Kosova në tension/ Shameti: Aleatë me Perëndimin, por të bëjmë dallim midis partneritetit dhe skllavërisë!

19:11, 31/05/2023
A+ Aa A-

Analisti Sokol Shameti shprehu bindjen e tij të fortë se serbët në veri të Kosovës sot nuk po kërkojnë më shumë të drejta, por po kërkojnë të sundojnë.

“Ajo që po kërkojnë serbët e veriut është që të mos ketë asgjë shqiptare aty, - theksoi ai në emisionin Task Force të Sonila Meços në SYRI TV. - Siç i dëbuan shqiptarët në vitin 2000, ashtu të mos ketë, të jetë Serbi aty”, theksoi analisti.

Në vijim, Shameti u përfshi në debatin me të ftuarit e tjerë në emision (Zhulali, Burimi, Bushkola) lidhur me faktin a mundet Kosova ta përballojë këtë tension, këtë krizë, pa mbështetjen e e Perëndimit, të ndërkombëtarëve, të cilët, në këto momente po e kritikojnë qëndrimin e qeverisë së saj për t’u dhënë detyrën, kryetarëve të rinj të komunave që dolën nga zgjedhjet e pjesshme lokale. 

“Unë jam dakord që me Perëndimin ne jemi aleatë, do t’i respektojmë, jemi partnerë, por duhet të vendosim një dallim midis partneritetit dhe skllavërisë”, nënvizoi me forcë Sokol Shameti dhe e argumentoi qendrimin e tij.

Ndiqni një pjesë nga debati që u zhvillua në studio, mbrëmjen e kësaj të mërkure.

Sokol Shameti: Duket që lëvizet në dy pista krejtësisht të ndryshme, në dy regjistra të ndryshëm.  Ndërkohë që Kosova thotë “ne jemi të gatshëm të sigurojmë të drejta, ju kërkoni më shumë, ok hajde t’i diskutojmë sa më shumë” – për serbët asnjëherë nuk mjafton kjo, sepse serbët nuk duan të drejta si pakicë. Serbët duan të jenë sundues. Si në veri, si në të gjithë Kosovën. Por në veri po e po njëherë.

Sonila Meço: Dakord, Sokol, por Kosova e vetme nuk ia del, se 300 trupa të NATO-s janë vendosur, KFOR-i është atje. Nuk është ushtria e Kosovës, atje  prandaj ka shumë rëndësi kjo...

Sokol Shameti: Ne nuk e dimë atë a ia del Kosova e vetme a nuk ia del Kosova e vetme! A ia del Ukraina e vetme, a s’ia del! A ia del Vietnami i vetëm ... Këto nuk e dimë ne.

(Ndërhyn Ilda Zhulali): Atë e dimë, nëse ka një gjë që e dimë kjo është: Kosova nuk ia del e vetme. Kjo është e padiskutueshme. Nuk mendoj se ka njeri që ka iluzionin që Kosova ia del e vetme kundër kujt dhe kundër çfarë.

Sokol Shameti: Po kështu ka qenë e padiskutueshme edhe për Ukrainën kjo, Ilda, ka qenë e padiskutueshme edhe për Ukrainën, por ja ku po ia del Ukraina e vetme! 

Edhe këto legjendat kështu....Të mos i ngremë këto mitet. Unë jam dakord që me Perëndimin ne jemi aleatë, do t’i respektojmë, jemi partnerë, por duhet të vendosim një dallim midis partneritetit dhe skllavërisë!  Ata kanë interesat e tyre, ne i përkrahim këto interesa, por për sa kohë nuk na përdorin ne për kusur, për mall shkëmbimi!” nënvizoi Sokol Shameti./ar.sh/SYRI NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco