Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

'Me hangër hekur me dhambë!'

'Me hangër hekur me dhambë!'

Nga Jerina Luka - 22/05/2024

Ditët në vijim në Shkodër me gjasa do të inaugurohet ajo që është lakuar si skulpturë monumentale, fituese e Konkursit Ndërkombëtar ‘Art në Hapësirën Publike’, konkurs ky i realizuar nën kujdesin dhe financimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit që do të vendoset në hyrje të qytetit.

Fillimisht vepra është menduar të vendoset në Hanin e Hotit, por më pas është preferuar të stacionohet në hyrje të Shkodrës, në drejtim të qendrës së qytetit kur vjen nga Lezha. Skulptura ka formën e një çelësi, materiali është prej metali me përmasa 10 metra lartësi dhe 20 metra gjerësi, zhvilluar nga kompania ‘Vata Metal Konstruksion’.

Autori i kësaj vepre është Alfred Mirashi, 'in arte' ‘Milot’, artist bashkëkohor që jeton dhe punon në Firenze, Itali. Sipas pasqyrimit dhe promovimit të artistit në mediat shqiptare gjatë këtyre viteve, ‘Milot’ është shkolluar dhe ka zhvilluar aktivitetin e tij artistik në Itali, ku ka fituar disa çmime për punët e realizuara. Gjithashtu, Alfred Mirashi prej 10 vitesh bashkëpunon me Kinën si pjesëmarrës dhe kurator në aktivitete e kompeticione artistike, por edhe si profesor në universitet. Prej vitit 2020 ai është drejtor i Muzeut të Artit DODO në Pekin. 

Çelësi, me sa duket është identifikimi i tij artistik, një simbol që artisti ka në disa vepra të veta, ku më e famshmja është ajo vendosur në ‘Piazza Mercato’, në Napoli të Italisë e quajtur ‘Çelësi i të sotmes’. Vepra sipas artistit, nënkupton komunikimin dhe hapjen.

‘The Albanian Key’ mbart një mesazh të fuqishëm dhe të qartë: t’i japim fund dyerve të mbyllura dhe të hapim shanse për të gjithë, duke krijuar mundësi të barabarta për çdo njeri.’ – shpjegon ministri Blendi Gonxhe në Facebook për çelësin në hyrje të Shkodrës. 

Interpretimi i artit nga partia është diçka që ka ndodhur vazhdimisht në vendin tonë e veçanërisht në periudha të caktuara, por ‘komenti artistik’ i ministrit për një qytet që nuk njeh dhe në një fushë që nuk e zotëron të kujton me zor kohën e komunizmit. 

Dyert e mbyllura kryesisht janë karakteristikë e komuniteteve të izoluara e të pa zhvilluara dhe jo të një qyteti me lidhje historike me Europën, qytetit të ambasadave, të institucioneve të edukimit dhe që pavarësisht vështirësive që ka kaluar, në çdo kohë, ka vërtetuar vetëm dashamirësi ndaj hapjes dhe zhvillimit të vërtetë.  

Duket qartë që vendosja e këtij monumenti është shoqëruar me dy akte: ministria e ka dhuruar, bashkia e ka pranuar, por qartësisht pa asnjë proces! Mirë që nuk i falën diçka tjetër...  

Normalisht, këto instalacione kur vendosen ne qytet, bëhen pjese e arredimit urban dhe hapësirat urbane janë pasuri e banorëve të qytetit. Në vendet e civilizuara këto vendime merren përmes procese diskutimesh. Për këtë arsye, të vjen e natyrshme të mendosh: A u pyet ndokush në këtë qytet për këtë dhuratë të imponuar, përveç vendimmarrësve? A u pyetën artistë e specialistë, komunitet sado i vogël, por përfaqësues i përshtatshëm që në qytetin, djep të artit e kulturës, nuk mungon? Jam kurioze të di nëse u pyet vetë artisti për kontekstualizimin e simbolikës së veprës së tij sepse konteksti përcakton peshën e një vepre, por edhe jetëgjatësinë e saj. 

Në Shkodër ka edhe vepra të tjera shumë të diskutueshme për estetikën e simbolikën dhe në të gjitha rastet është rezultat i mungesës apo nëpërkëmbjes së procesit të komunikimit. Janë të gjitha aty, për të na kujtuar se si nuk duhen bërë gjërat.

Monumenti që do të vendoset në hyrje të Shkodrës estetikisht nuk thotë asgjë e nuk përshtatet me territorin. Simbolika është pa kontektst, pa kuptim.  Vlera e shtuar e qytetit për shkak të monumentit është asgjë, megjithatë tani na kanë vënë para faktit dhe shkodranëve, edhe për këtë radhë, nuk i ka mbetur gjë tjetër përveçse 'me hangër hekur me dhambë'!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco