SKEMA/ Si po bëjnë para drejtorët e Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës

SKEMA/ Si po bëjnë para drejtorët e Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës

08:55, 27/04/2023
A+ Aa A-

Gishtat e ngritur kundër korrupsionit në posterat e Belind Këlliçit nuk qenë thjesht për të bërë pak teatër në fushatën e 14 Majit. Kandidati i koalicionit Berisha-Meta ka dalë me një denoncim të rëndë që përfshin emra, shifra, nepotizëm dhe përfitime korruptive nga njerëzit më të afërt të Erion Veliajt.

Është fjala për drejtorët e Bashkisë së Tiranës, që përmes parave që kalojnë tek familjarët e tyre, janë shndërruar në biznesmenë të aftë për të menaxhuar punime që shkojnë në disa miliona euro.

Maringlen Qato është njëri prej tyre. Këlliçi e quan “krahun e djathtë” të Erjon Veliajt, ndërsa e paraqet si ish-drejtor të Ujësjellësit në 2016-2018 dhe drejtor të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit nga viti 2018 e këtej.

Sipas skemës që publikoi Këlliçi, Qato është kujdesur të shpërndajë paratë e tenderave tek kompanitë në pronësi të familjarëve të tij, në shifra stratosferikë që shkojnë deri në 25 milionë euro, ndërkohë që ka emëruar në poste kyçe të bashkisë të afërm të tij.

Këlliçi shpjegoi se motra e gruas së Qatos ishin punësuar në ndërmarrjen e Ujësjellësit. Kunata e tij, Elisabeta Cjapi mban postin e drejtoreshës së financave në UKT. Ndërkohë vëllai i gruas dhe vëllai i Maringlen Qatos janë punonjës së bashkisë.

Në një tabelë të dytë, Këlliçi tregoi se si të afërmit e Qatos përfitonin para nga tenderat publikë të Ujësjellësit dhe institucione të tjera, përmes një kompanie të krijuar në vitin 2016 dhe që ka ndryshuar emër disa herë.

“Maringlen Qato, përmes të vëllait të tij dhe të afërmve të lidhur drejtpërdrejt me të vëllain e tij, nga viti 2016 ka hapur një kompani që i ka ndërruar tre herë emrin, që quhej fillimisht Igor Elektrik, më pas Vas Konstruksion dhe tashmë është e famshma “5D Konstruksion”, që janë 5 drejtorët e bashkisë, me të cilën ka marrë plot 29 tendera në vlerë 25.16 milionë euro pa TVSH. Nga i ka marrë këto tendera? Se nuk ka bërë biznes të ndershëm. Këto tendera i ka marrë nga Bashkia e Tiranës, plot 15 të tillë në vlerën 10.5 milionë euro. Nga UKT ku ka qenë titullar dhe drejtues dhe ku ka familjarët e tij që drejtojnë financat ka marrë 10 tendera me 9.5 milionë euro. Nga OSHEE ka marrë 3 tendera me 3.2 milionë euro. Nga ARRSH, 1 tender me vlerë 1.89 milion euro”, tha Këlliçi.

Por kompania “5D” në pronësi të vjehrrit të vëllait të Maringlen Qatos, të cilën Këlliçi e konsideron si kompania e “Pesë Drejtorëve” të bashkisë nuk është kufizuar vetëm në përfitimin e parave të tenderave. 'Pesë Drejtorët' kanë fituar edhe leje ndërtimi nga bashkia ku punojnë vetë dhe kanë ndërtuar disa pallate në Tiranë.

“Makutëria e tyre nuk njeh limite. Sot këta jo vetëm që marrin tendera, por këta drejtues të administratës publike na janë bërë edhe biznesmenë të mëdhenj të ndërtimit”, u shpreh Këlliçi duke treguar foton e një pallati të ndërtuar në Tiranë, përmes një leje të marrë nga “5D” në 5 prill 2022.

Këlliçi tregoi edhe lejen e 2 shkurtit dhe atë të 8 nëntor të vitit 2021 dhe të një hoteli me vlerë ndërtimi 15 milion euro.

Historia e hotelit me vlerë 15 milion euro është një tjetër aferë ku familjarët e drejtorëve të bashkisë janë bërë bashkë për të investuar paratë e tyre. Përveç Qatos, në këtë investim tashmë janë përfshirë edhe Elvin Tivari, ish-drejtor i prokurorimeve në Ujësjellës Tiranë dhe Redi Molla edhe ky ish-drejtues i Ujësjellës Tiranës.

Skemën e zbërtheu Briseida Shehaj gjatë një bisede në Task Force me Sonila Meçon.

Pjesë e stafit të fushatës së Këlliçit, Brisedia Shehaj solli disa raste kur kompania e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës kishte fituar tendera me vlera të mëdha, edhe në konkurrencë me kompani të fuqishme ndërtimi. Investimin e hotelit në Durrës, Shehaj e quajti skandaloz, duke paralajmëruar se dosja do të shkojë në SPAK.

“Po të shihni foton që është marrë nga Google, ajo pjesa me të kuqe, bëhet fjalë për një tokë, e cila është shumë afër Velierës në Durrës dhe është buzë detit. Do bëhet një investim 15 milionë euro dhe “Mediterranian investment group”, që është kjo kompania që do të bëjë investimin, aksioner ka Elvin Tivarin, meqë ka qenë edhe pronar i tokës aty, ka babain e Redi Mollës, Selim Mollën, ka një kushëri të këtij z.Tivari me 1%, Bledar Tivari në mos gaboj. Ka aksioner edhe një person tjetër, që është lidhje e tyre shoqërore, të cilin nga hulumtimet që kemi bërë ne, nuk dalin njerëz që kanë financa. Elvin Tivari ka qenë drejtor i prokurorimit në Ujësjellës Kanalizime, aktualisht punon me Redi Mollën në Tirana DC, një kompani e krijuar nga Bashkia e Tiranës, që merr 1 milion euro fonde për paga dhe nuk bën asgjë. Elvin Tivari është një njeri që bashkë me vëllain e Agron Malajt, nëse e mban mend gardistin e famshëm të 21 Janarit që u bë kryetar bashkie në Burrel, kanë ndërtuar një hotel në Dhërmi, ku Elvin Tivari ka investuar 500 mijë euro. Elvin Tivari, përveçse një punonjës shteti, është aksioner edhe një kafe dhe po t’ia shohësh bilancet nuk ka financa as të bëjë investim 500 mijë euro në Dhërmi”, tha Shehaj.

“Ta hetojë SPAK-u nëse babai i tij, apo motra e Redi Mollës, dentiste në Itali ka mundësi të krijojë kaq shumë të ardhura”, tha ajo duke lënë të kuptohet se është e pamundur që punonjës shtetërorë me rrogë shteti të bëhen pjesë e investimeve të tilla.

Shehaj tha se denoncimet e PD për korrupsionin në Bashkinë e Tiranës do të vazhdojnë. Gishtat e ngritur që Këlliçi afishoi në mjedise publike sapo kanë hapur një seri denoncimesh të korrupsionit të Erjon Veliajt, një temë thuajse tabu në mediat shqiptare./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco