I ftuar në “Intervistën e Ditës” në Syri TV, Ferjolt Ozuni, specialist turizmi, u shpreh se, ndonëse institucionet përpiqen të paraqesin një realitet të stisur me qëllim promovimin e qeverisë, realiteti në terren është krejt tjetër.
Sipas Ozunit, kryeministri Rama ka marrë përsipër të bëjë gjithçka vetë, për shkak se institucionet e krijuara prej tij nuk funksionojnë dhe nuk e kanë situatën nën kontroll. Ai theksoi se kjo qasje e centralizuar dhe autokratike po dëmton rëndë zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri.
Në deklaratën e tij, Ozuni ngriti shqetësime serioze për mungesën e transparencës në statistika, informalitetin e lartë, abuzimet me çmimet dhe sezonin turistik të fragmentuar, ku shumica e njësive akomoduese funksionojnë vetëm për dy muaj, duke prodhuar iluzione suksesi dhe jo zhvillim real.
Pjesë nga deklarata:
Kemi disa kategori pritshmërish. Ka ato që promovohen institucionalisht, të cilat janë më shumë të mbushura me shpresa dhe fjalë për të nxitur ndoshta turizmin një formë marketingu. Dhe pastaj kemi pritshmëritë e atyre që janë realisht operacionalë në treg. Nëse flasim për këta të fundit, jemi disi larg të paktën sipas perceptimit të tregut, sepse për statistikat do të kemi një pasqyrë më të qartë nga muaji mars i vitit tjetër.
Nëse flasim për ata që janë aktivë në treg, mund të themi që jemi aty-aty me ato çfarë priteshin dhe me atë çfarë është realisht. Ajo që më bën optimist është fakti që turistët që kemi këtë vit janë disi më konsumatorë sesa ata që kemi pasur vitet e fundit.
Ne jemi ndër të paktat vende që, megjithëse pretendojmë të jemi pjesë e hartës turistike globale, pjesën më të madhe të njësive akomoduese i kemi aktive në mënyrë periodike dhe jo gjatë gjithë vitit. Ato hapen më 1 korrik dhe mbyllen më 31 gusht, edhe pse në disa raste fillojnë që në maj dhe mbyllen në shtator. Tani që taksimi bazohet në kapacitetin e shtretërve, do të shohim që nga 270 shtretër do të kalojmë në vetëm 70. Kemi një problem të kësaj natyre.
Nga njëra anë, kjo ndikon në fryrjen e numrave; nga ana tjetër, minon statistikat, dhe në të vërtetë ne nuk kemi as idenë se ku lëvizin këta turistë. Ecim me intuitë, dhe këtu dështojnë politikat, strategjitë e zhvillimit dhe shumë të tjera.
Edhe ata që drejtojnë këtë sektor, përfshirë qeverinë, e dinë këtë problematikë.
Kemi një problem të madh me dhënien me qira të njësive turistike. Pra, nëse ti ke ndërtuar një hotel, nuk e përdor vetë, por ia jep dikujt këtë vit, vitin tjetër dikujt tjetër, dhe çdo vit ndryshon pronësia dhe menaxhimi. Kjo bën që kushdo që e menaxhon përkohësisht, të përpiqet ta shfrytëzojë maksimalisht për të rikuperuar çdo gjë që ka investuar.
Në këtë mënyrë, çmimet degradojnë në nivele absurde kemi parë raste me shazllone 500 euro. Nuk mund të pretendosh për një turizëm stabil me këtë lloj fluksi dhe sjelljeje.
Kjo është arsyeja pse sot gjykojmë dhe themi që jugu nuk është i mbushur me turistë, ashtu siç pritej.
Shteti duhet të jetë rregullator. Institucionet duhet të funksionojnë si rregullatorë, jo individi institucional. Këtu nuk duhet që kryeministri të bëjë gjithçka. Mendoj se kryeministri i ka bërë të gjitha sepse ka kuptuar që institucionet që ka krijuar nuk e kanë situatën nën kontroll.
Kemi një problem me tendencën drejt autokracisë në shumë aspekte, dhe kjo dëmton turizmin. Arrijmë në pikën ku kemi kaos, dhe shpesh është vetë shteti që e shkakton këtë kaos.
© SYRI.net