'Teatri u shemb me njerëzit brenda, rezistenca nuk u ndal'/ Komani: Kjo shënoi fillimin e fundit të Ramës dhe Veliajt

'Teatri u shemb me njerëzit brenda, rezistenca nuk u ndal'/ Komani: Kjo shënoi fillimin e fundit të Ramës dhe Veliajt

22:05, 27/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Aktivistja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Lindita Komani, gjatë fjalës së saj në protestën qytetare para Kryeministrisë, rikujtoi rezistencën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, duke e cilësuar atë si frymëzim për mobilizimin që po zhvillohet prej javësh kundër qeverisë.

Komani tha se në protestën e sotme merrte pjesë edhe si organizatore e lëvizjes për Teatrin Kombëtar, duke theksuar se shumë prej aktivistëve të asaj kauze janë sot pjesë edhe e organizimit të protestave të njohura si “Flamingot”. Sipas saj, “shpirti i teatrit” vijon të jetë i pranishëm në këtë lëvizje qytetare.

Ajo kujtoi se më 27 korrik 2019 u organizua Festivali për Mbrojtjen e Teatrit, ku për rreth 10 muaj godina u administrua nga qytetarët dhe u zhvilluan dhjetëra aktivitete artistike e kulturore.

Në fjalën e saj, Komani theksoi se rezistenca për teatrin zgjati 720 ditë dhe nuk u ndal as pas shembjes së godinës, por vijoi në institucionet e drejtësisë dhe në ato ndërkombëtare. Sipas saj, pikërisht aty nisi fundi i karrierës politike të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Aktivistja rikujtoi gjithashtu momentin e shembjes së Teatrit Kombëtar gjatë pandemisë, duke deklaruar se godina u rrëzua ndërsa brenda ndodheshin ende njerëz. Ajo u shpreh se autoritetet menduan se me shembjen e teatrit do të shuanin edhe shpresën, por, sipas saj, protesta vazhdoi dhe rezistenca nuk u ndal.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco