A ka dështuar politika e jashtme e SHBA në Ballkanin Perëndimor?

A ka dështuar politika e jashtme e SHBA në Ballkanin Perëndimor?

Nga Agim Nesho - 01/05/2024

Krijimi i qeverisë së re të Serbisë dhe evidentimi i figurave ultra nacionaliste proruse si Vulin është një goditje e fortë për politikën perëndimore dhe strategjisë së saj për të afruar Serbinë drejt BE-së. Dashamirësisë së ambasadorit amerikan Hill, që thoshte se ‘Serbia është më pranë NATO-s se Kosova’, nacionalistët e Vuçiç iu përgjigjën me një arrogancë të shfrenuar duke promovuar Vulin, nacionalistin serb të hapësirave serbe, njeriun e dekoruar së fundmi nga Putin me dekoratën më të lartë, nacionalistin që hapur ka kërkuar që Serbia ti bashkohet aleancës së Global South dhe vendeve me axhendë anti-perëndimore. 

Politika e SHBA ndaj Ballkanit Perëndimor ka dështuar në atë pikë sa duhet menjëherë ta rindërtojë një strategji të re. Ajo ka dështuar kur ka mbyllur sytë para armatosjes ekstreme të Serbisë me raketat kineze, aeroplanet dhe shtrirjen e inteligjencës ruse në Ballkan; ajo ka dështuar kur nuk ka sanksionuar Serbinë për sulmin terrorist të sponsorizuar në Banjskë dhe veprimtarinë e Serbisë për të mbajtur veriun e Kosovës një konflikt të ngrirë; ajo është treguar tolerante kur ka lënë Serbinë të vetmin shtet në Europë që nuk ka pranuar sanksionet kundër Rusisë revizioniste; ajo ka dështuar duke i besuar projekteve të Alex Soros dhe autokratëve ballkanikë Vucic-Rama për stabilitet dhe paqe në Ballkan. 

Me mungesën e strategjisë për Ballkanin, indiferencën, naivitetin dhe besimin tek politikat preferenciale dhe të sponsorizuara të grupeve të interesit, si Open Society, ajo në heshtje ka favorizuar politikat e regjime autokratike dhe të korruptuara të Ballkanit, të cilët kanë shkatërruar demokracinë dhe shtetin ligjor.

Favorizimi i këtyre regjimeve ka sjellë shkatërrimin e çdo alternative demokratike si në Shqipëri, ku lideri i opozitës është arrestuar pa akuzë, ku liderat e tjerë të opozitës janë nën presion, ku zgjedhjet që duhet të jenë të lira dhe të ndershme manipulohen dhe vidhen, ku mungesa e promovimit të demokracisë dhe përkrahja e regjimeve autokratike sjell mosbesim në rolin e SHBA-së. 

Kjo politikë e jashtme e kësaj administrate ka goditur patriotizmin shqiptar, që është një balancë e nevojshme për nacionalizmin primitiv serb dhe ruajtjen e interesave amerikane dhe perëndimore në rajon. Moskalibrimi i mëtejshëm i kësaj politike të jashtme do të sjellë rritjen e dominimit serb në rajon dhe argatëve të tij, si dhe rritjen e influencës ruse për të prishur arkitekturën e mbrojtjes europiane. 

SHBA është demokracia më e fuqishme në botë dhe e tillë do të mbetet sepse Amerika është frymë, është frymëzim për të gjithë forcat dhe popujt liridashës. Forca e saj qëndron në rregullimin e politikave të gabuara dhe mbrojtjen e misionit të saj të madh. 

Prandaj është koha që politika amerikane të shkëputet nga përkrahja e regjimeve mafioze dhe të lidhura me krimin e organizuar, që influencojnë politikën ballkanike, të ndryshojë qëndrim dhe të pranojë se ka qenë e influencuar në qëndrimin ndaj opozitës shqiptare dhe liderit të saj, të rikthejë promovimin e demokracisë në Ballkan.

Vetëm kështu do të zhduken regjimet mafioze klienteliste, të cilat hiqen si properëndimore por në thelb promovojnë autokracinë, interesat e pushteteve të tyre të korruptuara dhe sjellin në rajon antiamerikanizmin.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco