Deklarimet e dyshimta të pasurisë çojnë 37 zyrtarë në dyert e Prokurorisë, Hetimit tatimor

Deklarimet e dyshimta të pasurisë çojnë 37 zyrtarë në dyert e Prokurorisë, Hetimit tatimor

07:10, 27/04/2023
A+ Aa A-

Të paktën 37 raste referimesh penale dhe të tjera kanë shkuar gjatë vitit të kaluar pranë Prokurorisë, Hetimit tatimor, Parandalimit të Pastrimit të Parave apo policisë së shtetit nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit.

Në raportin vjetor të këtij institucioni nënvizohet se gjatë periudhës 2014 – 2022, janë referuar në këto institucione 555 subjekte, në të cilat janë përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë drejtues, si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kryetarë bashkie, gjyqtarë, prokurorë, drejtorë të përgjithshëm.

Gjatë 2022, ILDKPKI ka miratuar dhe ka kaluar në kontroll të plotë në total 806 subjekte deklaruese, si për shkak funksioni, ashtu edhe bazuar në informacione të ardhura nga burime të ligjshme. Në periudhën raportuese, janë në total 128 masa administrative me “gjobë”.

Sipas përcaktimeve ligjore zyrtarët kanë detyrimin e deklarimit të pasurisë në një sistem elektronik. Nga të dhënat rezulton se numri i deklaratave të administruara nga Inspektorati i Lartë për vitin 2022, është 3975 deklarata të interesave privatë, nga të cilat, të ndara sipas llojeve të tyre, rezultojnë këto të dhëna statistikore: – Deklarata Periodike Vjetore për Subjekte në Funksion (për vitin deklarues 2021) – 2785 deklarata; – Deklarata Para Fillimit të Detyrës (2022) – 544 deklarata; – Deklarata Pas Largimit nga Funksioni (2022) – 438 deklarata; – Deklarata Kandidatë (2022) – 208 deklarata.

Inspektorati vlerëson se në rastet e vendosjes së gjobave nga zyrtarët që janë gjendur në shkelje ka pasur edhe çështje që kanë përfunduar në gjykatë.

“Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, gjatë vitit raportues, ka aplikuar gjithsej 128 sanksione, masë administrative me “gjobë”, për mosdeklarim të interesave privatë, konfliktit të interesave, si dhe për shkelje të Ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, i ndryshuar.

Nga këto, janë ankimuar pranë organeve gjyqësore vetëm 21 vendime, prej të cilave, deri në momentin e raportimit, gjykata ka vendosur në mbështetje të vendimeve të marra nga ILDKPKI, për 6 vendime.

Për më tepër, për 13 vendime masë administrative gjobë, që u përkasin viteve të mëparshme, kanë përfunduar gjykimin gjatë vitit 2022, duke u vendosur lënia në fuqi e masës administrative të dhënë nga ILDKPKI”, thuhet në raport.

Ndërkohë janë të paktën 33 vendime që kanë kaluar si titull ekzekutiv dhe që në veprim ka hyrë përmbarimi. Të paktën 11 vendime i takojnë vitit 2022 ndërkohë që në 38 raste gjobat janë shlyer në mënyrë vullnetare./N.Maho/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco