Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat ka theksuar rëndësinë e transparencës dhe bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvendin e Shqipërisë.
Ai vuri në dukje se mënyra se si është organizuar Kuvendi dhe komisionet parlamentare nuk respekton parimet e një demokracie funksionale dhe minon rolin e opozitës në procesin parlamentar.
Sipas Bardhit, Kuvendi nuk është pronë e një partie të vetme, por një institucion ku mazhoranca dhe opozita duhet të punojnë së bashku për të garantuar interesin publik.
Informimi i opinionit publik mbi mënyrën e organizimit të punës së Kuvendit duhet të jetë një proces i përbashkët dhe i koordinuar, duke reflektuar bashkëpunimin dhe konsensusin mes të gjitha forcave politike, jo vetëm vendimet e një partie.
"Fakti që u prezantua ndryshe në Asamblenë e Partisë Socialiste dhe fakti që sot u krye caktimi i kryetarëve dhe zëvendëskryetarëve, përfaqësues të grupit parlamentar të PS, tregon edhe një herë frymën autoritare që Rama ka instaluar në Republikën e Shqipërisë. Për ne kjo është e papranueshme"- thekson Bardhi.
Ai theksoi gjithashtu se çdo përpjekje për të anashkaluar opozitën ose për të imponuar vendime njëanshmërisht tregon një frymë autoritare dhe dëmton procesin demokratik.
Pjesë nga deklarata:
"Dua të informoj opinionin publik mbi çështjet e diskutuara dhe qëndrimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike në këtë mbledhje.
Së pari, i kemi bërë me dije zotit Peleshi dhe kryetarit të grupit parlamentar të mazhorancës, se për opozitën është e papranueshme që në Asamblenë e Përgjithshme të PS të njoftohet opinioni publik mbi organizimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Kuvendi dhe komisionet parlamentare të tij janë mekanizma pune të përbashkëta të mazhorancës dhe opozitës dhe si në çdo vend demokratik, organizimi i punës së Kuvendit do të duhet të ishte i përbashkët i mazhorancës dhe opozitës.
Fakti që u prezantua ndryshe në Asamblenë e Partisë Socialiste dhe fakti që sot u krye caktimi i kryetarëve dhe zëvendëskryetarëve, përfaqësues të grupit parlamentar të PS, tregon edhe një herë frymën autoritare që Rama ka instaluar në Republikën e Shqipërisë. Për ne kjo është e papranueshme.
Së dyti, kemi sqaruar se me veprimin e shkrirjes së Komisionit të Integrimit Europian, praktikisht mekanizmi që ishte në dorë të opozitës për të luajtur rolin e saj konsultiv dhe për të dhënë konsensus në gjithçka që lidhej me procesin e integrimit, në këtë moment zerohet, sepse ky komision u bashkua me Komisionin e Jashtëm dhe pas 21 vitesh opozita nuk do të ketë më të drejtën e këtij procesi në Kuvendin e Shqipërisë.
Na u soll si argument se kemi marrë si shembull një model gjerman. Cilido që njeh organizimin e komisioneve në Bundestag e di se atje ka edhe komision të jashtëm edhe komision të çështjeve europiane.
Grrupi parlamentar i PD i ka kërkuar institucioneve të Kuvendit të bëjë një studim se si janë organizuar komisionet parlamentare në të gjitha vendet e rajonit, pak a shumë në të njëjtin hap me ne në procesin e integrimit në BE apo në disa prej vendeve anëtare të BE".
© SYRI.net