'Vetëm që Serbia të anojë kah Perëndimit, a mund të pranohet që Kosova të bëhet kostoja e kësaj?!'

18:42, 13/06/2023
A+ Aa A-

Znj. Ilda Zhulali*, diplomate karriere, eksperte për çështje ndërkombëtare, solli në vëmendje sot në emisionin “Task Force” të gazetares Sonila Meço se ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ka pasur një presion të pamerituar kohët e fundit dhe i këtij mendimi janë shumë personalitete politike në botë.  

 “Të gjithë këta, - tha znj. Zhulali, -  bashkohen që ka një ndryshim të aksit perëndimor në marrëdhëniet me Kosovën, që nuk është i merituar dhe kjo bëhet vetëm e vetëm që Serbia të merret me çdo kusht në krah të Perëndimit.... Por,  a mund të pranohet që Kosova të bëhet kosto e kësaj?!" - ngriti pyetjen ajo.

Ndiqni një pjesë nga qëndrimi i saj lidhur me këtë çështje.

“Albin Kurti i është përgjigjur konkretisht kërkesave që iu bënë para një jave, e para, për të çtensionuar situatën dhe e ka bërë këtë përmes një procesi, - tha diplomatja. -  Nuk është çështja që u tërhoq në një moment Albin Kurti, sepse situata mund të përshkallëzohet përsëri siç e pamë gjatë vitit të kaluar; Serbia përdor çdo lloj preteksti për të krijuar tensione të reja në Kosovë.

Çfarëdolloj gjëje që të bëjë qeveria e Kosovës për të rivendosur autoritetin dhe kontrollin e vet në veriun e Mitrovicës dhe për t’iu rikthyer jetës normale për të gjithë qytetarët atje dhe jetës institucionale, serbët këtë e lexojnë si një sulm të qeverisë së Kosovës kundër serbëve të veriut të Kosovës dhe kjo situatë tensioni do të vazhdojë e tillë për sa kohë nuk ka një plan të mirëfilltë që palët të ulen të negociojnë.

Ajo çfarë duhet të negociojnë nuk është thjesht çështja e Asocacionit, është në tërësi paketa e plotë që duhet të mbyllë Dialogun Serbi-Kosovë që ka ndenjur në një status quo prej kaq shumë vitesh, por që nuk mban më, për t’iu rikthyer temës kryesore që është Njohja.

Pra, z. Kurti do t’i rikthehet ndërtimit të një procesi , jo thjesht çtensionimit të situatës dhe lënies së një konflikti të ngrirë përsëri.

Unë mendoj që pas gjithë ngjarjeve që kanë ndodhur, por edhe pas presionit që i është bërë z. Kurti në mënyrë edhe të pamerituar, në mënyrë edhe të zhbalancuar dhe kemi parë shumë analistë amerikanë, por edhe personalitete politike, qoftë të Senatit amerikan, qoftë eurodeputetë, qoftë deputetë të parlamentit anglez, që nuk janë pajtuar në mënyrën se si dy përfaqësuesit e lartë, Escobar dhe Lajçak i janë drejtuar Presidentit Vuçiç dhe Kryeministrit Kurti. Të gjithë këta bashkohen që ka një ndryshim të aksit perëndimor në marrëdhëniet me Kosovën, që nuk është i merituar dhe kjo bëhet vetëm e vetëm që Serbia të merret me çdo kusht në krah të Perëndimit.

Mirëpo pyetja me vend që shtrojmë të gjithë është: Cila është kostoja?! A mund të pranohet çdo lloj kostoje që kjo mund të sjellë?! A mund të pranohet që Kosova të bëhet kosto e kësaj, një vend properëndimor, një vend prodemokratik, kundrejt një vendi që sot drejtohet nga një njeri që kemi parë dhe shkrimin e “New York Times”, nga një njeri që është i njohur për lidhjet e hershme me krimin e organizuar , një njeri që vazhdon të ndjekë një politikë proruse, pra që vazhdon të tregojë që zemrën e ka në Serbi, po portofolin e do në Perëndim?! A do ta sjellë kjo qasje me të vërtetë Vuçiçin pranë Perëndimit?!" - nënvizoi znj. Zhulali/ar.sh/SYRI.NET

* Ilda Zhulali ka përfunduar me meritë studimet pasuniversitare për Diplomaci në Universitetin e Oksfordit, si bursante Chevening, dhe është diplomuar me medalje ari për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Kolegjin Amerikan të Selanikut.

Ilda Zhulali ka një përvojë 22 vjeçare si diplomate karriere në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe si këshilltare e dy Presidentëve të Republikës. Ajo është anëtare e bordit të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë dhe drejtuese e departamentit të marrëdhënieve me jashtë në Partinë Demokratike.

Fusha e saj e ekspertizës lidhet me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, rajonin, sigurinë, demokratizimin, qeverisjen e mirë, bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare, etj.  Znj. Zhulali ka qenë pjesë e ekipit drejtues në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian, gjatë të cilit u përmbushën në kohë rekord 140 kërkesa nga ana e Shqipërisë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco