohej të kushtonte 253 mijë euro pa tvsh, me një kohëzgjatje punimesh, prej 2 muaj.
Në datën 27 tetor 2023 dorëzohen ofertat e kompanive private për tenderin, dhe më 20 nëntor shpallet fituese bashkimi i operatorëve K.M.K dhe CAUSHI M shpk. Të dyja këto, kompani me bazë në Mallakastër, ku dy pronarët janë të afërm me njëri-tjetrin: Kelmend Çaushaj është ortak i firmës K.M.K dhe Muhamet Çaushaj i shoqërisë Caushi M. Bizneset janë themeluar respektivisht në vitin 2017 dhe 2018 me aktivitet në fushën e punimeve të ndërtimit dhe janë fuqizuar përmes kontratave publike që kanë fituar në bashkitë e drejtuara nga socialistët. Kompania K.M.K ka arkëtuar 10 milion euro para publike nga themelimi deri më sot.
Duhet theksuar që mes 10 ofertave në garë, kjo ishte oferta më e ulët duke premtuar realizimin e punimeve për vlerën 166 mjë euro pa tvsh, 87 mijë euro më pak se fondi limit.
Një kursim i konsiderueshëm për xhepat e qytetarëve të Beratit, përmes kësaj oferte anomalisht të ulët që u përzgjodh fituese, por që ka një problem, sepse dy kompanitë në fjalëose ata kanë përllogaritur gabim dhe kanë fryrë fondin limit, ose punimet nuk do të kryheshin si duhet.Dhe me sa duket ka ndodhur pikërisht kjo e fundit, sepse Tregu “Green Market” që është dorëzuar, nuk ka asnjë lloj lidhjeje me projektin e tenderuar por as me emrin “green” – e gjelbër. Madje këtij investimi me sa duket nuk i është bërë as reklama e duhur për tu vënë në dispozicion të tregtarëve.
Në këtë treg që u mendua të bëhej si në Dubai, por përfundoi si në Kandahar, mungon cdo gjë e parashikuar në projekt, pavarësisht se në dokumentet e garës që u hap, pemët, sinjalistika dhe trotuarët kanë qënë jo vetëm të përfshira, por dhe pjesë e çmimit që kanë dorëzuar bashkë me preventivin ofertuesit.
Në zërin D dhe G të preventivit të projektit, shihet qartë se ofertat do të dorëzoheshin duke dhënë dhe vlerën për trotuarë, fidanë dhe sinjalistikë.
Kontrata për nisjen e punimeve është nënshkruar më 4 dhjetor 2023, dhe punimet sipas afatit do dorëzoheshin 2 muaj më pas. Por dhe pse ka kaluar më shumë se 1 vit e gjysëm autoritetet kanë marrë në dorëzim një objekt që nuk ka asnjë lidhje me projektin e tenderuar pa i kërkuar kompanisë që të përmbushë detyrimet e marra përsipër në kontratë, madje kompania është paguar nga Bashkia Berat për 99.9% të vlerës së kontratës. Kontrata me tvsh kushton 199 mijë euro dhe kompania ka arkëtuar 189.6 mijë euro, duke mbetur pa likuiduar një diferencë të vogël prej 10 mijë euro, e cila nuk përbën as 5% të kontratës që duhet të jetë fondi i garancisë.
Para të shpenzuara pa hesap për një treg, jo vetëm modest, por edhe qesharak kur e krahason me atë që iu ishte premtuar qytetarëve, nga një kryetar bashkie i konsideruar si model suksesi, që sot përfaqëson Beratin nëqeveri.
Ndaj dhe Piranja Luela Gaxhja shkoi për të takuar tashmë ministër, Ervin Demon por ky I fundit e drejtoi për tek bashkia, duke hequr dorë nga përgjegjësit të cilat ai vetë I ka vulos me emër dhe firmë të tij.
Por problemi është se projekti është miratuar në kohën kur zoti ministër ishte ende kryetar, por sërish topin e përgjegjësisë e kaloi tek ish vartësi I tij Ervin Ceca.
© SYRI.net