Lajmi i fundit

Identifikohet një nga autorët e dhunës ndaj Mëngjesit, policia mban të fshehtë emrin

Një puç juridik kundër shtetit/ VKM-ja që çoi Belinda Ballukun në SPAK për inceneratorin

Një puç juridik kundër shtetit/ VKM-ja që çoi Belinda Ballukun në SPAK për inceneratorin

22:53, 15/05/2024
A+ Aa A-

Nga Klodian Tomorri

Në 2 mars të vitit 2022, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim, i cili ndryshonte fushën e përgjegjësisë shtetërore për ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në atë kohë vendimi me nr. 111 dukej si një akt i rëndomtë burokratik. Por në të vërtetë ai fshihte një hile të madhe kundër shtetit, e cila do të dilte në dritë shumë kohë më pas, atëherë kur SPAK të merrte në dorë aferën e inceneratorit të Tiranës.

Vendimi i marsit të vitit 2022 hoqi sektorin e mbetjeve nga përgjegjësia e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkë me të edhe detyrimin e komponentit zbatues të politikave të qeverisë për mbetjet. Me pak fjalë vendimi i hoqi Belinda Ballukut detyrimin ligjor për të mbikqyrur zbatimin e kontratës koncesionare për inceneratorin e Tiranës dhe ate te Fierit.

Por sikur të mos mjaftonte kjo, pasi iu hoq ministrisë së Infrastrukturës nga fusha e përgjegjësisë, sektori i mbetjeve mbeti jetim dhe nuk u caktua në asnjë ministri tjetër.

Image

VKM nr 111/2022, qe hoqi pergjegjesine e mbetjeve nga ministria e Infrastruktures dhe e la jetime

Kjo hile, e cila praktikisht e la inceneratorin e Tiranës pa mbikqyrje për zbatimin e kontratës, nuk ishte e rastësishme. Ajo erdhi pas një periudhe të gjatë të shkeljes së ligjit, e cila këtë të mërkure e çoi Belinda Ballukun në dyert e SPAK për t’ju përgjigjur pyetjeve të prokurorëve mbi inceneratorin e Tiranës.

Ping-pong inceneratorësh

Në shtator të vitit 2017, menjëherë pasi kishte fituar zgjedhjet, këtë herë duke marrë timonin e shtetit të gjithin për vete ashtu siç kërkonte, Edi Rama paraqiti kabinetin e ri qeveritar të mandatit të dytë. Qeveria e re kishte ndryshime në strukturë nga ajo e mandatit të parë, pasi disa ministri ishin shkrirë, ndërsa të tjera ishin bashkuar.

Me paraqitjen e strukturës së re, në mbledhjen e datës 13 shtator 2017, Këshilli i Ministrave miratoi edhe fushën e përgjegjësisë shtetërore për ministritë, që kishin pësuar ndryshime. Një ndër to ishte dhe superministria e lindur nga bashkimi i energjisë me Infrastrukturën, e cila iu besua Damian Gjiknurit.

Vendimi i ngarkonte ministrisë së Gjiknurit përgjegjësinë shtetërore në 13 sektorë të ndryshëm. Mes tyre, me pikën numër katër gjendej fusha e mbetjeve urbane si dhe bashkërendimi i politikave të infrastrukturës së mbetjeve urbane në komponentin zbatues të tyre dhe ndjekjen e zbatimin e këtyre politikave. Kjo fjali nuk ishte parazitare, pasi i ngarkonte ministrisë së Infrastrukturës përgjegjësinë direkte të mbikqyrte zbatimin e kontratës së inceneratorit të Tiranës, që ishte nënshkruar vetëm dy javë më parë.

Image

VKM e vitit 2017, ku mbikqyrja dhe zbatimi i kontratave te mbetjeve i ngarkohej ministrise se Infrastruktures

Damian Gjiknuri qëndroi vetëm 1 vit në postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë. Në dhjetor të vitit 2018, Edi Rama e largoi Gjiknurin dhe emëroi në vend të tij Belinda Ballukun. Zonja Balluku e mori zyrtarisht postin në janar të vitit 2019. Në atë kohë, inceneratorët ishin krenaria e qeverisë. Edi Rama i cilësonte ata si një nga punët më të mira që kishte bërë qeveria e tij. Por Belinda Balluku dukej se kishte alergji nga djegësit.

Hile dhe pikëpyetje

Për tre vjet me radhë, nga janari i vitit 2019 deri në mars të vitit 2022, njësia e zbatimit të projektit nuk u mblodh asnjëherë, edhe pse ligji ja ngarkonte këtë përgjegjësi ministrisë së Infrastrukturës. Në mars të vitit 2022 u ndryshua vendimi i qeverisë duke ja hequr përgjegjësinë e mbetjeve Belinda Ballukut dhe duke e lënë këtë përgjegjësi jetim. Pra një puç i dyfishtë. Me pak fjalë, paratë pagueshin lumë nga buxheti, por askush nuk shkonte të shihte se inceneratori nuk kishte asnjë tullë.

Përgjatë kësaj kohe, nëndhe ka patur jo pak tensione mes minstrisë së Infrastrukturës dhe Bashkisë së Tiranës. Por ky tension do të dilte në sipërfaqe kur në media u publikua një shkresë e ministrisë së Infrastrukturës, sipas të cilës Balluku i kishte kërkuar 3 herë pas tetorit të vitit 2022, Bashkisë së Tiranës që të sillte anëtarët e saj në njësinë e zbatimit të kontratës. Por në fakt këtu ngrihej një pikëpyetje. Mbetjet kishin dalë nga përgjegjësia e ministrisë së Infrastrukturës që në mars të vitit 2022, ndaj shkresat ngjanin më tepër si një alibi se sa shqetësim real për të zbatuar ligjin.

Nga ana tjetër, ky vakum ligjor ka qenë dhe një nga pikat më të forta të mbrojtjes së Erjon Veliajt gjatë pyetjes së tij në SPAK. Jo pa qëllim edhe gjatë daljeve të tij publike Veliaj është kujdesur gjithmonë që të theksojë se Bashkia e Tiranës ishte thjesht një kliente e inceneratorit të Tiranës, një term ky që e zhvishte atë nga përgjegjësia për monitorimin e zbatimit të kontratës.

Por teksa ping pongu i inceneratorit me gjasa do të vazhdojë, sot në gjithë këtë tollovi ka një pikëpyetje dhe dy siguri.

Sipas dokumentave zyrtare, propozuesi i vendimit për të hequr mbetjet nga përgjegjësia e ministrisë së Infrastrukturës në mars të vitit 2022 ishte vetë kryeministri Edi Rama. Edhe vendimi i qeverisë mban po firmën e tij, çka është një gjë e rrallë pasi shumica e vendimeve janë miratuar më firmat e zëvendëskryeministrave. Nuk dihet nëse kjo ishte me të vërtetë një nismë personale e zotit Rama apo vendimi u iniciua nga ministria e Ballukut duke i shpëtuar edhe filtrave të Engjëll Agaçit. Kjo është pikëpyetja.

Ndërsa të sigurtat janë dy. Vendimi ishte mirëfilltazi një puç juridik kundër shtetit dhe zonja Balluku sot tha një të vërtetë. Inceneratori i ka bërë pis të gjithë në oborrin e Rilindjes. Të madh e të vogël. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco