Operacioni i SPAK si një martesë në Las Vegas

Operacioni i SPAK si një martesë në Las Vegas

Nga Alfred Lela - 22/05/2024

Ajo që duhet thënë që në fillim për bujën e madhe të 50 fletë-arresteve dhe duartrokitjeve flakëruese për SPAK, është se dosja kriminale mbi të cilën mbështeten këto mandate është më e madhe dhe më e bujshme se aksioni i Prokurorisë Speciale, por edhe se tronditja vetë.

Dosja nuk duhet lexuar si një roman kriminal-kjo është prirja që vihet re në debatin politik dhe mediatik-por si një autopsi e plotë e trupit social dhe politik të Shqipërisë. E di që është shumë ta thuash dhe të kërkosh këtë nga prokurorët, gazetarët apo politikanët shqiptarë, por nuk do të thotë se nevoja alarmante nuk thërret.

Dosja prej 240 faqesh, që qarkullon ndër gazetarë dhe duar të tjera të fijeve dhe dijeve, shpalos pamjen, jo të Shqipërisë kriminale, por të Shqipërisë politike. SPAK nuk e qëmton fare këtë përmasë. Nuk e di nëse e ka nga padijenia, pazotësia apo anësia, por në asnjë dekik të kohës dhe mendimit nuk pulson vetëdija se, mes përplasjes gjakatare të bandave dhe shtetit, të futur si aktor në këtë përplasje, ka një dallim të thellë.

Te ky dallim është zgjidhja për sot dhe nesër, jo te telenovela me Dur Bamin, Marklen Hakën, Ervis Martinajn, Mil Shullazin e shumë të tjerëve. Prania e shtetit në labirintin kriminal është aq e fortë sa i bën kriminelët të duken personazhe thuajse simpatikë. Mua, apo çdo qytetari nuk i duhet fare se ç’bën Markleni dhe Duri, por ama na intereson shumë, për jetë a vdekje, çfarë bën polici, prokurori, gjykatësi, deputeti, që janë ngarkuar për të kufizuar, ndëshkuar dhe kontrastuar Ervisët dhe të ngjashmit e tyre. Kur sheh se të parët dhe të dytët bëhen bashkë kundër disa të tretëve, ne nuk mund dhe nuk duhet të kuptojmë se kjo është një luftë mes bandash, apo siç thotë KM ‘hëngshin kokat e tyre’, por se një ditë, herët a vonë, palë a viktimë në këtë përplasje të përgjakshme mund të jetë secili nesh.

Përmasa e dytë e patrajtuar, por dramatike, e dosjes është përfshirja e krimit në zgjedhje. Akuzat apo dyshimet e rreshtuara për personazhet kriminalë të dosjes përfshijnë tentativë për vrasje, armëmbajtje, kultivim apo trafikim narkotikësh etj. Përfshirja, e të njëjtëve individë, në shtabet elektoralë të PS, në komisionet apo në ‘grupet e gatshme’ të kërcënimit dhe manipulimit të zgjedhjeve të fundit apo një herë më parë, nuk fotografohet në asnjë rast. Kur kryqëzon emrat, që SPAK ka në dosjen penale, me denoncimet e mbledhura në rreth 600 faqe të “Librit të zi të zgjedhjeve”, botuar nga Partia Demokratike, sheh se thuajse të gjithë kanë qenë protagonistë të manipulimit elektoral në krah të Edi Ramës. Pse nuk e sheh SPAK këtë? E mendon krimin zgjedhor si më të parëndësishëm? Nëse po, ja një aksiomë për ta: kur qytetari humbet të drejtën për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur, në liri dhe pa ndërhyrje, në një demokraci, të gjitha të drejtat e tjera zerohen. Vetë SPAK kthehet në një institucion të shtrembëruar, sepse është emëruar mbi premisa jolegjitime, që burojnë nga procese të manipuluara votimi.

Dilema që shtrohet është: pse e shmang SPAK krimin zgjedhor si pjesë të repertorit të grupeve kriminale që ka skanuar, dhe për të cilët ka lëshuar urdhër-arreste? Rekordi i këtij institucioni është përsëritës në këtë plan: Prokuroria e Posaçme e ka shmangur njëherë hetimin e zgjedhjeve, në rastin e dosjeve 184 dhe 339, duke ia kaluar prokurorive lokale.

Po e shmang sërish. Dhe, gjërat që mungojnë apo shmangen, flasin më shumë se ato për të cilat bërtitet në kupë të qiellit. Siç është rasti i bujës për 50 mandat-arrestet të cilat i ngjajnë një martese incognito në Las Vegas. Kur një burrë e një grua ‘lidhin kurorë’ në kapelën e një kazinoje, ceremonia shërben vetëm për kujtimet, për instagramin, për adrenalinën, por nuk futet në rekordet legale të shtetit të Nevadës apo kushtëzuese të çiftit. Të cilit i duhet të shkojë në një bashki të vërtetë dhe një kishë të njëmendtë. Edhe SPAK nuk mund ta bëjë ‘ceremoninë’ me ‘çifte’ të Dubait apo të Las Vegasit dhe të presë legjitimim.

Është në Tiranë ajo që vlen, që vret zgjedhjet, procesin politik dhe vetë imazhin e SPAK.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco