Joseph: Rama ka një marrëdhënie të ngushtë me Vuçiç, 'Ballkani i Hapur' sjell paqendrueshmëri!

20:23, 15/06/2023
A+ Aa A-

"Ka shumë kundërshti ndaj “Ballkanit të Hapur” dhe dyshime të mëdha, jo thjesht prej Albin Kurtit dhe shumicës së shqiptarëve të Kosovës, por edhe prej boshnjakëve, prej kroatëve dhe prej malazezëve, të cilët, që të gjithë, shohin kërcënime prej Beogradit në personin e Aleksandër Vuçiçit."

Prof. Edward P. Joseph, analist i politikës së jashtme në SHBA, ekspert i çështjeve të Ballkanit, i menaxhimit të krizave të sigurisë, profesor në universitetin “John Hopkins”, ish-Zv.shef i misionit të OSBE në Kosovë ka dhënë një intervistë sot në SYRI TV për gazetaren Armela Ferko.

Duke e shpjeguar situatën e vështirë që është krijuar për Kosovën në rang ndërkombëtar, mungesën e përkrahjes nga Shqipëria që ka dalë në krah të Serbisë dhe se cilat mund të ishin rrugët e zgjidhjes së kësaj krize, ja si iu përgjigj z. Joseph, njërës prej pyetjeve të gazetares.

Armela Ferko: Ju ndaleni edhe tek keqmenaxhimi i situatës përsa i përket Kosovës nga SHBA-ja dhe Bashkimi Europian. Në fakt, të dyja deri tani kanë dështuar edhe për një qëndrim të qartë lidhur me situatën e fundit të krijuar, 24 orë më parë. Pse ndodh kjo?

Edward P. Joseph: Shpjegimi është premisa e rreme, kuptimi i rremë i Presidentit Vuçiç dhe këtu bëhet shumë interesant me shikuesit tuaj, sepse sigurisht Shqipëria ka një rol këtu. Shqipëria dhe Kryeministri Rama kanë me sa duket një marrëdhënie të ngushtë me Presidentin Vuçiç dhe mbështesin “Ballkanin e hapur”, që unë besoj se nuk është një projekt që do t’i sjellë stabilitet rajonit, por paqëndrueshmëri dhe shikojmë se kjo nuk ndodh vetëm me Kosovën, por edhe me Malin e Zi dhe me Bosnje Hercegovinën.

Ka shumë kundërshti ndaj “Ballkanit të Hapur” dhe dyshime të mëdha, jo thjesht prej Albin Kurtit dhe shumicës së shqiptarëve të Kosovës, por edhe prej boshnjakëve, prej kroatëve dhe prej malazezëve, të cilët, që të gjithë, shohin kërcënime prej Beogradit në personin e Aleksandër Vuçiçit.

Dhe ironia këtu qëndron në faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë me këtë qëndrim për t’iu qasur dhe për t’u përpjekur duke u mundur që ta bindin Presidentin Vuçiç të largohet prej Rusisë, kur vetë qytetarët serbë po protestojnë në numra masivë kundër Presidentit Vuçiç dhe klimës së dhunës që ai ka krijuar (sipas fjalëve të tyre, është gjuha e tyre, jo gjuha ime - është gjuha e qytetarëve serbë.)

Pra, kemi një ironi të madhe këtu ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të buta me një President të Serbisë, i cili, më e pakta ka dështuar të parandalojë sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it në 26 maj në Kosovë.

Shpresoj që konferenca që do të mbahet prej Sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken, i cili vetë shpresoj do të hedhë një sy më të afërt ndaj këshillave që janë dhënë prej mbështetësve dhe do ta kuptojë mirë se përfituesit e kësaj qasjeje të keqkuptuar, se përfituesi i kësaj qasjeje është Vladimir Putin në Rusi.”/ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë me z. Joseph në SYRI TV.

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco