Hysni Sharra: Kandidatit të Ramës në Vlorë i bën nder humbja, të kujtojë ç'i punoi hakmarrësi Gjikës dhe Lelit!

Hysni Sharra: Kandidatit të Ramës në Vlorë i bën nder humbja, të kujtojë ç'i punoi hakmarrësi Gjikës dhe Lelit!

13:22, 10/05/2023
A+ Aa A-

Si anektodë e ka përshkruar Hysni Sharra, kandidati i opozitës për bashkinë e Vlorës, fushatën që po zhvillon ditët e fundit Partia Socialiste në Vlorë, duke filluar që nga patronazhistët që ua kanë ndërruar emrin në flamurtarë! Nga ana tjetër, kryebashkiaku Dritan Leli i paska dorëzuar çelësat e bashkisë pa e lënë detyrën akoma, ndërkohë që me fondet e bashkisë së tij, PS-ja ka blerë pemët dhe naftën për makinat që i shëtitkan fshat më fshat. Pemët, është fjala!.

Në rrëfim e sipër, Hysni Sharra me njërëzillëk uroi që do të ishte në të mirën e vetë rivalit socialist, Ermal Dredhës, që të mos e fitonte Vlorës nëse do të sillte në kujtesë se ç’i bëri hakmarrësi Rama, dy kryebashkiakëve të mëparshëm, paraardhësve të tij, Shpëtim Gjikës dhe Dritan Lelit.

E në fund, Sharra shtoi edhe një historizë, se iu kërkua të shpjegonte cilat ishin arsyet e nervozizmit që shfaqi në publik Kryeministri Edi Rama – deputeti i Vlorës, ditët e fundit, aq sa i la njerëzit në Selenicë ta prisnin me orë në diell! 

Për të tilla gjëra si këto e pyeti gazetari Flavio Qarri, zotin Hysni Sharra sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, duke filluar nga pyetja se çfarë metodash po përdorte mazhoranca në Vlorë, ndryshe nga bashkitë e tjera, për të mbledhur vota.

“Në Vlorë metodat janë të njëjta, - tha Hysni Sharra, - po nuk kemi arritur deri te “duart”, që shefi të qëllojë vartësin apo vartësi shefin.  Por së fundmi ne kemi depozituar edhe një kallëzim penal për shumicën më të madhe të drejtuesve të institucioneve të Vlorës, sepse ka ndodhur një fenomen i tillë që janë denoncuar në një media kombëtare nga kryetari i degës së PD së Vlorës dhe pikërisht, atë ditë kur ne denoncuam në media, ka ndodhur që në orarin e punës të gjithë drejtuesit e PS-së janë paraqitur në zyrën e kësaj të fundit të thirrur nga drejtuesi politik Blendi Klosi për të dhënë llogari se si shkon puna me patronazhistët, që tani i quajnë “flamurtarë”, se u kanë ndërruar edhe emrin, dhe çfarë po bëjnë ata për mbledhur vota nga punonjësit e administratës.

Pra, presioni ndaj administratës vazhdon të jetë i njëjtë dhe do të shohim këto ditët e fundit nëse do të funksionojë thesi i miellit apo ajo që kemi quajtur rëndom, blerja e votës.  Megjithatë, nuk është arritur akoma te duart në Vlorë, midis shefave dhe vartësve.”

Ok, po kandidati socialist çfarë bën?

Për kundërshtarin, Sharra tha: “Ne e kemi deklaruar se zotit Dredha i bëhet një nder në qoftë se e humb bashkinë e Vlorës, sepse ai do të ketë fatin që patën dy paraardhësit  e tij, Shpëtim Gjika dhe fatin që do të ketë Dritan Leli!!! Me Edi Ramën, një njeri hakmarrës dhe që pushtetin e ka fiksasion dhe që nuk është thjesht një pushtet për t’u shërbyer njerëzve dhe qytetarëve, do të ketë të njëjtin fat si dy paardhësit e tij.

Për fat të keq, Partisë Socialiste i janë blerë me tenderat e bashkisë edhe pemët për t’u mbjellë, gjasme ato pemët që do të mbillen se e harruan edhe mbjelljen e pemëve tani. Ato janë blerë me fonde publike, me fondet e baskisë, bashkë me karburantin për t’i shëtitur këto pemë nga njeri fshat në tjetrin. Kështu që kjo është situata.

Paraprakisht, drejtuesi aktual i bashkisë i ka dorëzuar çelësat pa dorëzuar detyrën akoma. Megjithatë ne vazhdojmë punën tonë vazhdojmë fushatën tonë deri ditën e fundit, deri ditën e zgjedhjeve me përpjekjet për t’i bindur qytetarët dhe për t’i çuar në masë tek kutia e votimit."

Po çfarë ka ndryshuar në Vlorë, që nga nisja e fushatës?

“Qytetarët janë të etur për të dëgjuar ofertat, për të dëgjuar programet, për të dëgjuar atë që kandidatët dhe subjektet kanë për t’u propozuar atyre, - gjykoi kandidati i opozitës në Vlorë. - Në këtë pikëpamje unë dhe koalicioni “Bashkë fitojmë”, por jo vetëm koalicioni “Bashkë fitojmë”, sepse në Vlorë i vetmi kandidat i spektrit opozitar jam unë dhe partitë e tjera në listat e tyre mbështesin kandidaturën time, ne vazhdojmë në rrugën tonë atë që është ajo e sqarimit të qytetarëve, evidentimi i problemeve dhe mënyra e zgjidhjes së tyre afatshkurtër, afatmesmë dhe afatgjatë. Në krahun tjetër ne kemi dhe kandidatët e PS, madje të 61-të ata e thonë që s’kanë as program, as vizion, por kanë programin e Edi Ramës."

Edhe kërcejnë ama!

“Po, po, kërcejnë! Kanë tallavanë  e Ramës për Shqipërinë dhe vizioni i tyre është vizioni i Edi Ramës për bashkinë-Shqipëri, bashkinë–shtet, për partinë–shtet dhe për të pasur partinë mbi  Shqipërinë.

Kështu që jemi të kënaqur dhe të gëzuar me atë çfarë kemi arritur deri tani dhe dua t’ju bëj të ditur se ato shfaqjet e depresionit që Rama pati ditën e shtunë janë për shkak se sondazhet, e kanë tërbuar.

Në Sarandë i është lutur kandidatit të pavarur që është një socialist, të tërhiqet! Në Selenicë nuk është paraqitur fare në miting, i ka lënë socialistët të presin katër orë në diell dhe në Himarë dhe në Vlorë ka shfaqur ato shenjat e depresionit për shkak se nuk i dalin llogaritë me sondazhet, ndaj i është dashur të bëjë ato shfaqje arrogance e fyerjeje, që nuk janë të denja për një shtetar, ca më tepër për një kryeministër!"- gjykoi Sharra./ar.sh/SYRI.NET

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco